…ndërpres hidhërimin, por reja e zezë që mban pamjen time, mbi kokë...

…ndërpres hidhërimin, por reja e zezë që mban pamjen time, mbi kokë do të të qëndrojë derisa dërrasa e varrit ta mbulon trupin e mavijosur

425
0
SHARE

FAHREDIN SHEHU

(Kurrë mos heshtë në injorancë dhe padrejtësi. Varri do të na ofroj mjaftë haoësirë për heshtje)

~Christopher Hitchens~

                                    I

Nesër një ditë e re do të agoj, me njerëz
të njëjtë duke zvetnuar madje edhe vetën 
në mjegullnajën e epshit për të qenë
mbi re të zeza, të rëna një çikë mbi
faqen e dheut me gjak të shpëlarë ndër shekuj.

Më thanë: duhet të jesh një super egoist
me djembje të tmerrshme të lukthit dhe
tëmthin që tajon lëngun blu që tretë çdo
njerëzore. Çdo damarë që iu deshën mijëra
vjet zhvillim prej Vetëdijes unike të super

masës së errët të Shumnajës së Universit
për të qëndruar në ballë çmendisë masive
për ta udhëhequr një vend që mezi është
ku burri e vret gruan, mjeku abuzon me pacientin
dhe ne nuk e pijmë gjakun e shoqi shoqit, as

kafshohemi si ujqër për ta pshurrur së bashku 
të mundurin e hordhisë. Sot ne shterrojmë
dritën nga rryma e trurit dhe valët nga zemrat
që luajnë vallën e virgjërisë tek kjo barazohet
me naivitet dhe injorancë ndërkaq për Ne 

pos Dashuri-Mëshirës, emër tjetër ajo nuk ka 
as do të na duhet një kalorës zaptues tokash
të na nxë diellin me hijen e vetë dhe të ushtarëve me betimin e dhënë çmendisë së kuqe përnjëfarë bashkimi të kombit i cili mezi është.

                                        II

Mallkuar qoftë ajo ditë kur erdhe të më lusësh
me argatin të cilit i besoje e ai punote kundër teje dhe forcë nuk kisha të të tregoj, se Armenia
është qytetërim në vete, ka fenë, kulturën dhe alfabetin e vet. Nuk arrita të tregoj se kur të vish

herën tjetër, nuk gjen njeri të disponuar të ta hapë derën, e lere më ta le gruan në shtrat, ty për të të bërë djalë të mirë të babait të keq
mallkuar qoftë edhe ajo ditë kur të tregova sekretin e dashurisë për njeriun me sy të kaltër,

fëmijë evolucioni, vetëm 70 000 vjet në moshë
e unë një Teurg, në reinkarnim vetë të dhjetë ashtu siç më tha Marta nga Mexico: plako fërko
me nefrit kapakun e kafkës, se ti je i bërë për
të dhënë dhe me këtë duhet të pajtohesh.

mallkuar qoftë edhe ajo thirrje që kumbonte
si zë miku, ndërsa unë mik mbeta, e ti më
shihje si palë. Kur të soset rëra në klepsidrën
e kolltukut dhe kur të mer malli të shohësh
plakun e universit të lashtë, i cili këtu

parakalon heshtshëm duke ma përpirë edhe
forcën për të ta nisur së paku një të yshtur
të ta nis Asmodeun në ëndër të të torrturoj
për ta shijuar gjithë lavën e tradhëtisë, ndize
një qiri të bardhë të larë në vaj ulliri por pa temjan.

                                     III

Sot, derisa ende vajtoj për mikun i cili më
mësoi: se të duash do të thotë të ndriçosh
udhët e errëta dhe sokaqet me kalldërme fallco, mos prit mëshirë, as gjum të qetë nuk do të kesh
as edhe një çast lumnie… kur do të të dhemb më

së shumëti e fëmija yt ta pështyen fytyrën
e cila mezi është, e fëmija si askush tjetër
ta djeg mëlçinë dhe mushkëritë e bardha t’i nxin nga vaji, mos më fajëso, as kur e mer tatëpjetën 
e ik disa kufi t’i kalosh me shpresën se mallkimi

ka territor, ka afat dhe ka mision. Jo! Jo!
mallkimi është vrimë e zezë e universit ku
në të hyn si njeri e del veç si një spektër me
të gjitha nuansat gri, ato ende të pa emërtuara
deri në mijëvjeçarin e ri, kur gjuha jonë do të

jetë kod, fjala jonë do të jetë valë, shikimi
ynë do të jetë komunikim, biologjia jonë
do të jetë e programueshme dhe nëse të
kanë thënë se turizmi është kulturë, ose
të kanë mashtruar, ose ti i mashtron kretenët

e drapërit dhe çekiqit, ndërkaq ti je vetëm
një zhapin i cili do ta kompensoj një jetë
të humbur kot, krejt kot. Pasi bien perdet
edhe maskat hiçen dhe palaço sërish do të vajtojë, gjatë, më gjatë se sa e herëshonte.

LEAVE A REPLY