Enesa Mahmić

Enesa Mahmić

441
0
SHARE

Enesa Mahmić (1989), udhëpërshkruese, anëtare e PEN qendrës së Bosnjës e Hercegovinës.

Ka marrë pjesë në shumë festivale ndërkombëtare letrare dhe artistike: Slovo Gorčina (Bosnjee Hercegovinë), We all madestory (Letoni), Graphic Facilitation (Greqi), WR&GI(Maltë) Istanbul kitalara sigenc sairler festivali (Turqi),  BeFem (Srebi), WoodPoets, Dani prijatelja knjige (Kroaci), Ratkovićeve večeri poezije (Mali i Zi), Oživela ulica, Skovani od besed, Travnik besed, Poezija na meji, Spread poetry, not fear (Slloveni).

Është fituese e shumë çmimeve rajonale për poezinë. Është e përkthyer  në anglisht, gjermanisht, italisht, spanjisht, turqisht dhe hungarisht dhe është pjesëtare në shumë antologji, revista dhe përmbledhje: Le voci dellaPoesia , Diwan, WoodPoets, Balkanski književni glasnik, Sent, Trag, Script , Istok, Suština poetike, Nema, Književno pero, Književni pregled, Liter, Paralele, Rukopisi, Avlija;

Ka publikuar përmbledhjet e poezisë udhëpërshkruese: Faustova kći (Bija e Faustit, 2015), Mape Alme Karlin (Dosjet e Alma Karlinit2016), Na mjestu koje izazivauzdah (Në vendin që shkakton ofshamë 2016) dhe Dolores (2017).

LISBONA

E pimë verën

Dhe ecëm rrugës

Poshtë drejt Serra de Sintras

Jugu është miklues

Ai i fshin mendimet e errëta

Derisa të mos e ndiesh dhimbjen përsëri

VARNASI

Netët më të bukura janë në Varnasi

Në kohë kur zjarret e fuqishme përpijnë ujëvarat

Do të doja t’i kisha njëmijë duar dhe buzë

Të bëhesha formë e përkryer konkave

Përmbi trupin tënd

Pa asnjë ndërhapësirë

Do ta tregoj qytetin me gjymtyrë të lëvizshme

Kur hëna i mbulon me argjend kulmet varfanjake

Dhe nënat i thërrasin fëmijët në pushim

Do ta tregoj hirin që e ruajta në shuplakë.

LARËSET NË GAGNES      

Eca gjatë deri te ura që çon Matanë

Asgjë nuk dëgjohej përpos gurgullimës së ujit

Dhe zërave të mbytur të larëseve

Në një moment

Mu duk se po rrjedh në ritëm të njëjtë me ujin

Dhe se uji po rrjedh nëpër tërë qenien time

Pastaj

Larëset i fikën fenerët

Uji u bë i zi dhe rrëshinor

Kalitë

Tërë jetën në rrethimin e dritës dhe territ.

DËSHMITARËT E JEHOVAIT

Një grua e panjohur

Gruaja më ofron afishe

Për Shëlbimin

Shikoj në këpucët e saj të mjerueshme

Në duart e saj thatanike

Në vetminë e saj

Dhe qaj

LARGIMI

Kur u largova, mëngjesi ishte i mjegullt.

Fytyrat e zbehta nga pagjumësia

U zvarrita drejt zyrave, shkollave, bankave

Macet mjaullinin përmbi kulme

Plaku i kërrusur mblidhte gjethet.

Asgjë nuk mund ta prishte atë rregull të amshueshëm

Dhe nuk mund ta zgjonte masën e përkundur,

E unë ecja si të ishte e mundur.

Eca gjatë:

Maskat dhe kurthet

Dhe shputat e lënduara.

Dheu i mësuar në rrapëllimën e sunduesve

Nuk e duronte hapin e butë.

Fantazmat e së kaluarës më mbysnin me duar të vrazhda.

Më beso

Ishin gjithfarësh.

Ishin naive që lakuriqeshin tepër

Ironizonin veten se nuk mund ta pranonin.

Ishin idiote, inatçore, perverse

E më së shumti ishin të vetmuara

Duhej të përshtatesha, të bija ujdi, ta kërrusja kurrizin, ta humbja formën.

Zëri nga radioja përsëriste:

Populli. Vullneti i popullit. Individi. Fuqia.

Fjalët rrëzoheshin si zogj të cofur.

Shkova aq larg

Nën këtë qiell të dëshpëruar

Derisa qenia ime klithi: Shtëpia!

përktheu Nikollë Berishaj

SHARE
Previous articleNadija Rebronja
Next articleNdrek Gjini

LEAVE A REPLY