Shuhet piktori Gjelosh Gjokaj, Picasso shqiptar

Piktori dhe akademiku Gjelosh Gjokaj ka ndërruar jetë të dielën në mëngjes në një spital të Bayernit, në Gjermani.

Gjelosh Gjokaj, njihej prej vitesh si Picasso shqiptar, për shkak se shumë vepra të tij ishin të ngjashme me ato të piktorit tjetër, i famshëm në të gjithë botën.

Anëtari i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe të Malit të Zi, ishte themelues i shkollës së artit pamor dhe grafikës në Prishtinë. Ai la pas vetes më shumë se 3 mijë vepra në pikturë e grafikë.

Akademik Gjelosh Gjokaj u lind në vitin 1933 në Milesh të Tuzit në Mal të Zi.

Shkollën e Mesme të Artit dhe studimet e larta në Akademinë e Artit i kreu në Beograd. Pas diplomimit më1963, në vitet 1964-1969 ai themeloi degën e grafikës në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës.

Nga viti 1969 deri më 1983, punoi dhe jetoi në Romë dhe që nga viti 1983 jetonte në Augsburg të Gjermanisë, kurse vitet e fundit jetoi në Milesh të Tuzit.

Varrimi i Gjelosh Gjokajt do të bëhet në kishën e Shënë Mëhillit në Dinoshë, ku gjenden varrezat familjare.

Edi Rama: Addio Maestro

I lindur në Malin e Zi dhe i formuar në shkollën jugosllave të pikturës, Gjelosh Gjokaj u bë maestroja që njohim të gjjthë, në Itali e pastaj Gjermani, ku piktura e tij mori trajtat e mirënjohura të personalitetit artistik të Gjeloshit. Mik sivëlla i Martin Camajt, Gjelosh Gjokaj na ka lënë një koleksion perlash të dala prej gurrës së kësaj miqësie mes poetit e piktorit, ndërsa thesarit të trashëgimisë sonë artistike i ka lënë një vepër të tërë dinjitoze. Ndarja e tij nga jeta është e trishtueshme, pasi ndërpret një fazë tejet interesante ku kishte hyrë krijimtaria e tij, në moshën që Pikaso e quante ideale për t’u rikthyer në fëmijë! Por edhe personalisht, humbja e Gjeloshit më trishton, sepse na lidhi me të një miqësi e gjatë, lindur në fillimvitet ’90 kur studioja e tij në Augsburg, bëhej edhe dhoma ime e gjumit sa herë e vizitoja maestron e dashur! Ai iku pasi i’a doli të lërë pas një vepër të bukur dhe një kujtim të mirë tek të gjithë ata që patën fatin ta njohin.

 

SHARE

LEAVE A REPLY