Home Ballina Fahredin Shehu- “Hojet”- Pjesë nga Romani

Fahredin Shehu- “Hojet”- Pjesë nga Romani

2589
0

Libri i Fahredin Shehut hap portat e krijimit mistik, prandaj krijuesit e ardhshëm dhe interpretuesit e teksteve të tilla do të ndeshen me diçka të panjohur me herët në letërsinë shqipe.
Teksti i tij na kujton kohen e Naim Frashrit dhe krijuesve të tjerë, të cilët ishin edukuar dhe kultivuar në filozofinë e Lindjes, prandaj unë si krijues ju heq kapuçin krijueseve te këtillë, sepse hapin porta te një artikulimi që vështire do t’i hapin të tjerët

Akademik Ali Podrimja
Dhjetor
2010, Prishtinë

“HOJET” E JEHONES

Kënaqësia e rileximeve të dorëshkrimit “Hojet”, një ditë, u dashtë të përfundojë. Por, ky përfundim është i përkohshëm, vetëm deri në ditën kur dorëshkrimi të shndërrohet në libër. Pasi të ndërrojë “trajtën” teknike, rileximet do të vazhdojnë. Sepse: kënaqësia e përjetimit të jehonës nuk mund të përmbyllet, përjetimi vazhdon.
“Hojet” janë JEHONË! Pse? Të gjithë të përndriturit e botës së madhe janë maje të larta. Secila maje është origjinale dhe e përkryer, pa asnjë krahasim tjetër. Dhe: secila maje është e vetmuar. Sa më e lartë maja, aq më e thellë vetmia. Por, këto maje të larta, këto drita të përjetshme – njerëzimit ia kanë transmetuar të vërtetat e amshueshme dhe, ne të vdekshmit e rëndomtë, mezi arrijmë t’i kuptojmë.
Mes majeve të larta dhe luginës së rëndomësisë – të vërtetat na vijnë në formë të jehonës, dhe kështu, duke qenë të lumtur që kemi një “urë” në mes të majeve dhe luginës, nuk na vret etja dhe nuk na harron drita.
Të faleminderit Fahredin Shehu!

Daut Demaku

Në kokë më silleshin të gjitha skenarët, nga më të tmerrshmet e deri te ato kujtimet e bisedave me plakën e urtë dhe të fortë. Kurrë nuk e harrova rrëfimin e saj të para 15 viteve, kur ajo erdh të jetoj me ne. Ajo rrëfen: “Është viti 1929. Ndoshta edhe më herët, ku di unë, kur më kanë regjistruar në regjistrin civil. Në shtëpi u gëzuan se lindi një vajzë. Për çudi, po bëkan gëzime edhe për çikë, për mua. Qaja dhe vetëm qaja, sikur e kuptoja si foshnjë se do të më kaloj e tërë jeta në zi. Këtë e dinte nëna kurse babai insistonte që të ma venë një emër të bukur të ndonjë guri të çmuar, se në atë mënyrë njerëzit do të më çmonin më shumë, sikur emri po e determinuaka fatin. E vërteta është se isha e çmuar, dhe kjo për shumë arsye. Jo nuk do t’i rendis arsyet si perlat e xherdanit. Kur më vonë e kuptova domethënien e emrit tim Elmaz, çdo gjë u bë e qartë. Asnjëherë nuk munda ta kuptoj pse qaja si foshnjë. Nëna m’i krihte flokët dhe më rrëfente si për vitin e lindjes, gëzimin në familje, po ashtu edhe për përgatitjen e pajës, kurse tmerri i të qenit nxënëse në shkolla që atëbotë, i thoshin e Krajlit, më ka përcjellë gjatë tërë jetës. Kujtova se kam prodhuar shumë flokë, tamam sa të bëhet një litar Prishtinë via Viena.

Më vonë kujtova se zbulova pamjen e profetit të fundit, në fytyrën e feksur të hënës dhe kisha frikë mos po halucinoj, apo jam poete, larg qoftë, sa të gënjej si mëkatari, e këtë ta fsheh si metelikun e vjedhur. Më vonë kuptova se jam Unë dhe vetëm kur jam unë bota është.

Asnjëherë nuk jam hamendur se po ëndërroj se jam xhevahir ëndërrimtar, i cili ëndërron se është njeri i ngurtësuar, as njeri ëndërrimtar, i cili ëndërron se është gur i çmuar.

Në mendime të tilla më sugjeronte ai nxënës i devotshëm i Lao Tzu-së, i cili bëhej herë njeri e herë flutur. Filozofia kineze për mua u zbulua shumë vonë, nga profesori i Napolit, Guissepe Tucci.

Në vitin e gjashtë të jetës, të këtij fenomeni më të jashtëzakonshëm, më të tmerrshëm se vdekja, unë isha nxënëse në shkollën që i thoshin e Krajlit. Paradite mësoja klasën e parë, pasdite mësoja klasën e dytë. Kjo nuk më pengonte, aspak.

Germat e para cirilike na i mësoi Kata. Ata i thoshin Kata, kurse emri i plotë i saj ishte Katarina. Një mësuese nga Prokuplja. Sot, po t’i thuash dikujt të lexoj në alfabetin cirilik, do të të përbuzin apo do ta shpallin vetën ekspert i alfabetit antik.
Kishim orë të bukurshkrimit dhe shkruanim me pupël të rosës. Ajo na mësonte si ta preknim majën e pjerrët që germat të dalin më kaligrafike. Kishim edhe penda me maje plumbi dhe lapsa që i ulnim në ujë për ta liruar ngjyrën morr. Vonë kuptova se ai ishte pigmenti i indigos.

Kata, po ashtu, na mësoi si ta përpunojmë ngjyrën e zezë të cilën ajo e quante tush. Ajo mblidhte blozë nga qyngjet e sobës dhe e përziente me alkool. Ajo, po ashtu na mësoi edhe për dobinë e katranit të nxjerr nga druri i mështeknës.
Isha më e mira në të gjithat. Këtë ia thosha vetës, sepse të tjerët, veç e dinin. E dinte edhe Kata, e cila më vonë do të ma shes një makinë qepëse “Singer”, të cilën burri i saj ia kishte blerë në Trieste. Atje rrallë shkohej.
Ende e kam kontratën e shitblerjes së makinës, të cilën e përpiloi Vaso, burri i Katës. Jam shumë e bindur se ai e kishte diktuar e Kata me bukurshkrim e ka përfunduar dokumentin.

Të premteve vinte Hoxha për të na ligjëruar mësimbesim dhe fëmijët serbë dilnin jashtë, kurse të dielave vinte prifti dhe shtatë prej nesh, shqiptarë myslimanë, dilnim jashtë.

Ende kolonën e parë të ndërtimit të qelizave nuk e tejkalova. Isha gjashtë vjeçe. Ishte viti 1934. Këtë e di sigurt, mbase nuk do ta harroj kurrë. Shpejt mësova të lexoj. Babai nuk dinte shkrim-lexim, por i çmonte shumë njerëzit e
dijshëm. Ai takohej me një mësues fetar. Ne dinim se është hoxhë, por më vonë nëna më tregoi se ishte Shejh dhe shumë më vonë unë e kuptova se Shejhu në teqenë e tij i mësonte mësimbesim duke i dhënë shembuj nga jeta e përditshme. Nëna më tregoi se babai ishte nxënësi tij shpirtëror, i cili e pat pyetur:
“Shejh, unë punoj në bahçe dhe sado që ia bëj hyzmetin, speci do punë, ujë dhe përkujdesje, kurse bari rritet vet”.
Shejhu u përgjigj: “Bari është vendali, kurse speci mysafir dhe mysafiri e do hyzmetin e vet apo trajtim të veçantë”.

Shejhu ia mësonte leximin e Kur’anit, por vet shkruante risale, të cilat tani i quajmë qarkore apo trajtesa, si dhe bejte apo vargje poetike në gjuhën shqipe, me alfabet arab, edhe pse kishte kohë nga Kongresi i Manastirit.
Pasi që shpejt mësova shkrim dhe lexim, babai i blinte gazetat që unë t’i lexoj dhe jap të domethënien. Po, isha e madhe pra, në klasën e dytë.

Nëna përgatiste tymnin prej pambuku dyngjyrësh, kuq e bardh, që ta thurë më vonë në role me nuance tjera: të kaltër dhe të verdhë. Pëlhura shitej shumë. Dhe ajo ma mbulonte gjithë shkollimin.

Kata na mësonte punë të ndryshme dore. Punën e parë që e bëra e mora si pajë të nusërisë. Këtë copë nëna e ruajti në kutinë e saj prej druri, të cilat i punonin mjeshtrit e Gjakovës. Ajo copë ishte tymën i pambuktë në trajtë gjashtëkëndëshe e mbushur me shtëllunga shumëngjyrëshe prej mëndafshi e të lidhura në tymën, të prera në maje dhe të shprishura sikur qilimat persian. Gjashtëkëndëshi më vonë kuptova se kishte një simbolikë, sepse ishte i barabartë dhe i ngjante dy trekëndëshave të barabartë ku njeri depërton në tjetrin, barazi: mashkull- femër, për të cilin dijetari gjerman, Gerschom Scholem, do ta shkruaj një libër dhe emërtoj Magen David, ose Ylli i Davidit, profetit David, mbretit të dytë të Judesë antike, pasardhës i Saulit dhe babai i mbretit të plotfuqishëm të të gjitha kohërave, mbretit Solomon.

Kata shpesh më ftonte edhe në shtëpinë e saj sepse me vajzën e saj mësonim në të njëjtën klasë. Ajo gjatë verës mblidhte lulet e shtogut, i thante dhe i vinte në kavanoza të mëdhenj duke i shtuar limon të grimcuar. Këto kavanoza i linte në diell për disa ditë derisa lulet dhe limoni pothuaj treteshin në ujë. Nga ky komposto, ajo përgatiste pijen shumë të shijshme, të cilës i shtonte sheqer. Ajo thoshte se nëse kjo pihet gjatë verës, dimrit nuk ke problem me kollën. Ajo sikur e kishte parandjenjë se ky do të jetë takimi i fundit. Ajo ma dha librin e Vaso Pellagiqit, “Mjeku popullor”, dhe prej asaj kohe unë kurrë nuk e kam parë atë grua. Na thanë se burri i saj kishte marrë pozitën e deputetit. Të tjerët thanë se qeveria e kishte dërguar në Vjenë për të specializuar në ndërtimet e klasikes austrohungareze. Ai ishte inxhinier shumë i shkathtë i ndërtimtarisë.
Një kohë të gjatë këndejpari janë sjellë mjeshtrit cincarë të ndërtimtarisë dhe shtëpitë e fisnikëve tanë të cilat ndërtoheshin me vite të tëra, thonë se janë punuar nga cincarët.

Kata u zhduk përgjithmonë, por libri i saj më mbeti që gjithmonë ta kujtoj. Nga libri i Katës kam mësuar shumë. Gratë tona vinin të kërkojnë mentë nga unë. Kishin shumë probleme, të ndryshme. Nga melhemet kundër djegieve e deri tek terapitë më të ndërlikuara të trajtimit të sterilitetit tek gratë por edhe tek burrat, të cilët i shëronin gratë e tyre me terapitë e mia. E gjithë kjo mbahej në konfidencialitet.
Në vitin 1934, për herë të parë, e përjetova vdekjen apo tmerrin e saj. Isha fëmijë. Na mbyllën në shkollë duke menduar se ishte shqiptari ai i cili e vrau mbretin Aleksandri I – Karagjorgjeviq, dhe urdhri ka qenë që, po që se është vrarë nga shqiptari, do të vriten të gjithë fëmijët shqiptarë nëpër shkolla. Na ndanë nga fëmijët serbë të po të njëjtës klasë dhe ne, shumë shpejt, e kuptuam se do të na vrasin. Na mbajtën disa orë të mbyllur në bodrumin e shkollës. Mbas një kohe, që neve na u duk se ishte shumë e gjatë, erdhi Mësuesi Qiro, i cili e zëvendësoi Katën, me fjalë të buta duke na pyetur: “Mos jemi të uritur”? Me kaq orët e mësimit për atë ditë përfunduan, demek shkuan bosh, e ne të lemerisur- të tillë i gjeta prindërit në shtëpi.

Babai kuptoi se vrasës i mbretit ishte Vlade Georgijev Qernozemski, një qytetar bullgar, anëtar i organizatës terroriste VMRO, sipas urdhrit të kampit ustash, “Jan Hus”, në Hungari, me urdhrin e Eugen Kvarternik dhe Ante Paveliq, që të dy ustashë kroatë, më datën 9 tetor, 1934.
Babai kurrë nuk e kuptoi se çka ndodhi me fëmijët kroatë, apo këtë e kuptoi, por mua kurrë nuk më tregoi”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here