Lirika me bojëra vaji në muslin të Gjithnajës

Lirika me bojëra vaji në muslin të Gjithnajës

594
0
SHARE

Ajo erandje e pas-shiut, e tokës së çarë
që më tretet deri në palcë e më pas
më ngrit deri te retë e bardha ku vëzhgoj
vetat tona lakuriqe mes dy pikave
ylberi që zbraz gjithë shtatë ngjyra
e bari i njomë bojësmeraldi rrëshqet
deri poshtë lumit grugullues që bartë
shpirtrat e të tejmoçmëve të mbytur
nga Rusalkat, ato shpirtra të përhumbur
në këtë botë kalimtare.

Ja tani dikush thërret nga largësia
e nuk është jehona që kalon mes
kanioneve të bardhë-hirta të trurit dhe
gëzohem se si ne gjithë atë arritëm
ta ruajmë që nëpër shekuj dhe miliarda raste të “gati-shfarosjes” së përgjithshme
vuajtje të tilla gërshetë sikur shtresat
e lavës vulkanike që ndër shekuj
pamëshirëshëm krahas të thatës edhe
të jeshiltën digjte dhe në blozë
shndërronte ato algoritme tona
biokimike që na ndërtuan në njerëzi

dhe në një pikë na bënë, që si perla në
pe mëndafshi të kolonisë njerëzore
ndër qenie të përndritura vërtiteshim
dhe derisa vërtiteshin pothuaj pakokë në mes-Botë dhe Asgjëkundi, njëkohësisht bashkuar me kohën dhe hapësirën ku
nefriti dhe bimësia bashkëdyzojnë
qenien dhe ngjyrën edhe urinë dhe etjen
dhe dehjen e esullinë edhe ne edhe ju
dhe na ofrojnë të pa-thënën në tabaka të Gjithësisë
dhe dëgjo tingullin dhe jehonën
e fjollave që godasin dheun e ngrirë
e fund tij rrjedh në vrrushkuj flaka blu
e Dashirisë.

@FahredinShehu

LEAVE A REPLY