Home Ballina TRANSHUMANIZMI, RELIGJION  PA ZBULESË

TRANSHUMANIZMI, RELIGJION  PA ZBULESË

1531
0

Metin Izeti

Transhumanizmi është një rrymë mendimi , lëvizje intelektuale dhe kulturore ndërkombëtare me një qëllim për të transformuar rrënjësisht situatën njerëzore duke zhvilluar dhe zgjeruar teknologjitë në dispozicion për të rritur në masë më të madhe inteligjencën, fuqinë dhe qëndrueshmërinë fizike dhe kapacitetin psikologjik të njeriut.

Mendimet transhumaniste paraqiten për herë të parë nga  gjenetisti britanik J. B. S. Haldane në esenë e tij en:”Daedalus: Science and the Future” qysh në vitin 1923, që më vonë të sistematizohen nga biologu Julian Huxley, i cili konsiderohet si themeluesi i transhumanizmit, pasi ai e ka përdorur këtë termnë një artikull të shkruar në vitin 1957.

Por pika që na bën kureshtar në lidhje me transhumanizmin është çështja e debatit nëse transhumanizmi është një degë e posthumanizmit dhe se si kjo lëvizje filozofike duhet të konceptohet në lidhje me transhumanizmin. Për rrjedhojë, parashtrohet edhe pyetja se a është transhumanizmi aspekti vendimtar në mendimin filozofik dhe artistik të shekullit 21? Disa janë të mendimit se transhumanizmi tashmë e ka zëvendësuar postmodernën dhe njerëzimi nuk ka rrugë tjetër të zhvillimit përveç tij.

Në fazën aktuale të zhvillimit të të menduarit, përkufizimi konvencional i transhumanizmit sillet rreth binomit teknikë-njeri. Shkurtimisht, transhumanizmi është një lëvizje filozofike, sociale, ndërkombëtare, shkencore dhe madje ekonomike që promovon përmirësimin fiziologjik, mendor, emocional, njohës, gjenetik të njeriut me anë të arritjeve moderne shkencore dhe teknike. Sipas ithtarëve të transhumanizmit (p.sh. Max More, James Hughes, Nick Bostrom, Ray Kurzweil, Kevin Warwick, Donna Haraway, etj.), përmirësimi nuk duhet kuptuar vetëm si përmirësim i kushteve të jetesës në Tokë, por si përpjekje, me synim ndryshimin dhe përmirësimin, duke filluar nga trupi i njeriut i cili konsiderohet me të meta dhe plot defekte poshtëruese, të cilat duhet hequr qafe. Këtu cenueshmëria konstituive njerëzore shihet nga një këndvështrim negativ. Prandaj, ne duhet ta heqim qafe atë me çdo kusht, në mënyrë që të arrijmë jo vetëm një gjendje jetëgjatësie në Tokë, por – nëse është e mundur, pavdekësi.

Nga kjo është e qartë se kjo lëvizje nuk është vetëm e rëndësishme për fenë, por edhe sfiduese, sepse vë në pikëpyetje të gjitha bazat tradicionale, filozofike dhe teologjike mbi të cilat mbështetet jo vetëm shoqëria njerëzore, por edhe lloji njerëzor. Dhe zhvillimi eksponencial i teknologjive moderne thjesht na detyron të pyesim veten për të ardhmen e specieve tona, për gjendjen e re të shpallur të super-, trans-, meta- ose post-njerëzores, por edhe nëse vërtet duam të heqim dorë nga ajo që ne jemi tani në mënyrë që të bëhemi diçka “më shumë”. Prandaj, çështjet teknologjike dhe filozofike ndërthuren këtu, në atë që ne duam të përdorim teknologjinë për të “zhvlerësuar” parimet filozofike nga të cilat njeriu realisht nuk mund të heqë dorë, si p.sh. çështja e kuptimit të jetës në përgjithësi, por edhe çështja e kuptimit të jetës teknokratike në veçanti. Transhumanizmi na rikthen pra te pyetjet themelore që njerëzimi ka pasur gjithmonë, por dëshiron të shkojë përtej tyre, pra t’i zgjidhë me ndihmën e teknologjisë. Megjithatë, ai harron se njeriu nuk mund të zgjidhë dimensionet enigmatike të jetës së tij duke përdorur shpikjet e duarve dhe mendjes së tij. Shpëtimi duhet kërkuar në diçka jashtë vetvetes, dmth. që e kapërcen atë.

Jean-François Lyotard shpiku termin aktual “postmoderna”, nën të cilin ai dëshiron të nxjerrë në pah gjendjen kulturore në shoqëritë post-industriale dhe IT të qytetërimit perëndimor në shekullin e 20-të. Nuk bëhet fjalë për një largim në mënyrë të rreptë nga moderniteti, por për një këputje me vetëdije për të menduar për modernitetin nga një këndvështrim tjetër. Fokusi nuk është më në mënyrat tradicionale të rritjes dhe edukimit të një personi, por tek teknologjia, e cila luan një rol pothuajse kyç dhe hyn në sferën e kulturës, fesë dhe eskatologjisë, duke u përpjekur t’u përgjigjet pyetjeve të lashta ekzistenciale. Prandaj, bëhet fjalë për një gjendje shpirtërore “të re”, jo për një ndryshim të periudhës.

Dimensioni informatik i postmodernitetit është rrjedhojë logjike e të folurit për gjendjen posthumane sepse, sipas transhumanizmit, informatika së bashku me degët e tjera shkencore dhe teknike (nanoteknologji, bioteknologji, shkenca konjitive), na çon në atë gjendje. Në këtë është  ndërlidhja e gjendjes postmoderne dhe posthumane, me gjendjen transhumane që është edhe më radikale sepse dëshiron të heqë qafe gjithçka që është njerëzore. Transhumanizmi është kalimi drejt asaj gjendjeje dhe posthumanizmi me të duhet ta realizojë mbinjeriun. Nëse nisemi nga kjo, atëherë mendoj se jemi duke u zhytur në një tjetër utopizëm shkatërrues. Transhumanizmi nuk është vetëm shkatërrues sepse jep shpresë të rreme, por edhe sepse niset nga supozime të gabuara. Domethënë heqja dorë nga shpirti, fryma, pra jomaterialja dhe e mbinatyrshmja, e kjo çon në vetëshkatërrim, pra dehumanizimin e plotë të njeriut.

Duhet theksuar edhe faktin se transhumanizmi është plural, pra një lëvizje me vizione të shumëfishta. Mund të jetë monolit nëse qëndrojmë vetëm në kuadrin e deklaratave të cilave u përmbahen të gjithë transhumanistët, por megjithatë zbatimi është i larmishëm. Tek disa transhumanistë, gjithçka mbetet vetëm në nivelin e mendimit. Ajo që është ende simptomatike është se transhumanizmi është një luftë për pavdekësinë tokësore, por marrëdhënia me “hyjninë” është transferuar në makina deri në atë masë që inteligjenca artificiale bëhet një shenjë hyjnore për shumë njerëz. Bëhet fjalë për shekullarizimin dhe “shenjtërimin” e përmbajtjeve të lashta shpirtërore që formësuan dhe vazhdojnë të formësojnë jetën. Për më tepër, kjo na fut në një mjedis të njëfarë ankthi të brendshëm dhe ndjenjës së humbjes, më drejtë, dëshpërimit. Dhe arsyeja qëndron në faktin se ne kemi përparuar aq shumë sa nuk e dimë më se ku po shkojmë me veten.

Duke u ndjerë i fuqizuar, njeriu shpesh ka një zgjedhje midis tre gjërave. Njëra prej tyre është ndjenja e plotfuqisë dhe lozja e rolit të zotit dhe sundimi i të tjerëve, e dyta është shpikja e mjeteve të transmetimit të fuqisë, në këtë rast teknologjia, inteligjenca artificiale etj., dhe e treta është qëndrimi i përulësisë dhe shërbimit. Sot, në një shoqëri teknike dhe mentalitet teknokratik, duket se nuk ia vlen të jesh i përkushtuar. Kjo periudhë, kryesisht e lufton përkushtimin ndaj Zotit dhe përpiqet të vendosë njeriun në vendin e tij.  Ndërsa nga ana tjetër është fakt se  nevoja për shpirtëroren ende ekziston, por ajo “ridrejtohet” apo shtrembërohet.

Në shqyrtimin kritik të transhumanizmit, duhet pasur kujdes dhe të mos biem në një gjendje homogjenizimi të të gjithë përkrahësve të kësaj lëvizjeje. Siç e thash më lartë, ka tendenca të ndryshme në këtë lëvizje. Megjithatë, nëse vëzhgojmë përpjekjen për të teknologjizuar lindjen njerëzore, me të cilën tashmë mund të zgjedhim disa karakteristika të fëmijës së ardhshëm deri në zgjedhjen e gjinisë, atëherë shohim përputhshmërinë e një pjese të transhumanizmit me ideologji të ndryshme. Në këtë frymë, me dyfishim mekanik të njeriut, riprodhimi seksual mund të shmanget me gjithçka që ai përfshin, si hapja ndaj bukurisë së tjetërsisë, pastaj befasia, paplanifikimi dhe paparashikueshmëria. Një qëndrim i tillë çon në postgjinorizëm si gjendje e ndërprerjes së tjetërsisë, diversitetit dhe komplementaritetit në emër të autonomisë absolute të individit. E përsëris, nuk mendoj se të gjithë transhumanistët janë përkrahës të postgjinorizmit. Le të përmendim një që i përgjigjet frymës së ideologjisë gjinore. Donna Haraway sheh, për shembull, kiborgizimin një alternativë për të luftuar kundër dualizmave që nënshtrojnë trupin ndaj shpirtit, gruan ndaj burrit, femrën ndaj mashkullit, materializmin ndaj idealizmit dhe natyrën ndaj qytetërimit, duke krijuar kështu një hierarki klasash, kulturash , me një fjalë, racizëm. Nëpërmjet kiborgizimit, versioni i ri i qenies njerëzore do të çlirohej nga ajo barrë dualiste, duke filluar nga barra trupore dhe detyrimet e identitetit të rrënjosura në trup. Mendoj se me një qëndrim të tillë është e qartë se ku po na çon krahu i transhumanizmit.

Nga ana tjetër, teknologjia kohë më parë është kthyer në një fe të re, e cila mbart mesazhin e “shpëtimit” të njeriut nga fiziku poshtërues. Jean-Claude Larchet, flet për shfaqjen e shoqërisë si burim i humbjes së brendësisë tradicionale dhe shfaqjes së një feje të re teknokratike. Për shembull, Google është.  1) i gjithëpranishëm, 2) i gjithëdijshëm, 3) i përgjigjet gjithçkaje, 4) është potencialisht i pavdekshëm, 5) i pafund, 6) kujton gjithçka, 7) nuk dëshiron të bëjë asnjë gabim, 9) është i vetmi “zot” ekzistenca e të cilit u vërtetua. Nëse vëmë re se një numër i mirë transhumanistësh janë pikërisht ndër drejtuesit kryesorë të Google, ta përmendi Rayja Kurweil’in, atëherë përgjigja është e qartë.

Transhumanizmi sigurisht ka të bëjë me fenë, por fenë pa zbulesë, pra, pa transcendencë. Sipas një pikëpamjeje të tillë, transhendenca është mundësia e tejkalimit të vetvetes me anë të teknikës, dhe jo me ndihmën e Zotit. Teknologjitë e përmendura janë mjete për shpëtimin e njerëzimit. Është e rëndësishme të theksohet se si përmes përpjekjes për të hyjnizuar jo vetëm inteligjencën artificiale, por edhe të gjithë lëvizjen transhumaniste, po themelohen edhe komunitete fetare. Një komunitet i tillë na vjen nga viti 2006, dhe është Shoqata Transhumaniste Mormone Amerikane. Jemi në një konfuzion dhe çrregullim ekzistencial-shpirtëror, madje edhe  psikologjik.

Besoj se transhumanizmi është gnosa e epokës postmoderne. Domethënë, kur studiojmë historinë e gnosticizmit, shohim shumë ngjashmëri me transhumanizmin. Ngjashmëritë që gjinden midis logjikës së gnosës historiko-antike dhe të kuptuarit transhumanist të njeriut çojnë në përfundimin se lëvizja transhumaniste është një gnozë postmoderne në të cilën sundon “shpëtimi” sipas njohjes teknologjiko-konvergjente, lartësimi i shpirtit, në aspekt të teknikave meditative, kundrejt adhurimit praktik të trupit, që me sa duket krijon një qasje dualiste ndaj realitetit.

Edhe pse sot shumë janë bërë agnostikë nëpërmjet pozitivizmit dhe shkencës, konvergjenca teknologjike ka krijuar gnostikë që mund të mos jenë të vetëdijshëm për gjendjen e tyre, ndaj mund t’i quajmë gnostikë anonimë postmodernë. Himni për dominimin e shpirtit meditativ mbi materien çon në besimin se njeriu nuk duhet të kufizohet në dëshirën e tij për vetëvendosje të pafundme. Me fjalë të tjera, ata që mendojnë pak më thellë për këtë lëvizje, thjesht mund të konkludojnë se herezitë e vjetra kanë gjetur një zë të ri dhe ai zë quhet transhumanizëm.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here