Olimbi Velaj- Albania

Është diplomuar në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Tiranës më 1996. Më 1997-1998 kreu studime krahasuese pasuniversitare, “Baladat në Ballkan” pranë Universitetit Shtetëror të Sofjes, Bullgari, “Sv. Kliment Ohridski”, Departamenti i Folklorit dhe Antropologjisë. Më 2008 mori një diplomë Master, pranë Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Prej vitit 2012 është Doktore në Shkencat Letrare. Punoi si gazetare që prej vitit 1993 deri më 2011 në disa gazeta kryesore në vend si dhe në revista e radio. Ka mbuluar më së shumti probleme të kulturës, shoqërisë dhe tranzicionit, ka lëvruar thuajse të gjitha zhanret, ka qenë pjese e disa projekteve të rëndësishme me mediat ndërkombëtare, si dhe është nderuar edhe me çmime për punën e saj si gazetare. Vijon të jetë e pranishme në media. Është pedagoge e Letërsisë në Universitetin Publik “Aleksandër Moisiu”, Durrës, zëvendësdekane e Fakultetit të Edukimit (2012-2016), aktualisht Përgjegjëse e Departamentit të Letërsisë në po këtë fakultet. Ka botuar disa artikuj shkencorë dhe ka marrë pjesë në disa konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit.
Më 1998 botoi librin e parë, një vëllim me poezi “Çastet vdesin nën akrepa orësh” dhe më 2003 botoi “Qenia pasdite”. Është përkthyesja e një antologjie të poezisë klasike bullgare, në kuadrin e një projekti ndërballkanik më 2006, EMOS. Është nderuar me çmim për poezinë e të rinjve më 1993 nga Fondacioni “Sorros”, Tiranë; me çmimin për poetet femra më 2003 nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Kosovës, Vushtri; më 2005 është nominuar për Çmimin Ballkanik nga Festivali Ndërkombëtar i Poezisë, “Curtea de Argesh”, Rumani. Më 2014 ka marrë Çmimin e Krijimtarisë në Liban nga fondacioni kulturor “Naji Namman” dhe çmimin e poezisë nga “Akdemia Europiane e Artit”. Cikle të saj poetike janë të botuara në disa gjuhë: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, spanjisht, portugalisht, italisht, greqisht, rumanisht, bullgarisht dhe turqisht. Është e pranishme në disa antologji të poezisë shqipe me autorët shqiptarë pas ’90. Është ftuar në disa festivale të rëndësishme ndërkombëtare të poezisë dhe në koloni shkrimtarësh.

Kohë të vjetra

Edhe ti i mban mend
ato kohë të vjetra
me lajmthirrje e kartolina naive
Vera kish shkuar si apokalips
mbi trupat tanë dhe ëndrrat
përmbytur nga ankthi qe pritja
ndërsa nën klithma gërvinin ambasadat
S’mund ta harroj bindjen tënde
dhe dritën e pastër
nën qiellin e orëve të ikjes…
Pastaj erdhën shirat
malli ynë u bë i largët
dhe ankthi zbehej
si një kub akulli me qoshe të shkria
Të tjera gjendje ranë mbi shqisa
dhe mbresat u bënë të mjegullta
si një etje që i largohet vëmendjes.
Tani vetëm rastësisht të kujtoj
pa e pasur mendjen, si pjesëmarrësit
në rituale përvjetorësh, ku harrohet arsyeja.

Gruaja

Kjo grua e tre mbur nga venitja
si një fener i vjetër në një stacion periferie
më bën të shtangem
Në ecjen e saj pasiguria është ritmi
dhe drejtimi, i humbur, si një marinar
që s’e beson më kthimin.
Mbase një tregim i zakonshëm
mbaron me siluetën e saj:
fëmijëri e heshtur nëpër rreshta shkollorë
e radha dyqanesh;
lodra të rralla, dashuri e kursyer…
Pastaj një kohë e gjatë keqkuptimi
jetuar rrëshqanthi, pa përfshirë veten…
Mbërrin caku i tashëm
tek për tek me kotësinë
ajo s’ka arsye për të nxituar
por dëgjon nëpër ajër
goditjet e sakta të kambanave
që orë pas ore
shpallin sosjen e kohës.
Burri në kafene

Moshë e papërcaktueshme…
mund të gabosh një dyzinë vitesh
teksa ky njeri i zakonshëm në kafene
ngre sytë e të përplas vështrimin
hutueshëm dhe bosh, si mbi sende.
Atentat mbi praninë
mund të quhet ndjesia që përftoj
Pak burra falin idiferencë kaq të pastër…
Një hamendje e vagullt
nis në hapësirën midis syve e mesazheve…
Ky i panjohur pa moshë të saktë
pa asnjë interes dhe kaq afër
nuk është se ka shprishur kodin e natyrës.
Në çastin më pas ai nxjerr nga xhepi
kuti ilaçesh
e nis të prekë me gishta
relievin tërë vrima të shkronjave në Brail.

SHARE

LEAVE A REPLY