Botohen poezitë e reja të Agollit: “Do desha një pako viagër…”

Botohen poezitë e reja të Agollit: “Do desha një pako viagër…”

1903
0
SHARE
Shkrimtari Dritero Agolli, gjate festes se 79 vjetorit te lindjes se tij.

Shkrimtari i njohur Dritëro Agolli në ditëlindjen jubile, të 85 vjetorit të lindjes, sjell për lexuesit vëllimin me poezi të shkruara ndër vite e të pabotuara, me titullin domethënës, “Më prit edhe pak”. Që në hyrje të librit, Dritëroi shprehet se këtë libër ia dedikon Sadijes, bashkëshortes së tij, e cila i ka qëndruar në krah për 53 vjet në krijimtarinë e tij. Më prit edhe pak i thotë shkrimtari i madh vdekjes, sepse ka ende për t’i dhënë publikut, ka akoma për të komunikuar me të dhe për të ndarë shqetësimet e jetës së përditshme.

Veç dashurisë për bashkëshorten, Sadijen, Dritëroi nuk i trembet vdekjes, si rrallë poetë të tjerë, ai ka shkruar në disa variante edhe epitafin e tij. “Panorama” ka botuar disa nga poezitë e këtij vëllimi, tek të cilat duket qartë shqetësimi i poetit për jetën sociale të vendit, dukuritë universale që kalojnë të gjithë popujt, por dhe një mea culpa se nëse do ta kishin lënë, do të kishte bërë më shumë të mira në këtë vend.

E dashur Sadije

Të dua si jetën time, madje edhe më
shumë
Dëshiroj sinqerisht që unë të vdes dhe ti
të jetosh
Unë edhe i vdekur do të ndjek për të
parë buzëqeshjen tënde
Megjithëse kjo buzëqeshje, brenda
errësirës së varrit nuk duket
Por unë do të bëj të pamundurën, qoftë
edhe me anën e një fluture, që do të dalë
nga kockat e mia.

Dritëro Agolli
13 maj 2014

GËNJESHTRAT

O popull, ç’të bëjnë!
Të japin lodra të luash,
Të mbajnë me përralla,
Të flesh në shtrat sa të duash,
Pa zhurma e andralla,
Të quajnë të vogël,
Dhe thonë se ende s’di shumë,
Të japin në duar një lodër
Dhe thonë:
Pusho, mos bëj zhurmë!
Refren i përhershëm në kohët,
O popull, ç’të bëjnë!
Të thonë:
“Gërvish e fito” në letra!”
Dhe ti gërvish me thonjtë e paprerë
Nën mëngët e vjetra,
Dhe fati s’të vjen asnjëherë.
Të marrën përdore me lekë
T’i shohësh Miss-et,
Kur zhveshur kërcejnë,
Me brekë e pa brekë,
Në Skenë.
O popull, ç’të bëjnë!
Të japin lodra në duar
Me Tomin dhe Xherrin,
Të bëhesh fëmijë i duruar,
Mos njohësh telashin dhe sherrin.

KODOSHËT

Kur një gjel këndon në agim,
Nga ço kosh
Del një kodosh,
Vreshtave të vendit tim.
Nga çdo kosh
Del një kodosh
Dhe mbi koshin mban fjalim.

NË KOHËN E MIRIT TË XHIKES

Jetova në kohën e Mirit të Xhikes,
Në vitet me dert pleqërie,
Këtu në pallatin e Rrugës së Dibrës,
Me gruan e dashur Sadije,
Jetova në kohën e Mirit të Xhikes.
Dhe çuditërisht i tërbuar bëj zhurmë,
Më gërryen lakmia me ankthin e
frikës,
Se jam infektuar dhe unë
Nga koha e Mirit të Xhikes,
Dhe çuditërisht i tërbuar bëj zhurmë.

EPITAF PËR VETEN TIME

–VARIANT

Përjetësisht
këtu fle Dritëroi
Me etrit, gjyshërit dhe shokët pranë.
Të mira bëri pak gjersa jetoi,
Më tepër mund të bënte, po s’e lanë.

TESTAMENTI

O toka ime që të lërova e të thura
këngë,
Që të kam dashur plisin dhe barin,
Që të kam fshirë me duar, me
mëngë,
Në ç’vend ma le varrin?
Më mirë ma bëj diku në një brazdë,
Apo larg mbi përrua ndofta,
Mbi mua të tundë bishtin e saj një
laraskë,
Duke më sjellë lajme nga bota,
Nga bota që e pata të mbyllur sa
rrojta,
E kyçur dera, me lloze poerta…

PIJA

Vërtet unë i pijes kam qenë
Dhe netët sa gota më thyen!
Kam pirë dhe pakëz kam ngrënë
Dhe kockat në shishe m’u kthyen.

DËSHIRA E PLAKUT HORR

Ne pleqve mirë na bën
një hudhër, një lakër
Për zgjatjen e jetës
Për zgjimin fatmadh
në mëngjes.
Po unë do desha
një pako Viagër
Të bëja pak seks…

I DASHUR UJK

Ujk i dashur,
që bredh me tët bir netëve vonë,
ta kam zili këtë mall për tët bir,
Ne njerëzit dhe birin tonë
e lidhim shpejt, shpejt me zinxhir
veç për një pronë.

NE

Kanuni dhe malet dhe gjyshërit në
varre
Na dhanë infeksionin me emrin
“hakmarrje”
Ne vitet argasëm me plumbin dhe
gjakun
Dhe gjumin e pridhëm për nderin
dhe hakun.
Për thikë e për pushkë s’na del njeri
tjetër,
Të zotët nuk jemi për penë e për
letër.
Lavdia s’na duhet, -lavdia të jetë, –
Pak erëz të fryjë, ne ngrihemi vetë.

MPIRJA E NJERIUT

O kohë,
ndalu pak!
Na ler të shtrihemi,
të hapëm gojën në krevat,
të shpihemi
me sy në tavan
të shohëm një vrimë,
një mizë a zhuzhak.
O kohë
Ndalu pak!

NË QYTETIN TIM

I themi njëri-tjetrit “mirëupafshim”,
po s’dihet nëse shihemi vërtet;
na dalin dy-tre horra dhe na vrasin
dhe lamtumirë, ti qytet.
Të vrasin për hiçgjë, për treqind lekë,
me to mjafton të pihet një konjak
me kurvat në një klub a diskotekë,
ndaj “mirupafshim” s’vlen aspak.
1996

PËR DASHURINË

Dashuria fillimisht është e turbullt,
Dashuron, po cilin aspak s’është e
qartë,
Dhe agimi kur vjen, është i mugët,
Sendet s’kanë as formë e as trajtë.
Dita zbret dhe gjerat dalin të plota:
Forma, trajta, konture e vija,
Dalëngadalë e tillë vjen bota,
Ja, fytyrën kështu e zbulon dashuria.

PËR TY

Mendoj për ty kur buzët skuq në
pasqyrë,
kur fle dhe era vërshëllen në xhamet,
kur rri e shfleton një libër të vjetër,
kur flet e përhumbur
pa ditur as vetë se ç’thua.
Mendimet e tua të gjitha
veç unë i marr vesh dhe as tjetër
me gjuhën e shpikur nga ti dhe unë.
Sa keq që në Zot s’kam besuar,
sikur të besoja, i lutesha
që ti të mos plakeshe.
Nesër pemët do gjelbërojnë,
të dy do të shtrihemi mes gjelbërimit;
rreth nesh le të gumëzhijnë bletët
dhe qëngjat le të blegërijnë.
Ç’ti bëjmë natës që vjen?
ç’ti bëjmë mëngjesit,
Kur në pasqyrë
i kuq çel trëndafili?

LEAVE A REPLY