Lindita Ahmeti

Lindita Ahmeti u lind në Prizren në vitin 1973. Shkollën fillore dhe gjimnazin (në gjuhën shqipe) i kreu në Shkup, ku edhe u diplomua në Institutin e filologjisë klasike (greqishte e lashtë dhe latinisht). Tash i ndjek studimet pasuniversitare në po të njëjtin institut (mitologjia dhe lirika e lashtësisë greke).

Me poezi merret që nga vitet e shkollës së mesme. Në vitin 1993 u botua përmbledhja e saj e parë me poezi me titull: “Mjedra dhe bluz”, “Flaka e vëllazërimit”, Shkup, 1993. Tri vjet më vonë shtëpia botuese “Shkupi” nga Shkupi ia botoi përmbledhjen e dytë – “Ishulli adular”. Shtëpia botuese “Arbëria design”, Tetovë ia botoi përmbledhjen e tretë “Brezi i Zonjës” (ylberi) në vitin 2000. Përmbledhjen tjetër me radhë e botoi shtëpia botuese “Brezi 9” nga Tetova (2004), kurse titulli i veprës është “Vetë përballë Erosit”. Shtëpia botuese “Toena” nga Tirana në vitin 2008 e botoi një përzgjedhje të gjerë të poezisë së saj, me titull “Lulja alba”, të përgatitur nga kritiku i njohur Ali Aliu, i cili e shkroi edhe parathënien. Dhe, së fundi, në vitin 2015 u botuan dy përmbledhjet e fundit: “Nga mështeknaja e babait, me mallëngjim”, Portalb, Shkup dhe “Dhoma pa derën dalëse”, Logos A”, Shkup.

Poezia e Linditës zgjoi interesimin e botuesve të gjuhëve të tjera të rajonit. Kështu botuesit shkupjanë “Menora” dhe “Makavej” i botuan tri përzgjedhje në përkthim të Xhabir Ahmetit (“Menora”: “Камена месечина” – “Hëna e gurtë”, 1998, kurse Makavej”: “Син сон” – “Ëndrra e kaltër”, 2002 dhe “Призивање во април” – “Evokime në prill”, 2007).

Në vitin 2008 botuesi nga Sofja “Multiprint” në bashkëpunim me botuesin shkupjan “Makavej” i botuan një përzgjedhje në gjuhën bullgare me titull “Пролетен копнеж” – “Mallëngjim pranvere”.

Disa nga poezitë e saj janë përkthyer në anglisht, serbisht, kroatisht, polonisht, gjermanisht e në ndonjë gjuhë tjetër, ndërsa mjaft poezi ka të botuara në faqet e shtypit shqiptar në të gjitha viset etnike shqiptare.

ANIJA E VARUR PËR REJE

o gjithë atë turr që ka marrë vranësia
mbi relievin e polifonisë
gjithçka ka futur në përqafimin e fortë të zymtësisë

përhimtësi mjegullizë e rrallë
nga jugu i përhumbur dikush hedh pikëpyetje të mëdha e të rënda plumb
të cilat ndonëse të metalta herë-herë rrinë pezull mbi pyllin e nëmur
herën tjetër pluskojnë mbi ujë
e mbi tërë visoren e qetë që flet gjuhën e bardhylit
midis këtyre pikëpyetjeve qëndron edhe një anije
e varur për një reje
pikërisht mbi reliev

të rinj e pleq kanë hipur në këtë anije që luhatet në ajër
luten në heshtje nëpër zbrazëtirë
pastaj i drejtohen hermesit me një O të qetë
pastaj mbështeten në boshllëkun e ftohtë
duke i shndërruar vitet në kolltukë të palëvizshëm
zënë ndonjë pikëpyetje në ajër dhe e hedhin poshtë
përkunden përmbi lirishtë ku një piktor mundohet ta ndalë kohën
ata qeshin me artistin
dhe i hedhin mjegull me grusht
i pshurrin në pikturë

ashtu e kanë pleq e të rinj të kësaj anijeje
s’ia varin piktorit
që në një atmosferë ku ndalohet muza
e bën kryeveprën
e cila pasqyron vetminë dhe gjëmën
që përhapen nga reja e nga zymtësia
poshtë në temenosin e shenjtë
ku dikur çelnin lulet
iris illyrica

pleq e të rinj kanë plot shpjegime të lehta
pse anija e tyre prej letre
rri kështu varur për reje në këtë kohë të pakohë
dhe pse pikturat duhet ndaluar me ligj pse i ndragin
pastaj pse ata dora vetë
e shkretojnë pyllin me krahjeta
duke e pështyrë nga lart

dikush ka thënë “pikëllim përherë do të ketë”
sigurisht ky do të ketë qenë një udhëtar i huaj i largët
sepse këtu vetëm përgjumja e argëtimi ngrenë strofuj

i argëton pleqtë anija si luhajë
kurse të rinjtë u gëzohen pikëpyetjeve të metalta
e s’i kërkojnë imtësitë matanë përvojës
shikojnë poshtë ata pleq e të rinj përgjumshëm
nuk i ndjejnë goditjet që u jep fuqishëm Poseidoni
nuk e ndjejnë tredhëmbëshin e tij mbi lëkurë
s’e përfillin dhembjen që derdhet nga piktura
i gëzohen luhatjes
qeshin madje edhe me Atropën flokëshprishur
kur i afrohet me gërshërë perit të kuq
në të cilin rri varur anija
u duket tërheqës synimi i plakës që t’ua dorëzojë Hermesit

i shikoj pleqtë me rruzare në dorë si luten duke i lëvizur buzët
e s’duan ta shohin
si vijnë e shkojnë ditët e netët
dhe si duket në përhimtësi piktura gjykimi i fundit
e hieronim boshit
nga e cila s’ndahet piktori
pleqve as që u bën përshtypje pse i ka rënduar shekulli me gurë
në të cilin ca të përdalë të fshatrave të huaja
me shpojca të gjata të bujqve të pahair
hapën vazhdimisht vrima të mëdha në murin e bardhë të altarit
ku ruhet rrënja e artë

pastaj bie mbrëmja mbi anijen e varur për reje
e pak më vonë bëhet ftohtë në përqafimin e niktës
era e përkund anijen me dorën e saj prej konopi
ndërsa piktori kërkon strehim midis luleve
iris illyrica
që kanë mbetur jashtë këndit të vështrimit nga anija

hëna që mezi duket si skuqet lart dhe e shtyn me pak dritë e me pak shpirt minutazhin e skenës
m’i lëmon flokët e përpiqet
që mua të mbetur kështu midis pakuptimësisë
të ma kthejë përfytyrimin e bukur për detin tonë të kthjelltë e të kaltër
me tërë gjerësinë e tij në sytë e mi të tharë
nga lotët që kanë rrjedhur
aq sa rrjedh Buna
duke qarë veten

kurse në kohë të gjumit të anijes
dikush ka hyrë thellë në pyll
i pret drunjtë
dhe bashkë me ta ndërrojnë jetë edhe driadat
pas sëpatës vetmia e shtrin pushtetin
dhe vaji im shpërndahet si jehonë

ndërkohë anija vazhdon të luhatet
e varur për reje
mbi kryeveprën e asgjësuar të piktorit
nga shurra e mjegulla

II
dua anijen ta kthej të bjerë në vend të vet
por s’ia dal as me ndihmën e fuqisë hyjnore të nimfave që kanë mbetur
sepse fshatarët zihen dhe e luhatin anijen edhe më shumë
grinden se cili do të jetë roje bostani në kryeqytetin e paqenë
pastaj anija është e ngarkuar edhe me shumësinë e tyre
dhe me njolla të zeza
e s’i afrohem dot

del si në shuplakë të dorës vetmia kërcënuese
anija vazhdon të qëndrojë varur për reje
e mbetur në një kënd mbi rrafshin e shkretuar

këmbëlidhur me lot këndoj për piktorin e mbetur poshtë në vetmi
për resat e gështenjave që s’i përfill kush
ashtu të mbetura si shenja rreth altarit
këndoj edhe për shtizën që vrau poetin pse e deshi atdheun
për dasmorët e lirisë që i ka gurëcuar shtriga
për marshin e pandalshëm të kohës
që s’pyet as për piktorin që rri ulur i lënduar në tegelin e pyllit
s’lodhet as për të rinj e pleq që luhaten në anijen varur për reje
këndoj për vatrën ku kanë mbetur disa gaca
mbi të cilën luhatet një kusi bosh përplot thirr
e qaj piktorin që ka mbetur pa kryeveprën e tij

zot o zot
derisa ndërrohen orë e çast timonierët e verbër të anijes së varur për reje
mijëra e mijëra çerepë të thyer bien nga lart
e bëhen copë e grimë në anije e në fshatin në breg të detit
por edhe fjalëza të munduara bien si flutura të vrara
e zhduken në rrugicat e përbaltura nga shqota në fshat

çerepët që bien duan të japin shenja për një mortje kolektive
ndërsa nëpër njollat e kësaj nate të kristaltë
ulërijnë fjalë të huaja që kanë mbetur midis gurëve të kalldrëmit
ecin ato fjalë si akrepa të kuq kalvarit
e rrokullisen dhe e pushtojnë fshatin ku vazhdimisht dëgjohen lakuriqët

oratorët me sytë e lidhur me shami të zeza
vrapojnë nëpër anije të dëshmohen sa s’e duan dheun që ka mbetur poshtë
ku afrohen kalorësit e viseve të panjohura
e dëgjojnë fshatarët nga anija gjuhën e pakuptueshme
dhe presin e presin

e vetmuar e kërkoj fjalën magjike
e cila është ngatërruar diku nëpër vargjet e shkapërderdhura
në hapësirën e mundimit
ndër këmbët e njerëzve me përvoja tubimesh
nëpër sheshet me emrat e ushtarëve e të klerikëve të huaj
e që tash luhaten në anijen e varur për reje

e kërkoj fjalën e butë
më duhet ta gjejë fshehtësinë me të
për ta kthyer anijen poshtë
e s’e gjej dot nëpër gjithë këtë tollovi
pastaj nisem drejt pyllit me krahjeta
ngutem t’i paloj notat e polifonisë në arkë
sepse dimri kanoset me acar gjatë e gjatë
sepse piktorit ia kanë prishur veprën më të mirë
me mjegull pështymë e fëlliqësirë
e anijes së varur në re s’i dihet
me këta lojtarë të kësaj skene të zymtë
që s’përfillin shenja të shenjta

UDHËTIMI I BABAIT NËPËR KËNGËN E VJESHTËS

hapat e babait nëpër natën vjeshtore me selenën e purpurt që hedh dritë në shteg
e nxisin komunikimin me qetësinë e pyllit
dhe kuptohen mirë mes vetes babai e qetësia
babai ndonëse e ka një pyetje nostalgjike për vjeshtën
s’e thotë me gojë
s’e turbullon qetësinë
po e shkruan pyetjen në fletët e heshtjes ulur në rrënjën e bungut
janë foljet e shpërndara gjithandej që e çojnë babanë të ngrihet në këmbë
ecën ai
ndërsa gjethet e thata zgjohen dhe bëjnë muzikë xhazi nën këmbët e lodhura të plakut
pastaj fryn pak eoli
tingujt e butë të erës së freskët kur i ledhatojnë gjethet
dhe dalja në skenë e mbiemrave të përmallshëm
janë në të vërtetë përgjigje e vjeshtës për babanë e cila pëshpërit
ju iku vera e blertë
ju iku vera e blertë
zogjtë të renditur si fjalët e demostenit para athinasve
kur filipi futej në polis me ushtarët e tij
kërkojnë shpresën e mirë duke lënë mbrapa ngjyrat e vjeshtës
pastaj tingujt e freskët të gjetheve të thata kërcëllojnë
bëhen vërejtje për krijesat e imta të pyllit
për merimangat që prodhojnë mëndafshin më të mirë
për mizat gjarpërinjtë minjtë buklat e shqarthat
për ndonjë hardhucë të blertë që s’ndalet së vrapuari nëpër bar pas ndonjë kandre
dhe për breshkat që e demonstrojnë hijerëndësinë kur ecin
dhe ta merr mendja edhe për sutat e buta që e zbukurojnë pamjen e pyllit kur i bie hëna
për të gjithë banorët e gjelbërimit që janë rehatuar në mbretërinë e gjumit
jepet alarmi e shtohen thirrmat e larëve
kujdes
ndonëse babai shpërndan ëndrrën e bukur në këtë mbretëri magjepse si gjithmonë
bota e pyllit ka rendin e vet dhe e dëgjon vetëm përvojën
e veshur me njëqind ngjyra që hedh hëna
ajo shkon shtigjeve të saj
pa e dalluar babanë nga kalimtari i pakujdesshëm i cili kënaqet kur shkel flutura
dhe babai ecën ecën nëpër këtë botë që e bën të prekshme vetminë
dhe me gjithë kujdesin që ka
ndonjë thnegël e pëson prej këmbës së tij
duke dështuar në luftën e egër të darvinit për një kënd të padukshëm ngrohtësie
kapërcejnë pastaj nëpër mendjen e babait foljet e ngarkuara me pikëllim
për një mijë këngë të lisnajës që treten
pastaj babai ulet sërish në rrënjë të bungut
përballë një ketri që kërcen nga imazhi në imazh
atëherë visorja e hap faqen e magjisë së saj
në dritë të këtij tregimi shfaqen kuqëloret si ombrellat e zanave
vendosur nëpër shtigjet kah kalon diana
dhe dalin si në shuplakë pikturat e pyllit
babai vazhdon udhën
vihen në lëvizje mijëra zëre nga frika kur ofshan ai nga pesha e udhëtimit
kjo në pyll merret si bori e faunit
babai i heq këpucët atëherë dhe i dorëzohet harmonisë së pyllit
e koha rrjedh
duke sjellë mëngjesin e kuqërremtë
harabelat nëpër degëzat e kaçubave dhe të fijeve të barit të gjatë me fara të imta
e ndërpresin ëndrrën
ia nisin këngës korale
dhe bashkë me kandrat e hapin librin e muzikës
me tinguj të cilët nga shporta semasiologjike e asaj bote e shpërfaqin hijeshinë
e kërpudhave kuqëlore
të mijëra e mijëra kuqëloreve që e stolisin pyllin
dhe e gjithë kjo do të jetë një poezi e pashkruar e sapfos që është dashur të bëhet himn
për mrekullinë e kuqëloreve
midis të cilave kalon zbathur
në majë të gishtave
im atë i mirë
dhe të cilat i mbledh e i ruan nimfa në herbariumin prej papirusi
e që më vonë do të flasin
si një ditar i shkruar shqi
NË BOSHLLËKUN E TRUNGUT

me vite një zot e di sa
unë jam në boshllëkun e trungut
të drurit qindvjeçar
një dru i nxirë nga korbat që rrinë në degët e tij
e rreth të cilit sillen ujqit e uritur
një dru të cilin kanë harruar ta presin ushtritë e huaja
kah kanë bredhur nëpër dheun e shkelur
një dru në rrënjët e të cilit ruhet nga të lehurat thesari i rimave

rri unë aty brenda në garroq
me frymën e lodhur dhe me dridhma
e stërlagur nga lotët
i dëgjoj krimbat si e brejnë drurin
dhe e ndjekin vargun më të ndritshëm
shikoj nga bira që e ka bërë me kamë një ushtar
i cili ka dalë prej rreshti
dhe ka shkruar
ululare cum lupis

rri shtang aty
e pres ndonjë yll të bjerë
ndonjë zog të ndalet
ta shoh ndonjë bukël
a ndonjë kaproll duke kullotur
ndonjë lule ta ngrejë kokën e të shfaqet
në perspektivën e birës së drurit të rrethuar me injorim
ta shoh ndonjë pikë lashte në fijet e barit
e mbi to fluturat që vallëzojnë
dhe ta dëgjoj ndonjë trishtil
a ndonjë qukapikth
ta dëgjoj nimfën si i bie lirës
dhe si këndon pranë burimit

kur bie terri lutem
që të pushojnë britmat e satrapit nga fshati i djegur
nga froni i hidhëtisë së përditshmërisë
se kur arrijnë britmat
edhe këtu përreth
këto virrma bëhen
flakë jeshile që e rrezikojnë drurin
mua në boshllëkun e tij
shullërin e paprekshëm
jehonën e këngës së orfeut
që ma mbron shpirtin e dërmuar
dhe erën e mirë të vjollcave
të strehuara ndër fjalët e poemave rilindase

ndonjëherë shfaqet një siluetë
në këndvështrimin tim
qëndron në cep të shkëmbit të murrmë
të cilin ma rrok shikimi
bien në sy dylbitë që i mban ajo
duket kjo punë
ajo ndjek dikë
pastaj nëpër ajrin plot vrugtësi
nëpër shiun e imtë
duken njerëzit si kthehen dhiareve të malit
nga hadi
e marshojnë të kërrusur drejt atdheut
vijnë me shpresë se do ta ngrenë kullën e katragjyshit
të bardhë e krenare
në bukurinë tonë vetmitare
ecin ata
po një pash vend s’e kalojnë dot

unë e hetoj se plagët më shtohen
nga kandrat parazite
nga ngushtica brenda në trungun e drurit
nga dhembjet e këmbëve që m’i ka kafshuar ndonjë zvarranik helmues
atëherë më vjen të bërtas
më vjen të vrapoj
të shkoj fluturimthi shtegut të malit
që zana e stolis gjithmonë
në të dy anët
me lule
iris illyrica
por larashët sillen rreth drurit

do të kisha dashur ta jap kushtrimin nga vetmia
ta tregoj përrallën e kuqe përrallën e vrugtë
përrallën e mashtrimit me kalin

po kush do të më nxjerrë mua
nga ky boshllëk i namatisur
kush e dëgjon zërin e vetmisë së madhe
nga barku i drurit të molisur
e të mbetur brenda kufijve të mendimit të zi

këtu ku jam unë edhe erosi të harron
jo më dikush tjetër

o zot
më duket se po shndërrohem
në një ndërgjegje që s’bren
në një flutur të mbetur në xhepin e errët të ngushticës së drurit
që s’ka dalje
ku nuk të vëren kush përveç merimangave
që përgjojnë në cerimanga
pos thneglave që ma kanë vërshuar shtatin thuajse të shpenzuar
mua që si hamadriada jam bërë pjesë e drurit
të cilit vazhdimisht dikush i matet me sëpatë
siç i maten instancat poezisë

SHARE

LEAVE A REPLY