Nis në Rahovec Festivali Ndërkombëtar i Poezisë

Nis në Rahovec Festivali Ndërkombëtar i Poezisë

1790
0
SHARE

Këtë fillim shtator, në qytetin e Rahovecit do mblidhen shkrimtarë, poetë e dashamirë të fjalës së shkruar. Atje, me iniciativë të poetit Fahredin Shehu, po organizohet për herë të dytë Festivali Ndërkombëtar i Poezisë.

Festivali do të hapet pasditen e 2 shtatorit në Shtëpinë e Kulturës “Mensur Zyberaj”, në Rahovec, me ceremoninë solemne që do të nisë në orën 16:00, ndërsa më 3 shtator në Parkun e Qytetit, do të mbahet maratona poetike, e cila fillon në orën 20:00.

Organizatori i festivalit, Fahredin Shehu, konfirmon për Gazetën Zëri se përgatitjet po finalizohen dhe gjithçka është gati për nisjen e festivalit.

“Organizimi është në nivel. Mysafirët e parë vetëm tashmë kanë mbërritur nga Zvicra, Gjermania, Japonia, Australia e Estonia”, tregon Shehu.

Sipas Fahredin Shehut, ky qytet do të jetë pikë reference për shumë poetë të përzgjedhur të klasit botëror, përfaqësues më të spikatur të vendit të tyre të origjinës. Ai thotë se mysafir special i këtij festivali sivjet është shkrimtari norvegjez Knut Odegard.

Lista e pjesëmarrësve përfshinë poetë nga një hapësirë gjeografike e gjerë që nga vendet e Evropës si Gjermania, Zvicra, Belgjika, Britania e Madhe e Norvegjia e deri te Turqia, Japonia e Australia e largët. Nga Kosova pjesëmarrjen e kanë konfirmuar Besa Hoxha Beqiri, Sali Bashota dhe Donika Dabishevci, ndërsa nga Shqipëria, Olimbi Velaj.

Në ceremoninë hapëse do të këndojnë rok-grupi i mirënjohur kosovar “Jericho” do të prezantohen poetët Les Wicks nga Australia, Knut Odegrad nga Norvegjia, Keijiro Suga nga Japonia, Rolf Doppenberg nga Gjermania, Fiona Sampson nga Britania e Madhe, Moaen Shalabia nga Izraeli, Juri Talvet nga Estonia, Olimbi Velaj nga Shqipëria dhe Heike Fiedler nga Zvicra.

Edhe dita e dytë e festivalit është e ngjeshur me aktivitet. Më 3 shtator në Rahovec do të promovohet libri  i shkrimtarit norvegjez Knut Odegrad, do të prezantohen librat e Valbona Jakovës dhe ndër të tjera do të promovohet edhe opusi letrar i shkrimtarit Agim Vinca.

Në ditën e tretë të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë Gustav Muri, Donika Dabishevci dhe Sali Bashota do të diskutojnë për rolin e poezisë në shoqëri dhe në fund të festivalit do të jepet edhe çmimi “Rrushi i artë”.

Festivali Ndërkombëtar i Poezisë në Rahovec mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës dhe disa sponsorë të tjerë.

LEAVE A REPLY