Home Portali Filozofi Proverba Arabe- Përkthimi nga Mulaim Shehu

Proverba Arabe- Përkthimi nga Mulaim Shehu

3386
0

Një tufë proverbash arabe
Shkruan:Mulaim Shehu
mulaimi

P a r a t h ë n i e

Falënderojmë vetëm Allahun, i Cili mësoi njeriun të shkruajë me penë, pastaj ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte, si dhe Ai dhuron urtësin atij që do, e kujt i është dhënë urtësia, atij tanimë i është dhuruar mirësia e madhe, e këtë nuk e kuptojnë përveç të urtit.
Paqja dhe shpëtimi qoftë mbi të gjithë pejgamberët pa dallim si Ibrahimi, Musai, Isai, Muhammedi dhe të urtit, të cilët na ngulitën fuqishëm fjalën e urtë në zemrat tona, si një shkëndijë, e cila ndriçon rrugët tona për në qëllim të caktuar.
Qytetërimi dhe kultura nuk përbëhen vetëm nga ndërtimet dhe sendet e krijuara, por ato përbëhen edhe nga proverbat,[1] meqë ato janë një pasqyrë e pastër e qytetërimit të popullit. Çdokush në jetën e përditshme e ndien nevojën e proverbit, siç thotë një proverb arab: “Më e mira fjalë (bisedë) është e shkurtër e lartësuar dhe me përmbajtje të pasur, e që s’është e mërzitshme”. (shih proverbin arab 56).
Kështu, proverbat janë lulja e mendimit dhe e gjykimit popullor si dhe thelb praktik, teorik, filozofik, estetik dhe moral i veprimtarisë së popujve gjatë gjithë historisë. Proverbat në thelb synojnë të përgatisin njeriun për jetën, ta mësojnë e ta udhëheqin atë në punë, në sjellje, në veprimtari, në përpjekjet e veta si qytetar dhe pjesëtar i një kolektivi apo i një shoqërie të caktuar.
Ato paraqiten kështu edhe si mesazhe, ku secili proverb e ka gjithmon synimin moral si dhe edukimin e brezit. Prandaj, proverbat gëzojnë një respekt dhe autoritet të madh tek njerëzimi. Mund të thuhet se nuk ka pore të jetës së njeriut, nuk ka qoshe të mendimit e të psikologjisë së tij, ku të mos ketë depërtuar drita e fuqishme e syrit të mprehtë dhe e mençurisë së proverbit.
Në shumë raste proverbi del me formën e krijimeve në prozë. Gjuha e proverbave arabë është shumë e afërt me gjuhen e folur, por sigurisht jo identike, se në fund të fundit, ajo disi organizohet artistikisht. Ka raste kur tek proverbat kemi edhe rimën poetike. Sa për ilustrim, do të sjellim disa proverba arabë të cilët janë në rimë:
“Ene emir ve ente emir, ve men jesuku-l-hamir”? (shih proverbin arab 1),
“Ekeltum temri, ve asejtum emri !” (shih proverbin arab 23),
“Belau-l-insani, minel-lisani.” (shih proverbin arab 31),
“Ish Rexheben, tera axheben.” (shih proverbin arab 83).
Kjo prirje lidhet me dëshirën për të rritur forcën shprehëse të proverbit duke shfrytëzuar epërsitë e njohura të gjuhës poetike. Sidoqoftë, fakti që proverbat përdoren kryesisht gjatë bisedës së lirë, bën që ato edhe kur janë ndërtuar si poezi, të mos u qëndrojnë në mënyrë strikte rregullave të vjershërimit.
Shumë popuj i kushtuan rëndësi të madhe përmbledhjeve të proverbave, por sigurisht nismëtarë të parë të kësaj fushe qenë egjiptianët e lashtë, pikërisht 2500 vjet para lindjes së Isait, a.s. Por, ndër më të njohurit në këtë aspekt ishte Llukman (el) Hakimi (a.s.), meqë edhe vetë fjala “hakim” do të thotë njeri i urtë, i mençur.
Kështu, ai ka lënë një thesar të madh të fjalëve të urta.
Po ashtu edhe arabët, sipas traditës së pasur të mençurisë dhe thesareve të mrekullueshme të elokuencës, e në veçanti të poezisë i kushtuan rëndësi të madhe përmbledhjeve të proverbave. Madje, tek ata lindi edhe proverbi: “Ahkamu min Llukman” d.m.th. “Më i urtë se Llukmani.”
Prandaj, u shkruan me qindra libra, me tituj “Kitabul-emthal”[2] (Libër proverbash), apo “Kitabu emthalil-arab” (Libër proverbash arabe), por disa prej tyre, nuk e panë dritën në Lindje, ndërsa disa syresh, u vodhen dhe u botuan të përvetësuara në Perëndim.
Për përpilimin e kësaj vepre modeste, jam shërbyer me literaturë klasike dhe bashkëkohore të cilat paraqesin një trashëgim dhe thesar të mrekullushëm në Botën arabe.
Gjatë përpilimit të kësaj vepre kam konkluduar se këto proverba arabe mund t’i klasifikojmë në:

1) Proverbi ynë (shqiptar) i cili ka depërtuar në Boten arabe:

a) Djali i cili nuk qan, nuk i jep nëna gji. (shih proverbin arab 211) ; Po nuk qan fëmija, nuk i jep nëna gji. (proverb shqiptar).

2) Proverbi arab, i cili ka depërtuar në Botën shqiptare:

a) Mos u impononi fëmijëve tuaj edukatën e juaj, meqë ata janë krijuar për një kohë tjetër nga koha juaj. (shih p.a. 136); “Mësojini, kanë thënë të urtit, fëmijët tuaj të dinë më shumë se ju, se ata janë për një kohë më tej se koha juaj”. (Naim Frashëri).

b) Më e mira fjalë (bisedë) është e shkurtër, e lartësuar dhe më përmbajtje të pasur, e që s’është e mërzitshme. (shih p.a. 56); Më e bukura fjalë është e thjeshtë dhe e shkurtër, është fjalë që kuptohet me lehtësi dhe që ka kuptim të thellë dhe të hollë. (Sami Frashëri).

3) Proverb i ngjashëm edhe me shprehje arabe:

a) Fil-harakat berekat. “Në lëvizje ka bereqet”. (shih p.a. 100); Bëhu eraqet, të kesh bereqet. (proverb shqiptar).

4) Proverb i ngjashëm:

a) Qëlloi dy zogj me një gur. (shih p.a. 77); Me një gur vret dy zogj. (proverb shqiptar).

b) Litari i gënjeshtrës është i shkurtër.(shih p.a. 50); Gënjeshtra i ka këmbët e shkurta. (proverb shqiptar).

c) Miqësia e rreme është më sherr sesa armiqësia e zbuluar. (shih proverbin arab 76); Më mirë të kesh armikun zbuluar, se sa mikun mbuluar. (proverb shqiptar).

5) Proverb i ngjashëm plotësisht:

a) Rri shtrembër, nëse dëshiron, por fol drejt. (shih proverbin arab 16); Të rrimë shtrembër e të flasim drejt. (proverb shqiptar).

b) Një vezë sot është më mirë se një pulë nesër. (shih proverbin arab 34); Më mirë një vezë sot, se një pul mot. (proverb shqiptar).

c) Një derhem profilaksi, është më mirë se një kuintal ilaç. (shih proverbin arab 59); Një gram kujdes vlenë më shumë se një kuintal ilaç.(proverb shqiptar).

6) Proverb i ngjashëm për nga kuptimi:

a) Nxirr ferrën me dorën tënde. (shih proverbin arab 24) ; Asnjë s’të kruan si dora jote. (proverb shqiptar).

b) Njeriu mendon, Zoti përcakton. (shih proverbin arab 27); Ndryshe mat i zoti, ndryshe ndanë Zoti. (proverb shqiptar).

c) Gjeli i mirë, që kur del nga veza, këndon. (shih proverbin arab 60). Dita e mirë duket që në mëngjes. (proverb shqiptar).

7) Proverb i varianteve:

Shoqërohuni si vëllëzer, dhe bëni logarinë si jabanxhinj. (proverb arab 35); Shoqërohuni si vëllezër, e bashkëveproni si njerëzimi. (proverb arab 36); Shoqërohuni si të përzemërt, e bashkëveproni si të huaj. (proverb arab 37).
Në këtë vepër janë përfshirë gjthsejt 217 proverba arabe. Për shkak të vështirësisë për të përcaktuar fjalën kryesore, atë që mbanë peshën në proverb, klasifikimi i tyre është bërë sipas kuptimit. Por ndonjëherë është bërë edhe sipas klasifikimit lematotetik. Për këtë, shih në fund përmbajtjen.
Me gjithë përpjekjet e mia të sinqerta, “Veprat janë sipas qëllimeve”, që të bëj këtë përmbledhje proverbash arabe sa më të përshtatshme dhe sa ma të kapshme, duhet të pranoj se nuk më ka shkuar gjithmonë për dore përkthimi, përshtatja, krahasimi apo përzgjedhja, aq ma parë, kur dihet se letërsia arabe është shumë e pasur.
Prandaj, kjo përmbledhje proverbash arabe, e parë e kësaj natyre, nuk ka se si të jetë as e plotë dhe as përfundimtare. Pikërisht për këtë, do të pres(im) me dashamirësi çdo vërejtje, e sidomos çdo shtesë tjetër, të verifikuar me përpikëri që do të shërbente për të përmirësuar botimet e ardhshme.
Qëllimi im ka qenë dhe mbetet, që me një vepër modeste të këtillë, të jap një ndihmesë sado e thjeshtë për lëxuesit tanë. Sa ia kam qëlluar s’kam se çka them, por le të flasë vepra vetë!
Në fund, u shprehi mirënjohjen time të gjithë atyre që më sugjeruan, apo në çfarëdo mënyre më ndihmuan që Një tufë proverbash arabe, të jetë sa më cilësore dhe të dalë në dritë.
Jam i gatshëm të pranoj çdo sugjerim, kritikë a qortim dhe “Le ta mëshirojë Zoti atë njeri që gabimet e mia m’i fal”. (Umer bin el-Hattabi r.a.)
Por nëse ka ndonjë kompliment atëherë, “O Zoti im, më bën edhe më të mirë sesa që ata thonë për mua, dhe mi fal gabimet e mia, për të cilat ata nuk i dinë.” (Ebu Beker es-Siddiku r.a.) Amin!

– 1أنَا أَمِير وَ أَنْتَ أمِير وَمَنْ يَسُوقُ الحَمِير!

Përkthimi:
Proverbi:
Unë princ e ti princ, po gomëreve kush u grah!
Ene emir ve ente emir ve men jesukul-hamir!

Shpjegimi:

Nga ky proverb arab kuptojmë se secili duhet të bëj atë që i takon dhe të mos ia hedhin punën njeri-tjetrit. Prandaj po të mos bëj secili punën e vet, nuk i dilet mbanë. Kështu që po të japim të gjithë urdhra nuk bëhet asnjë punë.

Ky proverb arab është i ngjashëm me proverbin tonë:
– Ti zot, unë zot, po gomarin kush e kullot!
– Ku ka shumë të parë, puna s′ecën mbarë.
– Dy zot shtëpie nuk bëhen.

– 2أَوْضَحُ مِنْ نَهَارٍ .

Përkthimi:
Proverbi:
Më e qartë se dita.
Evdahu min neharin.
Shpjegimi:

Gjërat që janë të qarta (të kuptueshme) nuk kanë nevojë për shpjegim. Diçka që duket a njihet nuk ka nevojë për shpjegime të mëtejshme, meqë është fare e qartë e nuk ka nevojë për ndonjë provë a dëshmi.
Ky proverb arab është i ngjashëm përafërsisht me proverbin tonë:

– Si drita e diellit.
– Fshati që duket s’do kallauz.

– 3إِذَا حَضَرَ الماَءُُ بَطُلَ التَّيَمُّمُ .
Përkthimi:
Proverbi:
Kur vjen uji, atëherë s’vlen tejemmumi.
Idha hadara el-màu batale et-tejemmum.
Shpjegimi:
Ky proverb arab jep të kuptojmë se kur paraqitet një çështje parësore, atëherë s’ka nevojë për ndonjë çështje dytësore.
Ky proverb arab është i ngjashëm për nga kuptimi me proverbin tonë:
– Kur bie shi, atëherë s’ka nevojë për breshër.
(Shkëputje nga Libri: Melaim Shehu, Një tufë proverbash arabe, SHB Zëri Islam, Prizren, 2007)
——————————————————————————–
[1] Termin proverb e përdorim me po atë kuptim që ka tek ne emërtimi fjalë e urtë.
[2]) Emthal është shumës i methel në gjuhën arabe që i përgjigjet termit proverbe në gjuhën françeze, proverb në gjuhën angleze, sprichwort në gjuhën gjermane, poslovca në gjuhën boshnjake si dhe tek ne proverb. Prandaj, vepra e Sami bej Frashërit, e botuar më 1878, me titullin “Emsal” gabimisht është përkthyer titulli i saj me (Fjalë të urta).

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here