Donika Dabishevci (1980) u lind në Prishtinë. Fakultetin dhe Masterin në Letërsi Shqipe i ka përfunduar në Fakultetin Filologjik në Universitetin e Prishtinës, ndërsa në vitin 2013 doktoroi në Universitet të Tiranës, po ashtu në Departament të Letërsisë me temën “Proza poetike në letërsinë shqipe”. Është readaktore në RTK dhe profesoreshë e letërsisë në njërin nga universitetet private në Prishtinë
Ka botuar këto libra: ‘Krizantema të plasura’ (1996) “Imazhe të brishta” (2004), “Proza e poetizuar – F.Konica, M. Frashëri, E. Koliqi, M. Camaj, M. Hanxhari” (2015) dhe “Kam me ardhë si deka” (2015).
Me punimet e saja ka marrë pjesë në dhjetëra seminare e konferenca të fushës së albanologjisë.
Kryqzueme para tij
Jam krejt e brishtë
kur ftyrë e tij m’zen ninëzat
T’dridhmet trupit
ma zi se t’rrçethunat dimnave t’acartë
Krejt n’gjamë, plotë frymë,
humbun n’valë jam,
nji shej’, nji rreze, nji dritë tuj pritë
Fort u qindron tundimeve t’mija
ai i mbështjelluni me diell n’flokë
Prej syve, mollzash, poshtë buzve tan’ musht
kryqzueme e zbrapsun para shenjtnisë s’tij
S’jepet ai,
luftar mitik që s’njeh dorëzimin
Dashnia n’mu veç vjen e rritet
se e du fort e i falem veç t’pajepshmes.
Mllefosun hana n’ty
Shih, hana është dhezë
shigjeta dhimte plot mllef
dëshprueshëm gjuen n’ty
oxhaktë e shpijave
s’lshojnë tym prej mërzie
za fmijsh s’nihet mrena aty
Ngo, britmën e shelgjeve
fërshllimë t’egër
gjethet kanë marrë
piskamë e erës
qiellin plasaritë
mos qëllofsh udhësh
o i mjerë shtegtar
T’bajnë za
me e nxerrë atë zemër miu
prej sëndukut t’vjetër
ku e ke mshefë
me dalë prej burgut
që ja ke maru vetes
me marrë ni udhë,
me rrnu a me dekë
Unë i rri dashjes teme patundun
s’ke me m’pshtue
n’metsh mas ksajna gjallë
kur t’qetohet ajri
n’dalsh prej ksaj terrine
ke me ndi gulçimën e trupit t’marrë.
N’atë t’përveçmen ditë
Nji ditë n’përveçmëninë e saj
papritueshëm kam me ta dhanë kumtin
se erdh koha me t’i shkye shtatë lkurat
si rrangalla t’vjetra me t’i thye,
e me t’i gjujtë edhe lëvozhgat e shpirtit
tuj gërmue me e gjetë palcën
e naj vishkull drite n’sy.
Nadje heret masi t’jen mpi gjymtyrtë
kam me t’pa zbuluet tan’ paqtim
qielli ka me dënesë prej gëzimit
shiu ka me gjallue edhe rrasat e vorreve
n’zogj t’hareshëm ka me i kthye
e sytë e gjelbër kanë me lulzue.
Nji ditë n’përveçmëninë e saj