Home Ballina MEHMET AKIF ERSOJ SI VLERË E PËRBASHKËT

MEHMET AKIF ERSOJ SI VLERË E PËRBASHKËT

2258
0

Figura e njohur që nuk njihet nga shqiptarët
Intelektuali ynë ka deficit identiteti në shumë aspekte, e posaçërisht në elementin islam. Një mosnjohje e këtillë po na hakmerret me shekuj; një vetinjorim i këtillë është i dëmshëm deri në shuarje.

Mehmet Akif Ersoj
Mehmet Âkif Ersoy – është i lindur në vitin 1873, ndërsa vdiq më 27 dhjetor në Stamboll. Ishte poet turk, shkrimtar, anëtar parlamenti dhe autor i himnit kombëtar turk.
I lindur si Mehmet Rakif nga babai İpekli Tahir Efendi nga Peja e Kosovës dhe nëna uzbeke nga Buhara, znj. Emine Şerife Hanım, ai shkollohet në Fatih Merkez Rüştiyesi, ndërsa shkollën e veterinës e përfundoi në Mülkiye Baytar Mektebi më 1893.
Ishte ligjërues i historisë dhe letërsisë në disa universitete, si dhe njohës i mirë i Kur’anit dhe Hadithit.
Ai është autor i himnit kombëtar turk dhe autor i shumë poezive, të përmbledhura nën veprat: Safahat (Fletët, 1911), Süleymaniye Kürsüsünde (Në fronin e Sulejmanijes, 1912), Hakkın Sesleri (Zërat e Perëndisë, 1913), Fatih Kürsüsünde (Në fronin e Fatihut, 1914), Hatıralar (Memoaret, 1917), Asım (Asım, 1924), Gölgeler (Hijet, 1933).
Figura e famshme
Kam më shumë gishtërinj në duar sesa njerëz që njohin veprimtarinë e tij këtu tek ne, pavarësisht se edhe në Kosovë ka kolegje të cilat mbajnë emrin e tij dhe, së fundmi, edhe shtëpia botuese Logos-A në Shkup bëri një botim dinjitoz të vepërs Safahat (Fletët). Kur e them këtë, nuk kam parasysh nxënësin/studentin kosovar, i cili është dekapituar nga një thesar i dijes, i cili vjen nga provenienca islame, madje edhe bejtexhinjtë, që mezi janë të prezantuar në kurrikulumin e edukimit fillor, të mesëm dhe universitar, e mos të flas për autorë tjerë, të cilët edhe fizikisht nuk kanë jetuar në Kosovë/Shqipëri dhe mbarë trojet shqiptare, por elitën intelektuale, akademinë e shkencave, mediat etj., por faktin se, përpos orientalistëve të Kosovës, të cilët e njohin Jahja Bej Dukagjinin, Prishtineli Mesihin, Mehmet Akif Ersojin etj., intelektuali kosovar nuk e njeh të vetin, siç njohin intelektualët e popujve tjerë, po e zëmë hebrenj, kulturën, letërsinë dhe kontributin e shkrimtarëve dhe veprimtarëve, si: Ladino, Yiddish, Mizrahi, Safardi, Ashekanzi, Sabra etj., ose atë më bashkëkohore amerikane. Por, meqë, kjo temë hap një debat tjetër intelektual, unë po e lë me kaq.
Intelektuali ynë ka deficit identiteti në shumë aspekte, e posaçërisht në elementin islam. Një mosnjohje e këtillë po na hakmerret me shekuj; një vetinjorim i këtillë është i dëmshëm deri në shuarje.
Në një recension që kam bërë për një poete të shquar kosovare, e cila më doli instinktivisht pa e ditur se është bija e famliljes se Mehmet Akif Ersojit nga ana e nënës, znj. Naime Beqiraj nga Peja, kam shkruar se: “Edhe leximi është bërë profesion”. Sepse, në kohët tona njerëzit më shumë shkruajnë sesa lexojnë. Dhe, po të ndodhte e kundërta, nuk do të na ndodhte ky tëhuajsim. Kur e them këtë, e kam fjalën për leximin e trashëgimisë letrare, e cila pavarësisht se ka qenë përdhunshëm e larguar nga ne, tani duhet të jetë pjesë identitare e një kombi të lashtë, siç është kombi shqiptar.
Derisa në Turqi emri i Mehmet Akif Ersojit konsiderohet lart, në Kosovë e Shqipëri njerëzit dinë jashtëzakonisht pak. Në periudhën në të cilën jetonte Ersoj, ai u konsiderua, së bashku me emrat Recaizade Mahmut Ekrem, Abdülhak Hamit Tarhan dhe Cenap Şahabettin, intelektual avangard i kohës, i cili ka kontribuar në formësimin e identitetit kombëtar të republikës së re turke.
Kontributi i tij
Mustafa Kemal Ataturku ka qenë adhurues i veprës së Ersojit dhe nga ai madje ka kërkuar që ta përkthejë Kur’anin në gjuhën turke.
Ajo çka mund ta kënaq secilin shqiptar, e veçanërisht intelektualin, është fakti se Mehmet Akif Ersoji në Turqi sot konsiderohet patriot, poet, njeri i devotshëm, por mbi të gjitha vlerë kombëtare turke. Mirëpo, në secilën biografi të tij qartë potencohet origjina e tij etnike.
Unë konsideroj se Turqia ia bën nderin e merituar figurës së Mehmet Akif Ersojit me universitet me emër të tij, një sërë kolegjësh me emrin e tij nëpër Turqi (dhe në kohë të fundit edhe në Kosovë), madje dhe në banknotën turke të 100 lirave të viteve 1983–1989 është nderuar figura e Ersojit.
Ndërkaq ne po ashtu duhet ta kemi parasysh se Kosova ka vetëm ca vite shtetësi dhe si e tillë nuk ka kapacitete që t’i nderojë figurat e veta kombëtare në mënyrë siç bëjnë shtetet me traditë shekullore. Por, kujtoj se ka ardhur koha që të mendohet për një bust të Mehmet Akif Ersojit në Pejë, në vendilindjen e prindërve të tij, si dhe futja e njësive edukative në kurrikulume shkollore dhe universitare për t’u njohur më mirë jo vetëm me veprën e Ersojit, por edhe me figurat e tjera komëbëtare, të cilat kanë kontribuar jo vetëm në Perandorinë Osmane, por edhe në Egjipt, Liban, Indi e gjithandej globit.
Figura madhështore e Mehmet Akif Ersojit është shëmbëlltyrë e një intelektuali avangard dhe njeriu të qytetëruar, i cili e jep kontributin e vet pavarësisht se në cilën pjesë të botës ndodhet ai.
Ne mund të krenohemi, por a do të mjaftonte vetëm krenaria? Konsideroj se duhet të bëjmë edhe diç më shumë lidhur me publikimin e veprimtarisë së Ersojit dhe nderimin e figurës së tij në mënyrë më meritore. Nëse një gjë e tillë ka qenë e mundur në kohën kur ai jetonte, ajo duhet të jetë e mundur edhe sot, ku intelektualët e kohës sonë do të mund të bashkëvepronin për të krijuar një ambient, i cili do të kultivonte vlera të përbashkëta morale, intelektuale e civilizuese.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here