Home Poezi Nikollë Loka

Nikollë Loka

2325
0

Nikollë Loka lindi në Mirditë me 25 mars 1960. Diplomohet për mësuesi në vitin 1983, kryen specializim njëvjeçar pasuniversitar në mësuesi në vitin shkollor 1987- 1988; specializim pasuniversitar në shkenca humane pranë “ECHEC-Culture” në Bruksel në vitin 2003-2004; kurs katërmujor në marrëdhënie ndërkombëtare pranë Qendrës së Studimeve Europiane në Bruksel në vitin 2004, master në edukim në vitin 2007 dhe studime doktorale në histori arsimi nga viti 2013 e në vazhdim.
Ka punuar mësues dhe drejtues shkolle në Mirditë, redaktor i gazetës së përjavshme “Politika” në Tiranë; analist politik në gazetat e përditëshme kombëtare “Albania”, Ekspres”, “Ndryshe”, “Ballkan”, etj. Aktualisht është Drejtor Ekzekutiv i Institutit të Studimeve “Albanistike “Gjon Gazulli” në Tiranë.
Nikolla që herët ka shkruar poezi dhe publicistikë. Në vitin 1988 është fitues i vendit të dytë në publicstikë dhënë nga gazeta “Zëri i Rinisë”. Në poezi është autor i pesë vëllimeve poetike: “Njerëz që plaken udhëkryqeve” 1998; “Koha e shkelur” 1999; “Larg Atdheut” 2001; “Një hark ylberi” 2013; “Koha tjetër” 2015.
Pjesëmarrës në antologjitë poetike: “Kontakt poetik” Rrëshen 1999; “Antologjia-Sofra e poezisë shkodrane” -Gegnisht, vëll. I, Shkodër 2012; “Antologjia e dhimbjes-101 poetë për Ali Podrimjen” Prishtinë 2012; “Pesë degë trungun thërrasin”, Tiranë 2012; “Antologjia-Sofra e poezisë shkodrane” -Gegnisht, vëll.II. Shkodër 2012; Antologjia kushtuar Heroit të Kombit Sali Çekaj, Prishtinë 2012, Bashkautor në përmbledhjen poetike “Gherbino”, Romë 2014, Antologjia “Il Federiciano” Romë 2015; Antologji kushtuar Heronjëve Iljaz Kodra dhe Antigona Fazliu, Prishtinë 2015, e disa antologji të tjera me poetë të tjerë shqiptarë. Pjesëmarrës përmes konkurimit në Antologjia “Il Federiciano 2013”, “Il Federiciano Romë 2014” dhe “Il Federiciano Romë 2015”, botime të konkursit ndërkombëtar të poezisë në Rocca Imperiale. Pjesëmarrës edhe në nëntë antologji poetike italiane në Itali, që kanë kaluar në botim përmes konkurimit, si dhe në dy antologji dygjuhëshe rumanisht dhe italisht të përgatitura nga një shoqëri letrare rumune në Itali, edhe këto me konkurs.
Ka botuar cikle me poezi në suplementet letrare të gazetave “Studenti”, “Republika”, “24 orë”, gazetës “55”, “Telegraf”, “Nacional”, “Mirdita”, si dhe në gazetën letrare “Muzgu”.
Fitues i vendit të dytë në “Promenadë poetike, 2015”; fitues i vendit të parë në “Promenadë poetike, 2016” të organizuar nga Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë; fitues i vendit të tretë “Dr. Ibrahim Rugova” në konkursin poetik të organizuar nga klubi letrar “Podguri” në Istog; fitues i vendit të dytë në “Premio letterario-Terre Lontane, III edizione”, në vitin 2016, vlerësuar nga juria e drejtuar nga poeti italian Dante Maffia, kandidat për çmimin “Nobël.

TA ÇOVA NJË HARK YLBERI

Ta çova
një hark ylberi
e një gjysmë hëne.
Shtatë ngjyrat
i trazova
në shtatë telajo vjeshte,
dhe e mbajta shiun pezull
duke e shtyrë drejt teje,
e shiu u bë fllad,
parfum
i ëndërrës sime.

Ta çova
një hark ylberi
e një gjysmë dielli.
Shtatë ngjyrat i trazova
në shtatë telajo dimri,
dhe e mbajta borën pezull,
pa të rënë te balli,
dhe e pashë
shikimin tënd
të rënë
në pellgje shiu.

Ta çova
një hark ylberi,
me gjysmën time.
Me një magnet të nxehtë
po ta tërheq hijen.
Ti humb në errësirën
e kësaj nate,
ku shpresa rrëzohet,
në një humnerë po digjet.

TEK ËNDRRA JOTE

Deri tek ëndrra jote,
ngjitem
me fluturimin e zogut
në shtatë bjeshkë hirëplote.
Çlodhem
në shtatë lëndina shprese,
dhe vij
te hija jote
e të ulem mbi vetull,
pa të prekur,
qerpikhënë e bjeshkës.
Ndalem
ta prek ëndrrën,
dhe pi etje me ëndje.
Ndiej
se më tradhton loti,
kur ma përcjell
fryma jote
akullin që shpirti
ka brenda.

PËRTEJ KOHËS …
Përtej kësaj kohe
që rrjedh e fshihet,
përtej të sotmes
… që bëhet e djeshme,
përtej të nesërmes
që plaket para syve,
përtej kësaj ore
që lëshon
pjalm ndjenjash,
përtej këtij minuti
që luan
valse ëndrrash,
përtej sekondave
të kaltra të zemrave,
përtej kësaj tërheqje,
që zbret
në arterie e shkrihet,
është koha
që ndal në pikën zero.
Një ëndërr
që na përsëritet
ditë pas dite.

PËRMBYTUR NGA NJË NDJENJË

Qiellin tim vesh
një re që sjell shi.
Shpirtin
ma tret era që fryn.
Me vështrimin tënd,
ringjallem,
ndoshta rizgjohem
ndoshta fle….
A ndihem më mirë unë
apo ti!

Je horizont,
që lëviz
në pak hapësirë.
Një hënë e plotë,
që del ditën për diell.
Më djeg me një shikim
e më rrëmben me një brengë,
por shpirtin ma fsheh,
nën një qiell të ngrirë.
Në një mëngjes përtac,
dhe shpirti im
s’mundet të flasë,
përmbytur nga një ndjenjë.

EDHE BUKURIA VDES

Në fillim ndaj saj
ndjen thjesht tërheqje,
pastaj meditim
mbi tërheqjen që ndjen.
Të vjen një dëshirë
e të ngjall etje,
tek sheh
një lulezonjë që të gënjen,
të deh me aromë,
para se ta prekësh.
Kur ta prekësh
e ndjen
se po të fshihet.
Me një prekje
asgjë
nuk mbledh prej saj.
Bukuria
humbka brenda shpirtit
në një dhomë
pa dyer dhe dritare.
E ti i dehur
në ato mure pret,
të hapet një derë
vetvetiu,
pa e ditur
se dhe bukuria vdes,
kur ikën
dhe fshihet nga njeriu.

TE KROI
Me ujë burimi
ballin tënd e prek,
dhe vështrimin
e ndal mbi një gur.
Koha klith
e grinë nga sytë ma heq.
Më dukesh shtatore,
që ecën nëpër rrugë.

Edhe dikur,
shtatore ti ishe,
me fytyrë të Athinasë
e vështrim të Herës,
kur dole nga guri
kërkoje një shishe,
për ta futur djallin,
në atë fillim të verës.

E sa perëndime
përcolla dikur,
ardhjen tënde
dot se mbajta peng!
Djalli nëpër vite
u rrit,
u bë burrë,
kthehet në djalosh
veç për hatrin tënd.

PERËNDESHË S’JE MË

Me një baticë
vij unë tek ti.
Ti ende fle
ndër valë,
si një sirenë
kthyer në mit,
perëndeshë bukshkalë!

Me një zbaticë
mbi trup të ndiej.
Nuk mund të të prek
se bëhesh ujë…
Ti je një çast,
kujtim që dhemb!
S’të bie në gjunjë.

E det i thellë
mjegull u bë,
e kaltra u bë gri.
Baticë – zbaticë
ti nuk je më,
veç rërë e nxehtë,
shketëtirë.

NË QEPALLAT E TUA

Një galaktikë shuhet
në qiellin pakufi
të syrit tënd.
Pafundësia të çon larg…
Në rrugën e qumështit
tash je.
Kjo ëndërr që po sheh,
të lidh me mua
e unë ta lexoj
sipër qepallave,
e mbështillem me të
në një rrjetë merimange.
Ti shndërrohesh para meje,
në një kometë
që po vjen.
E zjarrtë
po djeg
ftohtësinë.
E pastaj,
në baticat dhe zbaticat
e ndjenjave,
ylli im
përpiqet të zërë vend,
në gjumin tënd.
Ti qetësisht
largohesh nga kjo botë,
me shpejtësinë e kometës.
Endesh
në hapësirën ndëryjore,
me një dritë të re
mbush sytë.
E unë e ndjej
ngadalësimin e kohës,
harrimin e kësaj bote
te qepalla jote.

KOHA TJETËR
Erdhe të më kujtosh
se fjala është e ajrtë
e nuk ka formë.
Premtimi është një lojë,
se qeni dhe njeriu
janë njësoj.
Erdhe të më thuash:
Koha të plak me hile,
dhe rrudhat në ballë
ti vë tinëzisht,
duke të thënë
fjalë dashurie.
Po më çon fjalë
hon më hon,
se koha është e ngathtë
në pulsin tënd,
e në eter
një kohë tjetër po vjen.
Koha jote,
me një tjetër diell,
e me një tjetër hënë.

FALE NJERIUN

Fale
mundin që s’ta dijnë,
mosmirënjohjen
që të vret.
Fale
shpifjen që të nxin,
e zilinë
që të djeg!
Fale
njeriun që të shan,
në vend të falënderimit,
se do ta njohësh më mirë,
dobësinë e njeriut.
Fale pra
të keqen që sheh,
por jo të keqen
që ndjen!
Hidhe të mirën
në lumë,
pa e vrarë mendjen kurrë!
Se në kripë ajo të vjen,
pa prit e pa kujtuar.

PËRTEJ MJEGULLËS

Zgjatet terri nëpër mjegull,
rrezet pezull.
Nëpër vesë e gjurmoj jetën,
gjysma zgjuar, gjysma fjetur.
Ditë e vdekur!

Ditë nuk ka, dita u shkri,
u bë breshër, u bë shi.
Unë mbi vesë e peshoj veten,
gjysma zgjuar, gjysma fjetur,
përtej mjegullës.

Përtej mjegullës në pasqyrë,
hëna shndrit e qesh me vete.
Dita natë ka në fytyrë.
Nata mjegull nëpër qiell,
pikla vese.

SA SHPEJT T’U ZBARDHËN FLOKËT!
Sa shpejt
t’u zbardhën flokët!
Mjaftoi
një ditë dimri në maj,
ca baltë
e hedhur te fytyra jote,
shpifjet nën zë,
mjaftoi
urrejtja e njerëzve të pazemër,
helmi
që përhapet me fjalë,
kurthi
që zë në grackë çdo femër,
dhe ja:
dolën flokët e bardhë!
Por ti
në pranverën e moshës,
laje fytyrën
me ujin që heq baltë,
mblidh lule
nga ato që nxjerr zemra jote,
shihe fytyrën
në pasqyrë të kristaltë!
Për të keqen
mjafton veç një ditë,
për të mirën
duhet një jetë e tërë,
balta
që kishe ti ndër flokë,
fatmirësisht
nuk të kishte zënë!
Ti erdhe
në stinën e moshës,
me një plagë
të fshehur në zemër,
por mbete
siç të kishin njohur,
ajo vajza fytyrë bardhë
e shpirtëngjëll.

MEDITIM MBI ROZAFËN

Varrin s’ta gjetëm askund,
veç një copë mermer
në mes të gurëve të vjetër.
As një epitaf
ku të shtonim një varg,
a ninullën e djalit tënd
mbi liqenin e plakur.

Hej Rozafë!…
Ishte shkruar jeta jote
flijim për një kala mbi kodër.
Lutej fusha djerrë
me imazhin tënd:
këtu ma vendosni Shkodrën!

E ajo kodër
do të shejtërohej pas flijimit,
pas një pabesie ndër vëllezër,
pas një krimi.

Në hijen e kodrës së shejtërueme,
në fushën me bar,
në Shën Kodrën
e lindur nga flijimi,
u krijua Shkodra
nga djali i Rozafës së vrarë,
në gjoksin e liqenit
e në shpinën e Drinit.

E tash tremijë vjet
atje në Kodër,
jeton shpirti yt Rozafë
në qiellin mbi kala,
dhimbje derdh
mbi dhé e mbi ujë,
Shkodra nën hijen tënde
qesh dhe qan.

MBRETI GENT

Kuajt tërheqin zvarrë triumfe
e ai vështron lart si Mbret,
si Perandor.
Roma hijerëndë
nuk e pa fronhumbur,
mbret të shkurorëzuar,
pa kurorë.

Nuk pranoi
të ulej i përgjunjur,
në Romën
me pranga gjithëfarësoj,
të bronxëta për skllevër
dhe të huaj,
të arta për mbretër
dhe heronj.

Sa vite ikën,
sa emra mbretërish u shuan!
E ai prap mbi Mbret
e Perandor.
Te një mauzole i shenjtëruar,
përjetësuar te një lule
që shkëmbin çan me zor.

PRINCI GJIN DHE PRINCESHA ARGJIRO
Princi Gjin e shkroi emrin mbi gur,
dhe e vendosi sipër derës në kala,
ranë njëqind tërmete,
kalanë dot s’e rrëzuan,
por sipër derës emri nuk u pa.
Kaluan vite, dy breza arbërorë,
ai emër në gurë ende s’po ngjiste,
ndër luftëra gjëmonin bori e tambura,
pas luftës këngë e ninulla arbërishte.
Në fushën poshtë, bori e hingëllima,
gjyle topash që gurin e digjnin.
Del në bedenat e kalasë Argjiroja,
dhe lë një testament për të birin.
Iku Argjiroja drejt vdekjes së bardhë,
në fushën plot tambur e hingëllima,
u hodh nga kalaja e s’ra përtokë,
qielli e mori lart me vetëtima.
E që atëherë ranë njëqind tërmete,
po guri mbi kala as s’u fshi e as s’u shkul,
Gjini i Bua Shpatajve iku prej legjendave,
e në faqe historie u ul.
Princesha Argjiro u kthye në legjendë,
miti i saj na ndjek, na bën më ëndërrimtar.
Kërkojmë Argjironë nëpër qytet,
kur je në Ar(gjirokastër)
e ndjen frymën e saj.

KËSHTU FOLI LEKË DUKAGJINI

Hingëllinin kuajt në livadh
me gurë të vrarë.
Një orë larg u dëgjohej hingëllima.
Nuk dihej në ishte këngë apo vaj.
Burrat dëgjonin,
zhytur thellë në mendime,
dhe bjeshkës dëgjohej një zë:
hej trimat e Lekë Dukagjinit!

Dymbëdhjetë dukagjinas,
në sofrën e gurtë
këmbëkryq po rrinin,
dhe verën e pinin me brirë,
po dymbëdhjetë jehona malesh,
prehje s’po gjenin.
Ulërinin ahet nga zemërimi,
e lëshonin copa degësh.

Leka priti me heshtje burri,
derisa guri u sofrës
u mbush me copa ahu,
pastaj,
si bubullimë e lëshoi një zë:
Hej trimat e mi,
më mirë të vdesësh,
se të të thahet krahu!

Kaq foli atë ditë
Lekë Dukagjini,
e verë piu me brirë.
Fjala e tij
e vjetër gjashtëqind vjeçe,
që lindi në sofrën e gurtë,
malet i zgjon
nga një ëndërr e keqe.

TE VARRI I HEROIT AFRIM ZHITIA
Këtu është e lehtë vdekja
dhe dheu i varrit duket i ëmbël.
Loti që shqitet për faqesh,
zbret paqshëm drejt zemrës.

Këtu e ndjen afër Atdheun,
mallin, flijimin, ringjalljen!
Si pelegrin dhimbshëm
prek dhimbjen,
dhe si shqiptar
përmallshëm prek malin.

Këtu e ndjen se Shqipëria
flet me gjuhë zemrash
për një ëndërr.
Mbi varrin tend kristale drite,
dhe shpirti yt
flakadan lirie mbi malet.

ËNDËRRA JOTE
Heroit të Kombit Sali Çekaj

Gjatë jetës
dhimbjen e truallit
e mblodhe,
andej e këndej
nëpër mote.
Një shqipe mbi gurë
si re e përflakur
vetëtimë
fluturoi dhe u ndal
te dhimbja jote.

Plagët e Atdheut
i lidhe mëngjeseve
dhe vdekjen
e fute në varr.
Mbeti e pavdekshme
dashuria
që të lidhi me tokën,
dhe drita
që nga Kosharja zbardh.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here