Home Art Photo Masters Fahredin Spahija

Fahredin Spahija

841
0

Fahredin Spahija u lind më 04 prill 1960 në fshatin Dvorcë të Shkupit.

Shkollimin fillor dhe gjimnazin e kreunë Mitrovicë. Në vitin 1986 kreu Fakultetin e Arteve në Prishtinë – drejtimi i grafikës kurse magjistraturën për dizajn grafik e kreu në vitin 2007, poashtu në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës

Prej vitit 2009 deri 2011, drejtor i Galerisë Kombëtare të Kosovës.

Prej vitit 2006 deri 2009, kryetar i Shoqatës së Artistëve Aplikativë të Kosovës.

– Ligjerues i rregullt i lëndës Fotografia në kolegjin universitar AAB, Prishtinë nga viti 2006 deri ne vitin 2022.

– Prej viti 2010 deri në vitin 2011 ishte profesor i angazhuar në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës.

Kariera e tij artistike përfshinë mbi 25 ekspozita personale dhe shumë të tjera kolektive në hapësirat shqiptare dhe në botë.

Veprimtaria e tij artistike është përqendruar kryesisht në artin fotografik por herë pas here i perkushtohet edhe dizajnit të librit dhe regjisurës filmike.

Fahredin Spahija ka të botuara një sërë artikujsh për fotografinë në gazetat dhe portalet shqiptare të cilat kryesisht kanë trajtuar krijimtarinë e fotografit emblematik shqiptaro-amerikan, Gjon Mili.

Recensione

“S’DU ME T’PA, DU ME T’NDIE”

Agron Shala

Rok-opera e grupit The Who përmban një këngë me titullin “Më shiko, më ndiejë”, që ndërlidhet me personazhin Tomi, që është i shurdhët, i verbër dhe memec, jeta e të cilit varet nga prekja dhe nga imagjinata. Por, problemi i tij është psikosomatik dhe i mbetet vetëm atij ta thyejë bllokimin e vet mendor.

“S’du me t’pa, du me t’ndie” është titulli i ekspozitës së fundit të mjeshtrit të fotografisë, Fahredin Spahija. Nuk e ndërlidha ekspozitën me titullin e një kënge sepse, në perceptim të parë, mesazhet janë të ndryshme. As pse Spahija është adhurues dhe njohës i muzikës. Porse, si te Tomi, jeta është ndjesi; është edhe arti që merr jetë nga shpirti i artistit. Është ndjesia që artisti e bart te ne; është ndjesia që shikuesi e reflekton. Për të dyja palët vlen thënia e piktorit Paul Klee: “Njëri sy sheh, tjetri ndjen”. Dhe, “S’du me t’pa, du me t’ndie” e pasqyron këtë mendim.

Ekspozita e Spahisë përbëhet nga veprat e realizuara përgjatë 20 vjetëve të fundit. Një përzgjedhje e vështirë, por e veçantë kur kemi parasysh opusin e tij krijues dhe faktin se sa vëzhgues dhe kërkues është autori, çdo ditë dhe në çdo situatë – qoftë nëse pamja varet nga të tjerët, nga rrethanat apo nga vetë ai.

Më parë kam shkruar se Spahija e kërkon njerëzoren. Ata që e kanë parë me fotoaparat në dorë mund ta njohin heshtjen e tij gjatë kërkimit. Rri i tërhequr, nuk flet e aq më pak njofton për prezencën apo kërkon vëmendje. Zë vend si një snajperist që nuk lëviz derisa detyra e tij mbaron. Përderisa me snajperistin përfundon një rrëfim, me momentin që kap ai lind një rrëfim tjetër.

Pra, në këtë ekspozitë kemi përzgjedhje tematike të disa veprave, nga një përzgjedhje prej mijëra e mijëra shkrepjeve. Sepse, siç e thash, Spahija është kërkues dhe synon kapjen e një momenti të veçantë që pasqyron një gjendje. Apo, më mirë të them: poetikën. Për këtë arsye, kjo ekspozitë është e veçantë sepse, si rrallë ndonjë tjetër në mesin tonë, mund të cilësohet edhe si ekspozitë e fotopoezisë.

Arti vizual megjithatë është i drejtpërdrejtë. Para vetes shikuesi e ka tablonë e plotë. Nuk ka faqe as kapituj aty. Por, fotografitë e Spahisë shpeshherë më ngjajnë me kolazhe. Në pjesë të caktuara të tablosë sheh një tjetër imazh; një dromcë të gjendjes apo të rrëfimit; vargje të caktuara. Por, si mjeshtër i kompozicionit që është, çdo tablo e plotë e kësaj ekspozite të shtyn ta plotësosh interpretimin tënd nëse veprës ia ngulit sytë për një kohë të gjatë apo nëse e sheh në kënde apo në distanca të ndryshme. Ta vëresh palimpsestin, për të reflektuar.

Si pionier i artit fotografik digjital shqiptar dhe si një prej historianëve të paktë të fotografisë që kemi, Spahija i mbetet besnik formave tradicionale të realizimit të artit fotografik. Veprat e tij në zhanret e nudos, portreteve, peizazheve, fotografive të rrugës, fotografive dokumentare … fiksojnë momentin që, në sy të shikuesit, shndërrohet në fjalë. Të shtyjnë të mendosh. Ta krijosh versionin tënd të rrëfimit. Të një momenti. Kjo edhe për faktin se aty gjithçka është reale, siç duhet të jetë misioni i fotografisë: e vërteta, jo mashtrimi.

Pra, gjithçka që shihni këtu shmanget nga aplikacionet kompjuterike që çdo person sot mund ta bëjnë të njëjtë me tjetrin. Sepse, ndjesia nuk manipulohet. As momenti. As subjekti. Spahija shmang edhe dritën artificiale dhe kushtet e studios. Këtu çdo personazh është unik që përfaqëson sinqeritetin, gjendjen dhe rrëfimin e vet. Kemi të bëjmë me fotografi artistike, në kuptimin klasik të fjalës. Kemi të bëjmë me dritëshkronjë, me dokument, me art dhe me qasje origjinale. Dhe, kjo arrihet përmes dy ngjyrave që, për artistin Astrid Kirchherr, janë më të vështirat: bardh dhe zi. Sepse – siç ka thënë Kirchherr – është më e lehtë të bësh foto të mirë me ngjyra, por dramën e merr vetëm me të bardhën e të zezën. Për artistin tjetër Robert Frank, këto simbolizojnë alternativat e shpresës dhe të dëshpërimit, subjekt i të cilave është përgjithmonë njerëzimi. Ndërkaq, rrallëkush ndër ne di si Spahija t’i përdor si duhet këto dy ngjyra, si ballafaqim mes shpresës dhe dëshpërimit, mes lojës dhe luftës, mes vetes dhe të tjerëve … E, nuancat e këtyre dy ngjyrave, dritëhijet, janë si udhërrëfyes se në cilin drejtim duam ta shohim këtë ballafaqim, Aty sheh vija me të cilat mediumi Tyler Henry do të mund ta zbërthente botën e subjektit. Por, edhe njollat e Rorshahut me të cilat mund t’i kuptojmë emocionet tona.

Pjesa më e madhe e veprave në ekspozitën “S’du me t’pa, du me t’ndie”, janë nudo. Për mendimin tim, ekspozita është homazh për gruan. Aty shohim dhembje, hije, abstraksion, meditim, melankoli, ftohtësi, lotët dhe vuajtjet e njerëzimit. Mund të shohim figurën e Marisë, Qefinin e Torinos, gruan që bartë barrën e botës … Shohim edhe bukurinë; shohim edhe shpresë. Shohim nota muzikore, vargje, kohët që nuk kthehen, fatin tonë apo të tjetrit…

Dikush tjetër nudon mund ta marrë si pasqyrim të trupit të zhveshur. Por, këtu kemi të bëjmë me trup të mbuluar me petkun e artit. Ky art ka frymëzuar njerëzit gjatë tërë historisë. Që nga Venera e Tan-Tanit që është forma më e vjetër e njohur e prezantimit të trupit njerëzor, duke shkëlqyer pastaj në artin klasik dhe të Renesancës, e për të vazhduar deri në ditët e sotme. Por, ka të bëjë edhe me të bardhën e të zezën – me lindjen dhe me vdekjen, edhe si ballafaqim, edhe si moment i barazisë njerëzore.

“Lakuriq dola nga barku i nënës sime dhe lakuriq do të kthehem”. Ky varg mund të lexohet në Librin e Jobit. Disa e interpretojnë si dëshmi të devotshmërisë hyjnore, të tjerët si simbol të varfërisë së njeriut. Por, aty është e vërteta. Statusi nuk ka rëndësi te nudot. As biografia. As pasuria. Aty nuk ka grim; nuk ka glamur. Nuk ka skenografi as rekuizita të shtrenjta. Dhe, këto fakte tregojnë se sa vështirë është të bësh art, vepër origjinale si Spahija, me kaq pak “materiale” para vetes. Por, siç ka thënë Platoni: “Bukuria e stilit dhe harmonisë, hiri dhe ritmi i mirë varen nga thjeshtësia”.

Thjeshtësia është kulmi i artit. Ndaj, nuk më interesojnë teknikat që Spahija i ka përdorur gjatë realizimit të këtyre veprave. Për mua ato nuk kanë fare rëndësi. Kryesorja është ajo që ceka në fillim: ndjesia. Dhe, një tendencë për të lexuar me pak fjalë artin e kësaj ekspozite. Poetikën.

Për El Grecon, gjuha e artit është me origjinë qiellore dhe mund të kuptohet vetëm nga të zgjedhurit. Pra, nga artistët. Sidoqoftë, është gjuhë universale që mund ta kuptojnë njerëzit anembanë botës, cilësdo kulture që i takojnë. Por, pakkush mund ta flasë si duhet. Pakkush edhe mund ta lexojë si duhet. E, nëse për veprën dramatike thuhet se nuk është e përfunduar, se përfundimin ia jep regjisori, e njëjta vlen për çdo vepër të mirë arti. Regjisori polak Krzysztof Kieslowski nuk i përfundonte filmat e vet. Si përfundim e pranonte çdo version që publiku jepte. Sepse, artistët e mirë shtrojnë pyetje, por nuk japin përgjigje. Përgjigjet varen nga shikuesi. Varen nga secili prej nesh që i shohim këto foto të Fahredin Spahisë, në ekspozitë apo në katalog.

“Zgjidhe një përfundim”, ka thënë Kieslowski. Ndieni dhe jepeni një mendim; zgjidheni edhe ju një përfundim, siç bëra unë.

Portretet e Fahredin Spahisë: Në kërkim të momentit… të njerëzores!

Në Kaen të Normandisë, para muzeut që i dedikohet Luftës së Dytë Botërore, qëndron një skulpturë 7.6 metra e gjatë. Skulptura është reproduktim i fotos ikonike të Alfred Eisenstaedtit, të momentit të festimeve në Time Square të Nju Jorkut – fitores amerikane ndaj Japonisë dhe përfundimit të luftës më të tmerrshme që mban mend njerëzimi. Në foto është Greta Zimmer Friedman, e veshur me rroba të bardha të ndihmëses së dentistit, që puthet me George Mendonsan – ushtarin e Marinës amerikane.

“Nuk ishte zgjedhja ime të puthesha. Ai u afrua dhe më kapi. Ishte i fortë. Nuk e puthja unë, ai më puthte mua”, do të thotë Greta më vonë.

Skulptura në Kaen është me ngjyra. Është masive, ndaj duket impozante. Do të dukej edhe e bukur sikur të mos njihej fotoja që e frymëzoi këtë punim: vepra bardhezi e publikuar në revistën “Life”, më 1945, që përçon atë që Robert Frank thotë se fotografia duhet ta shpreh – “Njerëzoren e momentit”; apo atë që e thoshte Alfred Stieglitz – “Një realitet delikat që bëhet më real se realiteti”.

Portreti nuk është veç pozë, më shumë se kjo është një e vërtetë. Edhe nëse nuk e njohim të vërtetën rreth imazhit që kemi para, apo vet personazhin, fotografia flet dhe lë hapësirë për të menduar, për të interpretuar. Të tilla – për shembull – janë portretet e tri grave të moshuara të artistit të fotografisë, Fahredin Spahija, të realizuara në kohë dhe hapësira të ndryshme.

Çfarë sheh njeriu te to, te shamitë, te ato fytyra, ato rrudha, te “fshehja”…? Pse janë bërë këto fotografi për t’i parë ne?

Interpretimi mund të jetë subjektiv. Ato mund të duken si një version më i moshuar i gruas me dy fëmijë, “Nënës migrante” të realizuar nga Dorothea Lange gjatë Krizës së Madhe Ekonomike, në SHBA-në e viteve 1930. Janë nëna të përhumbura, siç është shoqëria jonë sot. Ato janë vuajtja dhe dhembja që nuk duam t’i kemi pranë; janë e kaluara dhe fatkeqësisht e sotmja jonë; janë mospërfillja dhe padrejtësia, pjesë e të cilave jemi me apo pa dashje…

“Fotografët do të donin, por shtazët dhe njerëzit nuk janë të prirë të pozojnë”, ka thënë artisti i fotografisë, Graeme Green.

As Greta Zimmer Friedman nuk donte të fotografohej. Kur e dimë deklaratën e saj, e shohim në foto hezitimin, atë rezistencën. Por, as deklarata e as hezitimi nuk kanë rëndësi, përderisa një moment unik u fiksua në përjetësi: një imazh i shtypur në letër të ndjeshme reviste në SHBA, shumë më e fuqishme se statuja 7.6 metra e lartë në Francë.

Interpretimet e mësipërme për tri portretet e Spahisë nesër mund të ndryshojnë. Fotografi është qenie e ndjeshme, si çdo artist. Ai kërkon komunikim, ndaj nuk ndjehet keq nëse shikuesi bëhet pjesë e sinqertë e një versioni të veprës së tij. Sepse ne jemi ajo çfarë lexojmë e çfarë shohim. Por, njerëzorja do të mbetet përherë te to.

Njerëzoren e kërkon Spahija te portretet që bën. Ata që e kanë parë me fotoaparat në dorë, mund ta njohin shpejtë heshtjen e tij gjatë kërkimit. Rri i tërhequr, nuk flet e aq më pak njofton për prezencën apo kërkon vëmendje. Zë vend dhe si një snajperist nuk lëviz derisa detyra e tij mbaron. Përderisa me snajperistin përfundon një rrëfim, me momentin që kap ai mund të lind një rrëfim tjetër, shumë më i fuqishëm se fjalët, si plotësim i një biografie…

Si shoqëri jemi të shqetësuar për mungesë leximi, për atë analfabetizmin që lidhet me shkronjat, sa që shpesh e harrojmë analfabetizmin viziv po ashtu shqetësues: se shohim e nuk dimë se çfarë shohim. Mu për këtë, duhet “lexuar” rrëfimet, portretet e Fahredin Spahisë, për të njohur më mirë qoftë njerëzit e famshëm apo ata të rëndomtë. Yousuf Karsh e bëri foton më të famshme të Albert Einsteinit, pa asnjë formulë fizike; Lee Jeffries më mirë se askush e shprehu shpresën – përmes kllosharëve të rrugës. Spahija përmes portreteve të tij shpreh karakterin bardhezi, pa anime: sinqeritetin, egoizmin, shpirtin, naivitetin, humanen, kreativen, snobizmin, ligësinë e subjekteve të tij… Në syrin e tij të gjithë janë të barabartë; nuk ka të privilegjuar. Të gjithë njësoj tërheqin vëmendjen e tij; të gjithë janë pjesë e utopisë së barazisë sociale për të cilën lufton çdo tamam artist. Në momentin e tij ai bëhet pjesë e botës së subjektit, siç bëhet më vonë shikuesi pjesë e fotografisë së tij.

“Nëse e pëlqej një moment, nuk e dua shpërqendrimin e fotoaparatit. Thjeshtë dua të rri, në të”, thotë Sean O’Connell, personazh i filmit “Jeta sekrete e Walter Mittyt”, teksa në malet e Afganistanit priste si “snajperist” të fiksonte në fotografi leopardin e rrallë, “macen fantazmë”. Por, nuk e shkrepi fotoaparatin.

Ky film flet për tranzicionin e dhembshëm të revistës “Life”, nga letra në faqe interneti. Por, përmes jetës bosh të kryepersonazhit Walter Mitty, pasqyrohet edhe fuqia e fotografisë si cytëse për ndryshime në jetë. Në kërkim të imazhit për ballinën e fundit të revistës “Life”, në ndjekje të gjurmëve fizike të fotografit aventurist O’Connell, bota dhe jeta kanë më shumë kuptim. Përmes objektivit të tij, Mitty e sheh leopardin – pritjen, guximin dhe zgjedhjen për një jetë ndryshe, pa iluzione, mbase si pjesë e “puthjes” së Eisenstaedtit dhe kërkimit të lumturisë në çdo moment të jetës.

Për këtë të vërtetë, pa iluzione, kemi nevojë. Për tamam art e për tamam artistë. Për veprat e mira e të sinqerta të secilit. Për portretet e Fahredin Spahisë që bëhen për hir të së bukurës e jo të përfitimit material. Për respektin që ka ai për çdo artist dhe dëshirën për të dokumentuar dashurinë e tyre për art. Për arkivin e pasur që e publikon e që është i qasshëm për secilin. E sidomos për arkivin e tij “të fshehtë” që duhet të hapet ashtu siç duhet të hapet edhe mendja jonë!

Agron Shala, publicist

Fotografia: Krijim artistik

1. Në teoritë e krijimit artistik dominojnë dy ide: mimetika dhe krijimi i botës së veçantë artistike. Fahredin Spahija, si pikënisje, ka shkrepjen (mimetiken), por laboratori i tij krijues e dikton padyshim krijimin e botës së veçantë artistike. Bota e tillë, e prezantuar te vepra Koha e akullit, është ngulmimi i autorit në krijimin e botës së paradoksit të bukurisë.

2. Paradoksi i bukurisë realizohet nëpërmjet konceptit krijues të bricolage-it, qoftë edhe si ikje nga koncepti klasik i fotografisë, e cila nuk e posedonte domethënien e dytë apo të tretë. Madje, duke bërë një ikje artistike tri herë larg reales (Platoni), dhe duke shfrytëzuar imazhin e ngrirë si metaforë tashmë stabile të kësaj forme, Fahredin Spahija i afrohet tërësisht konceptit aristotelian për artin si kënaqësi e së mundshmes apo estetikë e së dëshirueshmes.

3. Imazhi fundor i tij, si rrjedhim nga bricolage i Fahredin Spahisë, gjithsesi se ndërton një bliss paradoksal, i cili themelin e ka në trajtat e ndërliqshme të trupit njerëzor, i cili re ekton edhe “krizat” e shpirtit të vet.

4. Krizat e shpirtit janë motivimet themelore të Fahredin Spahisë që nëpërmjet strategjisë së tij krjimtare: shkrepje, zgjedhje, kompozicion, laborator krijues, përzgjedhje etj., të realizojë krijimin artistik fotografik, i cili domosdo do të rezultojë në një fushë të gjerë të konotacionave mendimtare e emocionale, duke e afruar fotografinë me poezinë!

5. Duke ikur nga moraliteti i rrejshëm, i cili e mundon në vazhdimësi jetën tonë, por artin e varros që në indiciet e para, Fahredin Spahija arrin që nëpërmjet intencave dhe neurozave të tij artistike ta krijojë e dëshmojë lirinë krijimtare, e cila burimin e ka në ndjeshmërinë njerëzore të autorit për të bukurën artistike.

6. Vepra artistike fotografike Koha e akullit dëshmon filozofinë krijimtare të kombinimit të zjarrmisë dhe të acarit për ta fituar balancin estetik, të cilin Fahredin Spahija e sprovon dhe e provon me veprën e tij si markë autentike që sfidon kohën dhe si e tillë pasuron format e krijimit në kuadër të këtij zhanri artistik.

7. Fahredin Spahija është autor i fotografisë, i cili sublimohet në autor krijimtar fotograf për ta etabluar fotografinë e tij në vepër polisemantike artistike si dhembje shpirtërore permanente njerëzore.

Nysret Krasniqi, kritik i letërsisë

Dimensioni i tretë i fotografisë së Fahredin Spahisë

Ekspozita e Fahredinit është, me të vërtetë me një akcent të veçantë, sepse pikëvendosja e tij konceptuale është shumë origjinale dhe kjo, ndoshta, e bën më të shijueshme atë të veçantën që e citojmë si dukuri. Sigurisht aspekti, po them i bujshëm, nuk ndihet sepse ka finesë në përcepcionin e objektit të artistit fotograf. Edhe, pikërisht konceptualiteti konsiston në këtë gjë që nuk është shikuar me bujë ajo që Fahredini do të vë në dukje. Problemi është me të vertetë delikat dhe kur merret me respekt në konsideratë, gjenë ndoshta, edhe zgjidhjen më të fis’shme qoftë nga pikëpamja qytetare, qoftë karakteriale apo ajo profesionale. Pa dyshim ky motiv që artisti ka zgjedhë kësaj rradhe është me interes të shumëfishtë te të gjithë atyre karakteristikave që sapo citova, sepse nuk mund të injorohet fakti se problematika impostohet në një moral të caktuar të shoqërisë dhe shoqëria mund të reagojë në mënyra nga më të ndryshmet sepse nganjëherë edhe nocionet nuk kuptohen drejtë siç është rasti, me qenë se është nudo, dikush i thotë erotizëm, dikush mund t’i thotë pornografi e dikush i thotë poetikë e gjetjes së momentit të lakuriqësisë femërore e cila nuk përceptohet si vullgaritet por është si shkas për të zgju ndjenjën e bukurisë që autori provon për te edhe stimulimi i saj në opinion d.m.th. se si amplifikon me këndvështrimin e vet, ai në opinion. Më duket se kjo seri fotografishë e ka këtë karakteristikë që ajo i sugjerohet opinionit duke e respektur ate, duke mos e ofendu as subjektin e zgjedhur dhe as shijen e publikut.

Një kategori e ngutur që nuk di ta dallojë ç’është pornografia dhe ç’është lakuriqësia në kuptimin e mirë të fjalës si cilësi njerëzore dhe si element i bukurisë që stimulon raportin me të edhe e ofron si estetikë në mjediset ku ajo ekspozohet mund edhe ta keqkuptojë apo ta keqinterpretojë. Pra nuk ka të bëjë fare me vullgaritet dhe me pjesë specifike siç mund të jetë zhanri i pornografisë çoftë edhe i erotizmit. Aty s’kemi të bëjmë me te! Ai elementi i bukur, pastaj,  qoftë karakterial  dhe qoftë qytetar është në faktin që objekti që ka qenë pikëvendosja konceptuale e artistit fotograf d.m.th. lakuriqësia e gruas që duket dhe që nuk duket, që duhet të shquhet por, se si të shquhet, përbën edhe specifikën e këndvështrimit të Spahisë dhe në këtë mes mjeti i fotografimit, që është aparati, ka për autor artistin fotograf i cili instrumentin e vet e përdorë në funksion të konceptit që don të zbulojë. Aty jo rastësisht tintat e zgjedhura janë kamufluese në atë masë d.m.th. të mshehura në atë masë dhe të shqueshme në një masë tjetër për ti dhënë shkas rrugëtimit të kërkimit të vlerave të asaj bukurie që gruaja ka kur dora dorës njifet e zbulohet në tanësinë e saj. Ajo pikëvendosje që ka zgjedhë Spahija e jep këtë shkas që ajo të fillojë të shlirohet edhe mundësisht të mbushë, në mungesë atë pjesë e cila jo rastësisht lihet e pashfaqur sepse duhet aktivisht edhe shikuesi të bëj punën e tij dhe të marr në konsideratë arsenalin e impresioneve të veta nga jeta personale e tij për ti dhënë çmimin e merituar të ndershmërisë qytetare të respektit qytetar për modelin por të njejtën kohë edhe të veçimit të një specifike siç është: gruaja duhet të zbulohet! Nuk mjafton të jetë aq e drejtëpërdrejtë. Duhet të fillojë rrugëtimi! Dhe rrugëtimi fillon nga mungesa e shumë të t’panjohurave. Dhe ajo kadal-kadale fillon dhe i shfaqë ato duke e aktivizu edhe gjendjen personale të shikuesit i cili dora dorës e plotëson me aspektet personale dhe  bën që fotografia të mos mbetet jofiktive në letrën fotografike, pra që motivi të bashkëjetojë si kuptimësi mbi shikuesin dhe të nisë një rrugëtim që është plotësim i imazhit të saj në një dimension tjetër siç është ai i kuptimit të saj të mëtejshëm. Ky dimension që unë e quaj dimensioni i tretë është dimensioni i ardhmërisë së veprës së artit e cila duhet të jetojë mbi bazën e principeve të drejta të formësimit të saj jo vetëm për momentin por edhe për ardhmërinë-për të nesërmen. Ky është dimensioni kuptimor i dimensionit të tretë. Ashtu si vepra e mirëfilltë e artit në pergjithësi vjen nga shekujt dhe është e pranishme edhe në ditët tona, dmth ka superu element kushtëzues siç është koha, dhe faktori kohë është ai që vertetë e konsolidon nocionin vlerë sepse jashtë kësaj ajo nuk do t’kishte mujt të jetojë në qoftë se nuk do të ishte formula me principe të shëndosha dhe me konceptualitet të qartë mbi këtë faktorin që është të jetuarit e saj në një kohëzgjatje. Fotografia e Spahisë, për fat të mirë, e ka këtë karakteristikë. Konsideroj se fotografia e Fahredinit e koncentron këtë pikëvendosje sa ka provokacionin ka edhe mënyren, vetë zgjidhja e parametrave cilësorë. Nëse shfaqem duhet të shfaqem, di si të shfaqem, di si të rezervohem, di si të jap shkas  që të fantazojë njeriu që më shef!  Atëherë fotografia bëhet edhe më unikale kur e ka momentin e provokacionit të hijshëm dhe ajo fotografi provokon në mënyrë të hijshme. Dora e vendosur në një pjesë që duhet të mos duket është e bukur. Mendo kur dora është e bukur dhe ajo pjesë tjetër që ndoshta është ideal i të gjitha kohërave, se sa i bukur do të ishte ai moment në qoftë se do të shfaqej dora-dorës duke plotësu kuptimet e veta e jo duke qenë një prezentim vullgar çka, veçanërisht ajo fotografi, këtë lloj delikatese, ndonëse e ka provokim më të fortë se të gjitha fotografitë tjera, ka edhe këtë delikatesë: që rrugëtimin drejtë shfaqjes  së aspektit kompletues të gruas e bën në një menyrë shumë të ndjeshme. Unë i uroj Fahredin Spahisë sepse kjo ndjeshmëri shifet se është karakteristikë e tij të cilën e kam vënë re edhe në albumet tjera ku ai veçon karaktere në situata të caktuara,  i pështjellon me domethënje shumë specifike dhe shkaku qe ai len për tu motivuar spektatori edhe në plane të tjera.

Naxhi Bakalli, piktor

FAHREDIN SPAHIJA: TRI NIVELET E KOMUNIKIMIT ARTISTIK

Siç e dimë nga historianët e artit jeta e imazhit daton që nga Antika, por është marsi i vitit 1839 shenja që e bën botërisht të njohur dhe të aplikueshëm nocionin fotografi.

Gjithashtu, e dimë se ky nocion, ky emër që del si kompozitë, ka rrënjë greke: fotodritë dhe grafiapërshkrim. Pra, në nukleusin e vet fotografia del se përshkruan nëpërmjet dritës dhe po të bëjmë një analogji me vërejtjet e filozofit grek Aristotelit, tek libri i tij Poetika, mund të themi se në esencë fotografia është formë arti, e po të flasim me gjuhën e tij është mimezis i botës njerëzore.

Por, te ky organon teorik e kritik për artet, dijetarët e këtyre fushave e dinë se Aristoteli jep edhe mjetet e imitimit.

Nëse mjet imitimi për letërsinë fiksionale konsiderohet gjuha, masa dhe fjalët e çrëndomtësura, kurse për pikturën ngjyra e për skulpturën materialet e gjalla e inerte, atëherë del se për fotografinë mjet imitimi del se është aparati fotografik, me konkretisht një arritje teknologjike që krahasuar më kulturën perëndimore historike të arteve të tjera, del se është e vonë, ndërsa tek ne në Kosovë është edhe më i vonë.

Por, nëse aparati është mjet, atëherë gjithsesi se intenca është e autorit, në këtë rast e autorit Fahredin Spahija.

Këtë intencë autoriale në fotografi e sulmonte Rolan Barti dhe Susan Sontagu në librat e tyre Kamera Lucida dhe Mbi fotografinë, mbi konsideratën se në arte duhet të intervenohet, të bëhet shpërthimi i kodeve, kurse në fotografi nuk mund të intervenohet dhe se fotografia i afrohet më shumë politikës!

Por, këto pikëpamje, kur të vendosen në kohë, dalin më shumë përplasje të bindjeve ideologjike sesa një respektim i një forme arti që po fuqizohej ndjeshëm. Dhe koha e dëshmoi këtë fuqi, sepse që të dy i rivizituan dhe i ndryshuan pikëpamjet, bindjet, por edhe tekstet e tyre.

Dhe kjo intencë e artistit të fotografisë Fahredin Spahija nuk është ideologjike, nuk është politike dhe nuk është për konsum ditor, por është totalisht estetike, që do të thotë rrok shpirtin universal të artistit dhe refleksivitetin simbolist të asaj që mund ta cilësojmë si komunikim artistik.

Prandaj, të njëzet Impresionet,të cilat sot do t’i shohim këtu, si titull, vetëm sa shpallin modestinë e autorit empirik, sepse në fakt ato janë vepra arti në fotografi që lidhen me traditën klasike të artit, por që, po të vrojtohen nga këndi i komunikimit semiotik të tyre, shënjojnë nivele të ndryshme të komunikimit artistik. Çka mund të themi për komunikimin semiotik të tyre?

Fotografia e Fahredin Spahisë për nivel të parë të komunikimit ka mimetikën e botës dhe mimetikën e njeriut, sepse vendoset në një hapësirë dhe ambient që duket se bëhet lehtë i akceptueshëm për vrojtuesin që e do imazhin fotografik. Ky nivel, pra ai i komunikimit mimetik, është më i lehti, sepse në kuadër na e jep pamjen, të cilën mendojmë se e kuptojmë shumë lehtë dhe që e marrim si të mirëqenë në estetikën e saj.

Por, niveli i dytë i komunikimit është simbolik dhe kulturor dhe lidhet pikërisht me intencën e autorit si qenie që kërkon lidhjen inter-zhanrore të arteve në botën artistike në përgjithësi. Kur intenca komunikuese e autorit lidhet me komunikimin simbolik, atëherë fotografia e Spahisë thërret për vrojtim psikanalitik.

Nëse Spahija e fokuson me ndjeshmëri hapësirën me borë dhe gjurmët e këmbëve të njeriut, kjo tregon përplasjen ndërmjet egërsisë së dimrit dhe procesit jetësor në kalueshmëri të njeriut. Nëse fotografia e Spahisë shënjon çobanin që mbahet me shtagë për toke, kjo figuron empirinë e njerëzve të këtij vendi, të cilëve lodhja e mërzia nuk u ndahet që nga lindja deri në prag të vdekjes dhe ecën drejt temës universale të kërkimit dhe të paplotnisë jetësore, të cilën në letërsinë tonë e gjejmë te libri Oh i Anton Pashkut. Nëse Spahija fokuson një rrap shekullor, tërë gunga-gunga, duket se të gjitha ato vite dhe ato gunga janë figura të kokave të njerëzve që kanë kaluar nëpër këtë botë dhe se rrapi është deformuar nga dhembja për vdekjen, për kapërcimin e shpirtrave në amshim. Kjo mua personalisht më lidh me një autor italian të prozës, pra me Dino Buxatin, i cili shënjon vdekjen e miqve te proza e tij e shkurtër me titull Kopshti me gunga!

Ky është rrafshi simbolik që thërret për interpretim të vazhdueshëm dhe është hapësira më e fuqishme e asaj që mund ta quajmë rrafshi i shenjëzimit, i cili në të shumtën është infinit dhe artin e Spahisë e bën sa të afërt aq edhe të largët.

Por, kur fotografia lidhet me komunikimin kulturor, atëherë ndërron edhe kërkesa e receptimit estetik të saj.

Ta zëmë, kur Fahredin Spahija fokuson Kishën e Rubikut, e bashkë me të edhe hapësirën në të cilën ajo është ndërtuar, komunikimi artistik lidhet me intertekstualitetin kulturor. Duke e shënjuar një kishë, shënjohet një kulturë, një mënyrë e jetesës, në kulturë mesjetare që reflekton me errësirën e vet, një religjiozitet universal që merr me vete të gjitha shenjat e ndikimeve kulturore e fetare. Prandaj, kisha del vetëm si shenjë që na lidh me shenja të tjera apo me simbole e simbolika të tjera, të cilat në vazhdimësi thërrasin për pikëpyetje, e po të ndërlidhet me poezinë ta kujton Borhesin dhe labirintet e tij poetike! Ndërsa, kur shënjon peshkatarin në barkë, Spahija, kulturalisht, na lidh me poezinë e Lasgush Poradecit, me krizën e perëndimit të diellit në natyrën shqiptare. E kur shënjon fshatin arbëresh, thuajse thërret në arkeologjinë e kombit tonë!

Kështu që, këto janë pikëpyetje, dhe ne, të gjithë, e dimë se arti i mirë gjithnjë përfundon në pikëpyetje!

Mirëpo, arti fotografik i Spahisë posedon edhe nivelin e tretë të komunikimit dhe si i tillë të lidh me pozat e Ajzenshtajnit, të cilat me mjeshtri i ka analizuar pikërisht semiologu frëng Rolan Barti te teksti Domethënia e tretë.

Nëse dy nivelet e para të komunikimit lidhen ndërmjet tyre qoftë në rrafshin e komunikimit të drejtpërdrejtë, i cili del për ne si “mesazh” (i pari) apo edhe si simbolizëm e si kulturë intertekstuale (i dyti), niveli i tretë i komunikimit është shumë më i errët dhe më i zorshëm për t’u hetuar. Dhe ky është komunikimi i paqartë apo i mjegullt.

Kjo paqartësi apo mjegull semantike mund të konsiderohet  dimensioni më i fuqishëm artistik i fotografisë së Fahredin Spahisë. Ky komunikim është mpirja para ambiguitetit, ku receptimi bëhet i zorshëm dhe komentet e mundshme dalin të jenë ta pavlera dhe lënduese për artin. Kjo është intenca e pazbërthyeshme e artit, i cili komunikon kur nuk do të komunikojë, kur fotografia, në këtë rast, identifikohet me poezinë simboliste, e cila edhe hijen e shndërron në art, por pa dhënë ndonjë mesazh, qoftë ai denotativ apo konotativ.

Kjo është fuqia e fotografisë artistike të Fahredin Spahisë, që me mjegullën e vet semantike të shtyn të qëndrosh për kohë të gjatë pranë saj, duke e kuptuar e duke e moskuptuar njëkohësisht në dimensionin e tretë të komunikimit, i cili nuk është komunikim i zakonshëm!

Prandaj, një autor i fotografisë artistike që posedon shpirtin, aftësinë profesionale dhe pasionin në realizimin e këtyre formave artistike, që jetojnë së paku në këto tri nivele të komunikimit artistik, është unik në sprovën dhe provën e tij artistike, unik në kuadër të modernitetit, por edhe të historisë së fotografisë artistike shqiptare dhe referencë e fuqishme për studiuesit tanë, si dëshmi se fotografia është medium tepër i fuqishëm ku shpirtërorja e artistit lidhet me shpirtëroren e të tjerëve, lidhet me objektet e gjalla dhe të vdekura, për ta krijuar kështu një botë të gjerë polisemantike të komunikimit artistik.

Autori Fahredin Spahija merret profesionalisht me fotografinë artistike. Kjo do të thotë se autori i saj është njeri i ditur. Por, kësaj dije, si dominim e dominancë, gjithnjë i rri në zemër shpirti i gjerë, revoltues e refuzues i autorit. Fahredin Spahija e kupton se arti është dhembje, arti është revoltë e arti është refuzim. Këto tri kategori e prodhojnë dashurinë si universalitet.

Prandaj, fotografia e tij nuk e duron retorikën, nuk e duron thatësinë e pasqyrimit, por vihet vazhdimisht në kërkim të vetmisë së artit, e cila është botë e fuqishme e komunikimit konotativ, për ta dhënë fuqishëm shenjën e autorit në fotografi e për ta bërë fotografinë vepër poetike apo edhe tekst artistik!

Ambienti ynë kulturor është i nderuar me këtë intencë të fuqishme autoriale të Fahredin Spahisë në fotografinë artistike, intencë e cila është dhe do të mbetet monument i kulturës në fushë të fotografisë artistike te ne, por edhe më gjerë.

Nysret Krasniqi, kritik letrar

Ekspozita “Koha e Muzës” në Tiranë, 2003

Portreti, abstraktja dhe portreti abstrakt

Trashëgimia artistike e Kosovës është shumë e vjetër dhe shumë e pasur, sidomos në fushën e arteve vizuele. Tradita artistike e pokturës dhe skulpturës është shumë e njohur në Kosovë dhe ajo, së bashku me traditat artistke vizuele më gjerë në botë, paraqesin një pasuri frymëzimesh për ata artistë, që merren me mediumin e fotografisë.

Kam nderin ta kem njohur Fahredin Spahinë për gati tre vjet. Fahredini është pa dyshim njëri nga artistët më të njohur të fotografisë në Kosovë, por ai renditet në mesin e artistëve më të mirë të këtij lëmi në përmasa botërore. Vepra e tij është e pasur, duke përfshirë një gamë të gjerë zhanresh në fotografi: portrete, peizazhe, përpunime digjitale, abtraksione, fotografi rrugësh, etj.

Por, siç dëshmon edhe ky korpus veprash në këtë ekspozitë, vepra e tij është gjithmonë tranzicionale, duke u rritur e zhvilluar në mënyrë konstante, duke u zgjeruar me tema të reja, e vetëdijshme për të gjitha sfidat vizuele dhe mundësitë që i ofron bota.

Vepra e Fahredinit përdor metodat tradicionale të fotografisë vetëm si pikënisje. Përmes një përdorimi subtil ngjyrës, që respekton tonet natyrore të dheut, derisa sfidon nocionet tona të “korrektësisë”, Fahredini përkufizon paletën me të cilën duhet të merremi, që të mund të fokusohemi në përmbajtjen e imazhit. Ajo përmbajtje është, pa përjashtim, qartësisht e veçuar, e kornizuar në elementet e mileut të vet dhe e organizuar për shikuesin në atë mënyrë që ai ose ajo të mund ta bartin në mendje një kohë të gjatë pasi që imazhi të jetë zhdukur nga pamja. Këto janë elementet kyç të artit të tij dhe ato mundësojnë vizionin e tij unik të të komunikuarit përmes kulturës, pa barriera gjuhësore, në një mënyrë të kuptueshme nga të gjithë, pa marrë parasysh arsimimin, pozitën shoqërore, apo statusin ekonomik. Arti i tij është aty, i vërtetë për të gjithë.

Nga niveli teknik, Fahredini punon me objektiv normal deri te teleobjektivi, dhe rrallë ose fare përdor pamje më të gjerë. Vizioni i tij është ai i veçimit, duke nxjerrë një çikë rendi nga kaosi dhe duke e prezentuar ate në mënyrë të paharrueshme. Në këtë sens, njerëzit shpesh trajtohen si objekte, si pjesëza të vogla të një skene me të gjerë duke e fokusuar vëmendjen e shikuesit në një detaj me peshë.

Eksperimentet e fundit të Fahredinit janë posaçërisht intriguese për mundësitë që ofrojnë. Portretet e tij të shumëfishta, siç thotë ai, paraqesin “shumë çaste në një vend”. Kjo, mbi të gjitha, është mënyra se si ndertojmë kujtesën – shumë kujtime individuale që përmblidhen në një rrëfim të përgjithshëm. Portretet e reja të Fahredinit i mundësojnë atij që “të ndërtojnë kujtesën” dhe jo vetëm që të “shënojnë një çast”. Kjo është e veçantë për shkak të mundësive vizuele dhe potencialit që ofron për komunikim.

Kjo ekspozitë na bart përmes shtjellimit të kësaj idejeje nga Fahredini. Duke ia nisur me portrete, duke kaluar pastaj tek abstraksionet dhe peizazhet dhe duke vazhduar më tej me portretet abstrakte, ne shohim se si nis ai interesimin e tij nga njerëzit, e shtjellon atë me përvojën e vet të peizazhit dhe të skenave urbane për të sajuar një lloj të ri të portretit – dhe pastaj, në fund na befason duke e kthyer prapë të njejtën qasje në natyre. Kjo është shenja e artistit të vërtetë, rritja e tij kurrë nuk ka mbarim dhe bota e tij kurrë nuk pushon së frymëzuari.

E tëra është këtu për ju që të kënaqeni; e tëra është këtu që t’iu sfidojë. Eshtë juaja që ta merrni.

Michael McClellan, fotograf dhe diplomat amerikan

Ekspozita “Koha e Muzës” në Tiranë, 2003

“Njihe vetveten” apo karakteret në fotografi

Ndonëse jetojmë në epokën postindustriale dhe postmoderne, mendimi emblematik i Sokratit për nevojën e njohjes së vetvetes mbetet esencial dhe dje e sot synohet nga shumë fusha dhe teknika, që nga filozofia e deri te fotografia digjitale. Artisti dinamik dhe inteligjent Fahredin Spahija këtë kërkesë filozofike e ka zgjeruar edhe me ambicien që të njohë të tjerët, botën dhe karakteret përmes objektivit të fotoaparatit dhe teknikave digjitale. Spahija si duket me kohë e ka kuptuar maksimën se të fotografosh, do të thotë të jesh i përgjegjshëm. Kam lexuar dikund dhe dikur një mendim që thotë: “Mosfotografimi i fëmijëve, sidomos kur ata janë të mitur, është shprehje e indiferencës prindërore.”

Për artistin Fahredin Spahija fotografia është bërë mekanizëm kryesor i të përjetuarit të përvojave, të krijimit të ndjesisë së të qenët pjesëmarrës në një ngjarje, proces apo dramë personale a shoqërore. Fotografitë e tij deshmojnë praninë, por edhe pseudopraninë apo kujtimin e diçkaje që nuk është më.

Ciklet si Portrete, apo kërkimi i karaktereve në fotografi, mandej Botanika dhe ai i titulluar Kohë e muzës tashmë përfaqësojnë një projekt të madh kulturor, i cili nuk është vetëm art mimetik i fotografisë që i bën ballë kanosjes bombastike të surrealizmit, për të shtënë në dorë ndjeshmërinë moderne, por është edhe një ndërthurje artistike e grafikës, fotografisë dhe pikturës. Ai madje në rrugëtimin e tij kreativ shkon deri te arti konceptual, duke sajuar vetë materiale dhe duke i transformuar objektet jo vetëm në formë por edhe në përmbajtje. Te Spahija aparati, mundësitë teknike digjitale, alternohet suksesshëm me dëshirën për t’iu kthyer edhe së shkuarës më artizanale, figurave e portreteve tipike të nënqiellit tonë të qenësimit dhe kulturës, kur imazhet e përftuara kishin ende cilësinë e diçkaje të bërë me dorë, me shpirt. Janë pikërisht dora dhe shpirti faktorët që e dirigjojnë artistikisht aparatin fotografik të Fahredin Spahisë kah protagonistë dhe siç janë bie fjala ata që flasin me duar dhe kah përdorimi i tri planeve, të parit, të mesmit dhe të tretit, që fotografinë e bëjnë herë figurë abstrakte dhe herë autoportret të realizuar në teknikën e skenerit. Kjo nostalgji për një stad klasik të tematikës dhe aftësia për të përdorur pajisje tejet të fuqishme të fjalës së fundit të teknologjisë, Spahinë e rezulton si artist shumë të veçantë dhe me perspektivë në fushë të fotografisë. Kur sheh fotografitë e tij dhe joshjen që ato i bëjnë njeriut dhe natyrës, atëherë mendon intensivisht: është artisti ai që zgjeron mundësitë e aparatit fotografik, apo është aparati ai përmes të cilit Spahija depërton në fsheftësitë e protagonistëve dhe temave të tij artistike? Kjo është sfida e vërtetë që krijon ekspozita e Fahredin Spahisë për receptuesin e fotografisë së tij dhe kjo sfidë nuk përballohet lehtë. Kur hyn në atë botë të artit të tij, e ke vështirë të dalësh. Nëse ke vendosur të rrish aty, duhet të rrish si vizitor i angazhuar, në kondicion të plotë artistik dhe i përgjegjshëm, i vetëdijshëm se duke njohur artin e tij, njeh edhe vetveten, kapacitetet tuaja artistike.

Kadri Metaj, filozof

Ekspozita “Koha e Muzës” në Tiranë, 2003

Fjala fotografi

Data se kur ka lindur fotografia, nuk na shqetëson më.

Ajo tash e ka tregimin e vet.

Në qoftë se e kuptojmë si kohë, e shohim vendin se ku ishim dje.

Për një të tretën apo të dhjetën e sekondës na tregon se çka ka ndodhur.

Nuk duhet ta them përtej kufirit, as Miss fotografia.

Perpiqem të mos filozofoj shumë e ta shoh botën.

Aty nuk ku asgje më të thjeshtë sesa portreti i një portreti.

Shfaqet si një e dhënë, shërben si identifikim.

Përvetëson një natyrë dhe rikrijon një natyrë.

Gjatë kësaj rruge, për ta nxjerrë një fotografi të mirë, na ndihmon vetmia.

Një fotografi është diçka personale.

Për thirrjet tona është ngjarje e shënuar.

Dëshirojmë ta kuptojme, ta kapim, ta shohim e ta ruajmë.

Kjo lidhje përfaqëson një kohë dhe një kulturë personale, e cila shkon përtej viteve tona.

Sot, fotografia dhe niveli i saj kanë shumë mundësi.

Eksperimenti artistik ka regjistruar nië histori të shkurtër dhe prezentimin e vetvetes.

Për ta mbështetur qytetërimin botëror, edhe fotografia e traditës së fotografisë shqiptare niset në drejtim të dritës dhe të imagjinatës.

Ideja e Marubit, më vonë e Gjon Milit, që fotografoi Pikason si në ajër me dritë, vizatonte autoportretin e vet, shqetësoi shumë krijues.

Duke ndjekur këtë fotografi, edhe Fahredin Spahija gjen të bukurën si qëllim.

Në ekspozitën e shumë përpjekjeve, kontakti me njerëz modelohet në violinë. E violina në portret. E portreti në kronikën e natyrës që shkon një hap më larg.

Kjo rrugë ndërkombëtare, do të thotë njohje dhe pastërti.

Faqja e saj ndoshta dëshiron të jetë një performancë.

Në kërkim të kornizës shpejt e kalon këtë rrugë.

Në një kronikë tjetër fotografisë i digjet faqja romantike.

Shumë kombinime bien në ujë.

Duke kursyer fjalën, u thelluam në fantazi.

Në mes është rrëfimi.

Realiteti që tejkalon realitetin dhe lajmin e gazetës.

Fotografinë bardhe e zi e kemi harruar apo do ta harrojmë.

Për këtë poetikë edhe sot po kujdeset Fahredin Spahija.

Një dite më tha: “Fotografitë bardhë e zi janë shumë më dramatike, ekspresive dhe më të thella.”

Porta e djegur dhe dora që lejon hyrjen brenda takohen si mbijetesë.

Drama e luftës dhe shtepitë pa kulm e pa dritare nuk janë larg.

Për t’u njohur, vazhdon kronika.

Kjo ide duke lenë kopjimin e natyrës, para përkushtimit artistik, e njeh natyrën si ngjarje.

Në kronikën e saj fjala magjike vizaton portretin e vet.

Pse jo!

Lehtë mund të kuptohet.

Fat, do të thotë, gjak.

Për shumëçka del dhe hyn brenda kornizës së artit.

Rexhep Ferri, piktor

Ekspozita “Koha e Muzës” në Prishtinë, 2002

Zbërthim ideor i botës nëpërmjet syrit e mendjes

Eshtë e njohur maksima se vizioni lind nga syri dhe mendja, të cilat punojnë së bashku dhe formojnë një model të shquar. Duke e parë mbi këtë bazë punën artistike të Fahredin Spahisë menjëherë bëjmë pyetjen: çka përputhet me realitetin dhe cilat janë përfytyrimet e autorit që krijojnë vizionet e këtyre veprave fotografike?

Në fotografitë e paraqitura në këtë ekpozitë nuk kemi të bëjmë thjesht me imagjinaren, por as edhe me realitetin e lakuriquar. Përpara na shfaqet një zbërthim ideor i botës nëpërmjet syrit e mendjes.

Artisti ka arritur që nëpërmjet figurave reale të i krijojë ato figura, po i quaj virtuale, të cilat përçojnë he e domethënie, janë vendosur në kompozicione të ndryshme, zbulojnë veçanësi dhe mundësojnë “leximin” e mesazhit.

Autori i qaset mendimit me perceptimin e tij në dy mënyra: duke i dhënë objektit atë nuancë që dëshiron, pra atë përmbajtje që ai “nuk e ka”, por që e kritjon autori, dhe duke u përpjekur që të zbulojë mendimin e tjetrit. Kjo vërehet sidomos te portretet.

Autori e njeh, e pranon, por edhe e “krijon” hapësirën. Vërtetë objektet shtrihen në hapësirë, por vendosja, këndvështrimi e tendenca e mendimit të artistit janë të atilla që krijojnë atë “vizionin” që thamë më lartë, i cili kur i duhet artistit e përmbyll ose e shtrin në pafundësi, pra i zvogëlon ose i zmadhon përmasat e saj. Tridimensionaliteti nuk është vetëm i pranishëm, por edhe i ndërtuar.

Fahredini me shumë intuitë e zhvillon partneritetin sy – mendje. Kur kompozimet në fotografi janë të shumta, deri në abstraksion, artisti i ka rënë atij shtegtimi që të mos krijojë rrallësi vetëm atraktive, por të ndërthurë gjithçka në një strumbullar që përbën këndin e bashkëparaqitjes së emocionit, mendimit, përjetimit artistik, kënaqjes reale. Konceptimi i tyre herë është grafikë, herë anon kah piktura, e herë në shumësinë e tyre serike, jep një spot filmik.

Këto kompozime janë disaformëshe:

– një figurë e përsëritur në forma e kohë të ndryshme të shkrepjes së aparatit, i cili ngërthen një zbërthim psikik të personazhit, ose përçon impulse të tilla te shikuesi edhe kur janë sende të vdekura;

– portreti unik dhe portreti i dyzuar, i pari shpreh plotninë, kur artisti e ka përkryer vetëm me një kapje të figurës, dhe i dyti kur kombinon, që të realizojë pikësynimin, pra nuk e ka gjetur mundësinë e një shkrepjeje të aparatit, por e vendos figurën, zakonisht në tripleks. E kjo, si shembull, mund të shihet te paraqitja e këngëtares soliste, e cila të jepë përqasjen se, ashtu siç nëna lind një fëmijë dhe impenjime, edhe artistja do të krijojë, ta “lindë” zërin;

– vendosja e ndërthurja e objekteve dhe përpunimi i tyre, ndryshe nga realistja e objektivit të drejtpërdrejtë, që kanë thellimin artistik, ku vizioni i brendshëm nxirret jushtë dhe krijohet një abstragim, i cili kërkon të zbërthehet nga spektatori me shikimin e vëmendshëm. Kjo perçon idetë më që vijnë nga një shndërrim i brendshëm intelektual. Si shembull, të vështrojmë ciklin e spërdredhjes së ruskallës (pipit të hardhisë), i cili ngacmon fantazinë e shikuesit, ia prek përfytyrimet dhe në këtë ngacmim jo të qetë, ai fillon të mendojë të qartësojë anën vizive dhe të mendimit, duke e realizuar tërësisht përjetimin artistik në ndërtimin e tij të lire;

– njëfarë reportazhi (ta quaj kështu), i cili e jep kohën në lëvizje, si psh. cikli nga koncerti;

– kompozim i lirë me figura kartoni të hollë e letre “Loja e pakryer”, ku janë ngërthyer imazhe e përfytyrime, ku është dhënë hapësira, e cila lejon pafundshmërinë dhe është krijuar lëvizja, të cilën nuk është hiç vështirë ta shohësh.

Nga disa aspekte mund të thuhet se natyra është “përdhunuar” artistikisht, duke u krijuar imazhe nga fantazia e arstistit, të cilat shmangin ato anë rrethanore të realitetit që nuk i nevojiten autorit ose e pengojnë.

Syri i këtij fotografi e bën njeriun artist, pasi ia zbulon edhe atë plasticitet që ai e ka të vështirë ta shprehë me fytyrë, por edhe ta përshkruajë. Fotografia artistike (edhe e zakonshmja) kërkon përpunimin e hije-dritës, zbulimin dhe kapjen e reflektimeve. Reflekset e dritës janë me mijëra (çka mund të zbulojë syri i njeriut), por Fahredini, si nëpër valët e detit, mëton dhe i gjen ato valë që kanë rrezëllitje me shkumë, duke u kthyer pastaj në hijen që ia jep thellesinë. Kështu është sipërfaqja e lëmuar, e përdorur shumë ndjeshëm, që thotë se njeriu ka hijen e vet jo vetëm të dritës, por edhe të personalitetit. Përdorimi i refleksit si efekt krijon kaleidoskopin provokues të mendimit njerëzor. Kjo ekspozitë shpreh artistin në plotninë e tij të mendjes, të shpirtit e të syrit.

Agim Gjakova, shkrimtar

Ekspozita “Details” në Prishtinë, 2001

Gjuha e detajeve të fotografive që shpjegojnë përjetimin

Fotografitë e Fahredin Spahisë janë manifestim poetik, të cilat i veçon ritmika e përjetimit simbolik. Në to s’ka kohë. Në to s’ka histori dhe, në të njëjtën kohë, ato sjellin edhe periudha edhe histori. Koha gë nuk është kohë dhe historia që nuk është histori në këto fotografi, janë të vendosura në amshimin poetik, jo vetem si emblemë e përjetimeve të përditshme, por më tepër si një shpalim filozofik nga veçimi i detajeve, të cilat rrumbullakësojnë tërësinë e përjetimit të njëmendtë.

Veçantitë e këtyre fotografive nuk improvizohen dhe nuk shabllonizohen. Keto janë meditime filozofike të autorit. Nuk janë vetëm mbrese dhe nuk janë vetëm bukuri artistike. Artin dhe filozofinë autori i përdorë si mjete realizuese të përjetimit universal. Janë shqetësime që shkaktohen nga “bota e vdekur” dhe nga soditja e “botës se gjallë” mbi fenomenet kohore dhe shpirtërore që sjellin këto. Përmbajtja e tyre është e pasur, kurse ritmikën e lëvizjeve e shkaktojnë detajet, të cilat në të vërtetë, sajojnë temën e shqetësimeve jo vetem të autorit.

Mjeshtëria e autorit të këtyre fotografive nuk i përket vetëm zanatit. Al zgjedh temat me një shkothtësi të veçantë të të vërejturit të pazakonshëm. Detajet e fokusuara krijojnë hapësirë filozofiko-poetike të përjetimeve, të cilën njerëzit, qoftë edhe të thjeshtë, i kanë “kaluar” pa i vërejtur dhe, rrjedhimisht, pa i ndier. Mbase të qjithë e kanë parë sa e sa herë, po e zemë, gozhdën e ndryshkur të ngulur në një dru. Askush s’ka menduar me ndleshmëri për metamorfoza të tilla filozofike ligjesh të natyres. Brenda këtyre ligjeve është vënë edhe metamorfoza e njeriut. Një gozhdë e re dhe e paoksiduar, tash ka ndërruar imunitetin, gjithnjë slpas këtyre ligjeve. Eshtë oksiduar Njësoj ka ndodhur edhe me drurin, i cill ishte rritur mbi rrënjët e veta dhe, po nga këto ligje, ishte prerë dhe kishte nisur të kalbej bashkë me gozhdën e ngulur aty.

Përimtësia artistike e paragitjes nepërmjet fotografisë këtë autor e bën të veçantë edhe inspirimi për shkoqitjen e të pavërejturave të përditshme, të cilat ekzistojnë dhe përbëjnë kuptimin filozofik të artit dhe të poezist së tij. Janë fotografi gë lexohen parëndomësisht. Eshtë një gasje gë e demanton preokupimin me çështjet e mëdha të njeriut, i cill duke genë i ngëzëllyer me të madhen, me të plotën, me të lexueshmen e lehtë, kujton se i madh është edhe vetë. Ngazëllimi i tillë është i mashtrueshëm, sepse tëresia e madhe kërkon harresën për detajet. Te ky autor ndodhë e kundërta. Detajet e kanë gjuhën shpjeguese të tërësisë preokupuese e ngritur në piedestalin e figurës dhe të simbolit artistik dhe, pikërisht për këtë, fotogrofitë ngërthejnë detajin piktural të artit.

Gjuha e këtyre detajeve nxit emocionin e përjetimit të njëmendtë, veçmas kur fotografia e tillë e detajeve nuk është praktikuar në mjedisin tonë. Ajo dallon edhe për nga diferencimi jo vetëm i koloritit dhe jo vetëm i temës, por edhe për shkak të shquarjes se detajit nga tërësia e temës së “madhe”. Këto dy elemente, të shquarjes së detajit nga tërësia, ndërtojnë idenë e pazakonshme dhe krijojnë natyrën filozofike të përceptimit kolektiv të fenomeneve të trojtuara. Hijet, te ky outor, sigurojnë ekzistimin e dritës dhe jo si te shumë autorë të tjerë kur drita shquan hijet. Ambientin artistik të temës e mbush elementi i detajit që mbizotëron mbi ambientin e zakonshëm dhe të njohur krejtësisht.

Mbizotërimi i tillë nuk është mbytës i atmosferës, por as i kohës. Ato bashkjetojnë në harmoni të mrekullueshme. Duke i parë këto fotografi dhe duke i lexuar ato duket sikur fillon të trazohet edhe heshtja e ambientit, ose dhe vdekja e tij. Gjërat ambientale, që duken sikur i ka pllakosur heshtja, harrimi, maspërfillja dhe zvetnimi, vihen në levizje harmonike dhe si të tilla ato paracaktojnë kohët dhe periudhat e transformimit dhe të perspektivës. Mendimi dhe hijet kooperojnë brenda temës, duke shtresuar shqetësimet e personazheve dhe duke paracaktuar fizionominë aktuale të qenies dhe të bashkëkzistencës së “botës së vdekur”, të “botës së gjallë”, të dritës dhe të hijeve, të djeshmës dhe të sotmes së këtyre raporteve.

Fahredin Spahija me këto fotografi sjell përvojën e tij preokupuese të artit që dallon. Frymëzimet e tij janë moralisht shumë të fuqishme. Origjinaliteti i punës së tij krijuese nëpërmjet detajizimit të ambientit autokton krijon amshueshmërinë e gjësendeve që na methojnë, që na rrethojnë, që na ndihmojnë, por të cilat në jetën tonë të përditshme as na shkon mendja t’i vërejmë. Kompozicionet e tilla artistike të detajit që shihet, por që nuk vërehet, që edhe kur vërehet nuk përjetohet, kanë një rëndësi të veçantë artistike, filozofike dhe poetike Me këto fotografi ky autor ka bërë që të krijohen raporte hamonike ndërmjet të qenmës dhe të paqenmës, ndërmjet fjalës dhe britmës, ndërmjet heshtjes dhe mendimit. Secila nga këto e ka gjuhën e vet dhe secila nga këto jep shpjegimin e vet për të rëndësishmet dhe më pak të rendesishmet e aktualës dhe të përshtypjeve shqetësuese që vijnë nga e djeshmja.

Kjo punë e mirëfilltë artistike dhe poetiko-filozofike e këtij autori shkarkon njeriun nga hidhërimet e përditshme, sepse i bën të njohura motivet dhe burimet shkaktuese të pezmit. Duke i njohur, këto motive dhe burime hidhërimesh zëvëndësohen me shijimin e përmbajtjeve të shfaqura pozitive, të cilat krijojnë tek njeriu sigurinë e përjetimit artistik të këtyre veprave dhe të tjerave, të shkëputura fare nga romantizmi dhe mburrjet e deritashme folklorike të artit.

Sylejman ALIU, shkrimtar

OLYMPUS DIGITAL CAMERA

OLYMPUS DIGITAL CAMERA

OLYMPUS DIGITAL CAMERA

OLYMPUS DIGITAL CAMERA

OLYMPUS DIGITAL CAMERA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here