TË KESH DIKË

TË KESH DIKË

645
0
SHARE

(TË KESH DIKË, ANTOLOGJI E PROZËS SË SHKURTËR E SHKRIMTARËVE SHQIPTARË  NË MALIN E ZI; CEKUM, PODGORICË, 2022. )

Shfaqja e antologjisë së parë të prozës nga shkrimtarët që shkruajnë në gjuhën shqipe dhe me origjinë nga Mali i Zi është një ngjarje kulturore e klasit të parë. Gjatë hartimit të antologjisë përdoren kritere të ndryshme: përzgjedhja sipas temave të caktuara, sipas periudhave letrare-historike, gjinive dhe llojeve letrare etj. Por, pavarësisht nga të gjitha kriteret, ato i lidh detyrimisht një fije – dhe ky është kriteri estetik. Prandaj libra të tillë i përkasin atyre që lexohen me kënaqësi.

Kjo antologji, krahas dimensionit estetik të nënkuptuar, në qendër të saj mbledh prozën. Këtë herë shkrimtarët, pra veprat e tyre, vendosen në një mjedis të ri estetik dhe jetësor të krijuar sipas shijes dhe zgjedhjes së autorit të antologjisë. Veprat tani jetojnë jetën e tyre të re në oborrin e përbashkët letrar – të ndara nga e gjithë krijimtaria e një shkrimtari. Prandaj çdo prozë e vetme në mjedisin e ri estetik lufton të “shkëlqejë” në një dritë edhe më të mirë, sepse krijuesi i saj nuk e ka krijuar fillimisht për korniza të tilla.

Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave në Mal të Zi me këtë botim dhe përkthim të prozës nga shqipja në gjuhën malazeze i ka afruar veprat e këtyre shkrimtarëve një publiku më të gjerë, për të cilët barriera gjuhësore ishte pengesë për njohjen e krijimtarisë letrare të këtyre shkrimtarëve. Nëpërmjet këtyre shkrimtarëve përfaqësues dhe veprave të tyre në prozë, lexuesit do të kenë një pamje të mirë dhe një dëshirë të zgjuar për të kërkuar shkrimtarë të tjerë dhe për të lexuar të gjitha veprat e tyre. Ky është një nga qëllimet e antologjive, sidomos të atyre që botohen në dy gjuhë. Ky libër është një shembull i praktikës së mirë botuese për një kuptim të shkëlqyer të kulturave dhe mundësive letrare të popujve me gjuhë të ndryshme.

Në antologji paraqiten shkrimtarë – prozatorë, të cilët kanë lindur në Mal të Zi, që krijojnë këtu ose, nga ana tjetër, e kanë filluar dhe e kanë vazhduar punën e tyre letrare në disa mjedise të reja. Natyrisht, në Malin e Zi janë tri zona dominuese nga e kanë origjinën këta shkrimtarë: rajoni Plavë-Guci, rajoni i Ulqin-Tivarit dhe Malësia. Vendlindja është e dukshme në veprat e tyre: edhe sipas motiveve, edhe sipas leksikut. Përfaqësimi në antologji përbëhet nga: Rexhep Qosja, Mehmet Kraja, Zuvdija Hoxhiq, Asllan Bisha, Fran Camaj, Anton Gojçaj, Jaho Kollari, Mark Pashku Lucgjonaj, Hajro Ulqinaku, Ibrahim Berjashi, Muzafer Çaushi.

Antologjia, falë botuesit, tani përfaqëson një entitet të ri të përbashkët estetik, ndërsa prozat individuale tregojnë për letërsinë që, për fat të keq, nuk e njohim dhe nuk e studiojmë sa duhet për shkak të pengesave gjuhësore. Dhe ky libër, pa dyshim, tregon se përkthimi, së bashku me krijimtarinë letrare e artistike, përfaqëson një nga simptomat më të rëndësishme kulturore të gjendjes shpirtërore të një kombi. Prandaj çdo hapje kulturore është një sipërmarrje e botuesit. Ky libër hap sfida të reja për përkthimet e veprave të shkrimtarëve shqiptarë në gjuhën malazeze dhe në këtë mënyrë mundësinë e një vështrimi më të plotë të veprave letrare të këtyre autorëve.

Në këtë libër prezantohen shkrimtarët që kanë shkruar në 60 vitet e fundit, prandaj ai është një tablo dhe një tregues i mirë i krijimtarisë së autorëve që shkruajnë në gjuhën shqipe. Autorët e përfaqësuar janë anëtarë të brezave të ndryshëm, shkollave të ndryshme letrare dhe poetike. Veprat e tyre lidhen me hapësira dhe me mjedise kohore të ndryshme: nga kohërat dhe shoqëritë e kaluara që po zhduken deri te fatet e njerëzve bashkëkohorë. Situatat komplekse narrative në prozën e këtyre shkrimtarëve dëshmojnë, me një fjalor dhe stil të pasur, se këta shkrimtarë janë përfaqësues të vërtetë të një kulture. Mes këtyre autorëve ka edhe nga ata që nuk janë prozatorë të “pastër”, por kanë edhe arritje të rëndësishme poetike në krijimtarinë e tyre, gjë që duket në prozën e tyre. Tregimet e pavarura ose fragmentet nga romanet në këtë antologji na çojnë në përfundimin se është hapur një qiell i ri letrar që është mbi ne, me ne dhe brenda nesh.

Me këtë libër letërsia përmbushi funksionin e saj estetik dhe gjuha u bë një urë lidhëse e fuqishme midis dy kulturave.

 Prof. dr. Drashko Doshlak

LEAVE A REPLY