Home Ballina Gjeo- poetika në Rahovec nga Luan Rama

Gjeo- poetika në Rahovec nga Luan Rama

1822
0

© Rromir Imami (www.rrim.info / RRIM Photography

Vështrim nga Luan Rama për edicionin V të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë, Rahovec 2019

Gjeo-poetika në Rahovec të Kosovës (Luan Rama)
———-

Në vitet e para të shekullit XX, francezi Jean Bruhnes krijoi gjeografinë humane, një koncept të ri të gjeografisë, pasi në fund të fundit kjo gjeografi e rruzullit nuk mund të perceptohej e të kuptohej pa elementin bazë dhe ekzistencial, njeriun. Ja pse Bruhnes, së bashku me fotografin e njohur Léon, me ndihmën e filantropistit Albert Kahn, udhëtuan nëpër botë për të fiksuar fytyrën njerëzore të kësaj bote. Madje, më 1913 ai udhëtoi dhe nëpër Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Greqi, falë të cilit kemi imazhet ddhe xhirime që i përkasin tashmë historisë shqiptare, ballkanike, europiane dhe botërore. Po kjo duhet thënë dhe për gjeopolitikën e cila e ka anashkaluar elementin njeri, duke u përqëndruar në sferat e hegjemonive, luftrave, tregjeve dhe ku gjeopolitika konceptohet përmes presioneve, armëve, ushtrive, kryqëzorëve, avionëve dhe bombës atomike. Por Festivali Internacional i Poezisë në Rahovec, na nxit të themi se sot duhet të flasim për një gjeo-poetikë, për një poetikë në shërbim të lidhjeve njerëzore, intelektuale, humaniste e ku poezia, ashtu siç ishte një mjet i fuqishëm në përcjelljen e kulturës në Antikitet, të rikthehet sërish në këtë botë moderne në fillim të mijëvjeçarit të tretë. Tek sheh një poet amerikan me një poet japonez, i cili para pak kohësh recitonte poetikën e tij në Nagasaki, kur shikon një izraelite tek bashkëbisedon dhe është në të njëjtën linjë me një palestinezo-jordanez poezia e të cilës është kundër luftës (ajo i mban ende stigmatet e holokaustit), kur shikon sëbashku poetë sllovenë, boshnjakë, shqiptarë të Shqipërisë dhe Kosovës, irlandezë, danezë, etj, e kupton se poetët e mendojnë ndryshe ardhmërinë e botës, se poetët sot duan ta thonë me forcë zërin e tyre. Të mbledhësh poetë nga gjithë bota, kjo kërkon jo vetëm energji, jo vetëm nga ekipi i tij i mrekullueshëm, por së pari nga mbështetja vendase, nga biznesmenët bujarë të cilët për pesë vite rresht e kanë mbështetur zërin e poetëve, duke iu përgjigjur pra kësaj tryeze ku flitet e kërkohet me forcë që të shuhen urrejtjet, tu jepet fund ndasive, barrierave të çdo ngjyre, masakrave, pasi poezia ashtu si arti në tërësinë e vet është një barrierë kundër dhunës, masakrave, gjenocideve në mbarë botën. Ja pse dhe në Rahovec u fol për «Poetekën» e Tiranës dhe misionin e saj në Shqipëri, ku dhe aty, poeti Arjan Leka, ka mundur të krijojë një tryezë ku dialogohet për kulturat, poetikën, paqen. Për misionin e poezisë, në një shkrim me titull «Profecia e poezisë dhe ardhmëria jonê» ndër të tjera kam shkruar: «Pothuaj dy shekuj më parë, në kaosin e filozofive të trishta e të depresionit të madh, të luftrave që gjëmonin në Europë midis perandorive, poeti i madh Höderlin bëri një thirrje duke hedhur idenë novatore se jeta duhej jetuar poetikisht, pasi kjo do ta çonte Europën drejt së mirës, humanizmit, drejt dashurisë njerëzore e progresit të vërtetë. Po kështu në kohën kur poeti i madh francez Arthur Rimbaud, ngulmonte të thoshte se Poeti duhet të jetë një «Profet» i kohës, i shoqërisë, këtë e thoshte se kishte ardhur koha e një lëvizje të madhe humane dhe drejt një shoqërie të re, çka e gjejmë në vëllimin e tij Përshkëndritjet, ku poeti, siç shkruan ai «kërkon të ndeshet, të përpiqet, të luftojë», pra të jetë profet i një kohe të re dhe i një arti të ri. Të njëjtën gjë e kemi parë te Victor Hugo apo Majakovski i zhgënjyer në Rusinë e sovjetëve, Ricosi apo Lorca spanjoll, Whitman si dhe surealistët e Francës. Le të shpresojmë atëherê në krijimin e atij pushteti autonom shpirtëror dhe filozofik të asaj që quhej «Respublica litteraria», kjo lloj «republike» të krijohet edhe në vendin tonë, pasi poezia, arti, të shtyjnë të kesh një refleksion më të thellë për shoqërinë dhe ardhmërinë. Ja pse poeti 92 vjeçar francez Yves Bonnefoy, në një nga poezitë e tij të fundit, ndër të tjera shkruante:
«… Miqtë e mi/ kjo tokë shkon keq e më zi/ dhe shpesh është ç’njerëzore/ por unë besoj se e Bukura ekziston dhe ka domethënie/ besoj se ende ka një kuptim që ta rilindim atë…».
Ja pse më së fundi poezia është një profeci më vete, aq e dëshiruar nga Arthur Rimbaud apo Migjeni! Le t’i besojmë kësaj profecie të madhe!

Luan Rama

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here