Home Ballina Ilire Zajmi- Kosovo

Ilire Zajmi- Kosovo

2958
0

ILIRE ZAJMI

KËSHILLA VETES

Mos prit të gjithë burrat të bien në dashuri me ty  

të të quajnë kurtizanë kur epshi ua terron sytë  

Mos i beso askujt për ndjenjat e tua

Ti e di më mirë se kushdo çka ndien lëkura jote

Mos u shtir se i di të gjitha.

Mëso çdo ditë diçka të vlefshme për veten

Festo për  gjërat e vockëla. 

Mos lejo të bezdisesh nga punët e mërzitshme

Kurrë mos dil  në rrugë pa vëthë në vesh buzëkuq e parfum qershie

Fal shumë  e marrë  mos u bëj.  Falja vetes të gjitha çmenduritë 

Pranoja vetes të gjitha turpet. Mos fshih asgjë nga pasqyra

Bëhu e njerëzishme me njerëzit që të duan, qitua gjuhën snobëve e hipokritëve

Mos e puth dikë që rri me ty për një orë nuk ia vlen barra qiranë

Secili ka nevojë për një skutë të veten

Mos u pendo kurrë. Mos kërko falje për gabimet e tua

Fajet e të tjerëve mos i merrë mbi vete  

Mundësisht mos fle pa bërë dashuri.Ndjehu mbretëreshë e fronit tënd

Lexo çka të pëlqen. Mos i beso shijes së të tjerëve

Kujdesu fort fort për unin tënd Musine

e lufto deri në fund për gjërat që do.

Ilire Zajmi  Bio

 
Ilire Zajmi është lindur në qytetin e Prizrenit, në jug të Kosovës, më 1971. Ka studiuar shkencat e komunikimit masiv në Universitetin e Prishtinës.

Autore e njëmbëdhjetë librave. Pesë vëllimeve me poezi .Tri të botuara  në gjuhën shqipe, “Këmbanat e mëngjesit” 1991, “Baladë e bardhë”, 2001 dhe “Valsi i mesnatës” 2016; “Amnesia” botuar në gjuhën angleze në Portugali, Corpos Editora, 2011, “C’est a fin” në frengjisht, botuar nga l”Harmattan në Francë , 2014.   

Autore e tre romaneve  “Fashitja e ëndrrave rebele” 1996 dhe “Era”  2014 ‘ Një luftë e pakryer”  2019, dhe librit publicistik “Një tren për Bllacë”  në bashkëautorësi me gazetarin italian Filippo Landi, botuar në gjuhën italiane nga shtëpia botuese  La meridiana  në vitin 1999 në Itali. Ky libër është përkthyer edhe në gjuhën shqipe , Saga, Prishtinë, 2011,  dhe në gjuhën kroate PIZHG, Rijeka, 2015. “Pamjet televizive dhe realiteti” libër studimor, Prishtinë 2014.

Poezitë e Zajmit janë përkthyer në disa gjuhë të huaja. Ajo është paraqitur me poezi në shumë antologji ndërkombëtare, në Itali “Farmaco d’amore”, në Taivan në antologjinë e poezisë shqipe, në Ukrainë  “Best literature from 40 countries” etj.

Zajmi është fituese e çmimit për poezi “Venttenale” në  Milano të  Italisë, në edicionin e vitit 2011. Fituese e Naji Naman literary merit prize në Liban 2018, dhe fituese e çmimit të parë për poezi “Mitingu i Poezisë”  Kosovë 2013.

Ajo ka marrë pjesë në festivale ndërkombëtare të leterësisë  dhe projekte të ndryshme kulturore. Është anëtare e Poetas del  Mundo.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here