Festivali i madh i një qyteti të vogël
Më 2-4 shtator 2016, në Shtëpinë e Kulturës “Mensur Zyberaj” në Rahovec mbahet edicioni i dytë i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë. Ideator është poeti dhe miniaturisti i njohur Fahredin Shehu. Në këtë aktivitet, që synon të jetë i përvitshëm, do të marrin pjesë poetë nga vende të ndryshme të botës.
Festivali do të mbledhë më shumë se 20 poetë evropianë, nga Gjermania, Zvicra, Belgjika, Britania e Madhe, Norvegjia, Turqia, por edhe nga Izraeli, Japonia e Australia. Nga Kosova pjesëmarrjen e kanë konfirmuar Besa Hoxha Beqiri, Sali Bashota dhe Donika Dabishevci, ndërsa nga Shqipëria është ftuar poetja Olimbi Velaj. E pyetur për festivalin ajo shprehet me superlativa, duke theksuar se në Kosovë është vlerësuar edhe më parë dhe se përzgjedhja është shenjë e seriozitetit të Festivalit. Velaj ka një lidhje të veçantë me Kosovën edhe për shkak të angazhimit të saj si gazetare dhe më pas si lektore në Prishtinë, por ajo është ftuar atje disa herë në festivale lokale dhe ndërkombëtare, gjithashtu është vlerësuar me çmim dhe i janë botuar disa cikle poetike në antologji dhe në shtypin e kulturës. Velaj shprehet se shpesh atë që nuk e bëjnë dot institucionet e bëjnë individët dhe rasti i këtij festivali e ilustron këtë më së miri.
Bëhet fjalë për pjesëmarrje të poetëve mjaft të afirmuar dhe siç shprehet organizatori i festivalit, Fahredin Shehu: “Rahoveci do të jetë pikë reference për shumë poetë të përzgjedhur të klasit botëror, përfaqësues nga më të spikaturit të vendit të tyre të origjinës”. Shehu tregon se falë punës së përkushtuar të stafit të festivalit, pritet që suksesi sivjet të rikonfirmohet dhe të njohë progres. I ideuar si festivali i verës, përveçse festival i poezisë, ky aktivitet që po kthehet në traditë, synon njëherësh edhe që të promovojë rajonin e njohur të verërave në Kosovë.
Duke qenë vetë poet dhe pjesëmarrës në mjaft festivale ndërkombëtare, Shehu mendoi ta kthente vendlindjen e tij në një vend mikpritjeje për poetë nga e gjithë bota. Që në edicionin e parë festivali shërbeu njëherësh edhe si promovues i Kosovës në botë, duke qenë se një pjesë e madhe e poetëve të ftuar botuan përshtypjet e tyre në gazetat dhe revistat e vendeve nga vinin.
Festivali është konceptuar edhe si një forum diskutimesh ku poetët do të shprehen për rolin e tyre në shoqëri dhe për raportin e poezisë me shoqërinë, duke sjellë secili përvojën e vet. Gjithashtu gjatë netëve të leximeve janë programuar edhe promovime të poetëve të veçantë, të përkthyer së fundi në shqip. Organizatori i festivalit, njëherësh një njohës i shkëlqyer i gjuhës angleze, ka sjellë në shqip gjatë viteve të fundit disa nga poetët më cilësorë botërorë. Në edicionin e 2016-ës spikat promovimi i poetit norvegjez Knut Odegard nën përkthimin e Fahredin Shehut. Në axhendën e festivalit është edhe promovimi i opusit letrar të Agim Vincës.
Festivali e ka kthyer qytetin e vogël të Rahovecit në një destinacion tërheqës dhe gjatë netëve të leximeve të poezive auditori nuk është vetëm vendas, por nga qytete dhe rajone të ndryshme të Kosovës dhe të Shqipërisë. Lexues të vëmendshëm, dashamirës të poezisë, por edhe amatorë të saj mblidhen në fillim të shtatorit në qytetin e njohur për verërat, por tani edhe më të njohur për poezinë.
Tashmë axhendës kulturore të Kosovës i është shtuar edhe ky festival, i cili po kthehet në një destinacion të lakmuar edhe për të rinjtë e apasionuar pas poezisë dhe performimit të saj.
Festivali do të hapet pasditen e 2 shtatorit në Shtëpinë e Kulturës “Mensur Zyberaj” në Rahovec më ceremoninë solemne që do të nisë në orën 16:00, ndërsa më 3 shtator në Parkun e Qytetit, do të mbahet maratona poetike, e cila fillon në orën 20:00. Festivali Ndërkombëtar i Poezisë në Rahovec mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës dhe disa sponsorë të tjerë.