MONOLOGU I NDJEKËSIT
Mjeshtrit fshehin Iluzionin
Të humburit krijojnë Historinë e Mundësisë
Iluzioni në zgjerime bën murin e Shpresës
Epitafi është pika e mençurisë për vetveten
Shpikësi i Pikës bëhet Roja
Biografia është ashensori lëvizës
Ose është “me defekt”.
Jemi në një anije të çuditshme
Të quajtur Kuptimi i Jetës
Ecim Notojmë Fluturojmë
Koha na ka caktuar
Epokën e Shkuarjes
Epokën e Mundimeve
Epokën e Guximit
Kemi ndërtuar Murin – strehën
Të veshur me Mendjemadhësi Urrejtje Pavendosmëri
Të veshur me të Meta dhe Virtyte
Vallëzimin e kryejmë me kombinimet e Justifikimeve dhe Luhatjeve
Lojtari i madh në tel varet nga imtësirat
Gjërat e vogla fitojnë role kryesore
Thnegla ia ka kaluar balenës
Ndjekësi e ka shpikur Pikën
dhe trekëndëshi mund të jetë një Top
Jemi të lumtur kur bëhemi Urë dhe Dritare
Sa më gjatë që kërkojmë Çelësin
Ai rritet në lulen e Damokleut
Nëse i marrim erë më shumë se duhet do të helmohemi
Nëse e këpusim do të pritemi
Mundësia është rreze mes dy brigjeve
Ndjekësi e ka gjetur Urën dhe Dritaren
Dhe … nuk është kthyer
UDHËTARI
Në mal kërkon rrugën
Udhëtari i humbur
Pa krahë
Pa lundër
Në liqen dragoi me tri koka
Në vend të fijes së kashtës
Ndërtuesi i urave i dha durimin
Në vend të pendës
Roja e shqiponjave i dha urtësinë
Në vend të fuqisë
Lexuesi i ëndrrave i dhuroi fantazinë
Dhe u bë udhëtar
Njeriu balonë
Njeriu sferë
Njeriu gomë
Shihet në pasqyrë
Lexon të fshehtat
Mat kohën
Tani është Gjumash në Shtëpinë e Gurtë
Grishës në kodrën Tre fiqtë
Kodi mbrojtës i pilivesës
Roja e sekretit të princeshës së peshqve
Është bërë udhërrëfyes për të humburit
KTHIMI
Udhëton gjethja
Milingona një kokërr rëre
Kurse Penelopa…
Pret marinarin dhe shtegtarin e deteve.
Shpresa është tingulli i bririt
Fanari i detit është xixëllonja
Odiseja është profesion i përjetshëm
I fatit ose i aventurave
Kthimi është lavjerrësi
Për Odisenë dhe Penelopën
NDËRGJEGJJA
Ti pikë je një qenie
Nëse je urë je udhëtar
Lulja mendohet
Për kë dhe
Maskë e kujt jam
Zgjidhja është mëshikëza.
FJALËT JANË HAMLET
Fjalët e para janë si zogu i ri
të këqija, të pa kuptueshme,
pa kuptim.
Dhe pastaj të kuptueshme,
qesharake, të pëlqyeshme si filiz.
Fitojnë ngjyrën, aromën, bukurinë.
Me bukurinë vinë shqetësimi, kërkesa,
cikërrima të krijuara nga padurimi, zërat.
Nga bota e parë,
e ndërtuar nga pyetjet, dëshirat, pasioni,
vizatimi i kufijve, udhëtimet,
me velat e dëshirave, iluzioneve.
Kur lulja bëhet ndërtesë,
me aromën, shijen, bukurinë;
dridhet me ankth.
Dëshiron të mbetet ashtu,
ekzistojnë ligjet e krijimit dhe ekzistencës.
Çdo pjekje sjell frutat,
frutat japin ose marrin shijen.
Mençurinë dhe pjekurinë,
janë libra, zë, piano, violinë.
Bien gjethet, petalet, kalben frutat.
Era e kujtimeve fryn fjalët dhe tingujt
Myku i harresës, i keq, i papërdorshëm,
me degëzat e gjembave.
Ara pret bimën tjetër të re.
Korrja e re, dhe çdo gjë nga fillimi.
I dhimbshëm është fillimi dhe fundi,
Mes tyre është përralla që mbaron shpejt.
Kjo mes tyre ka vlerë,
Duhet ta shfrytëzojmë.
Të shmangim profecitë dhe fjalët e mëdha.
Si miq shfrytëzojmë udhëtimet,
marrim frymë aq sa na është dhënë.
Ndërtojmë sa më shumë shtëpi ëndrrash,
për pasardhësit, tanët dhe të huajt.
Kur bëjmë qiejt,
le të mos jenë të pa prekshëm,
të pa kuptueshëm.
Të lëmë sa më pak sekrete.
Sekretet janë si dielli, si yjet
dhe gjithnjë nxisin shikime,
dhe dëshira që të arrihet molla e kureshtjes.
Sikur të mundej,
më bukur është të jesh lumë,
dhe të jesh yll.
Fjalët janë si Hamleti,
vazhdimisht përsërisin “Të jesh apo të mos jesh”.
VAJZA ME KOKË PORTOKALLI DHE AROMË IRISI
(Poemuviz* në 29 figura. Polisi (i nëndheshëm, tokësor dhe i reve). Njerëzit, Robotët, Jashtëtokësorët, Humanoidët. Fluturime të formave të ndryshme. Institutet shkencore, Laboratorët e Konferencës së Këshillit të Galaktikës. Lajme nga Astronomia, Teknologjia molekulare, Astrofizika, Robotologjia,Vizionet cerebrale, zbulimet, kthimi dhe shkuarja e ekspeditave të galaktikës. Transmetimi i terrorizmit, transmetimi i kurorëzimeve mes Njerëzve dhe Bimëve. Pushimi për ata që ndjejnë – Poemuviz intermexo).
Në Polisin Audiovizual
Odiseja digjitale e Reve
Me përformansa fizike gjenetike dhe astrale
Zotërinjtë e Teleportimit kanë ndërruar vendet
Embrioneve të ngrira po u kalon koha
Metamorfoza e qelizave të Amzës
Në rrokaqiell vjelësit e lulediellit po mbarojnë korrjen
Muratorët e Shpresës ndërtojnë anijet e dëshirave të zjarrta
Gjuetarët e fytyrave ndjekin Humanoidët Drejtkëndëshat
Katërkëndëshat Romboidët
Në barkun dhe shpinat disponimi i tyre i ekranizuar
Anijembyturi pret fijen e kashtës dhe gjen Lavjerrësin
Kapësit e kometave prodhojnë energjinë
Pilivesa Gruas Meduzë i fal lulet e Koraleve
I Përgjon Njeriu Peshkaqen
Thjeshtësia është ëmbëlsia e Disponimit
Në re gjuetarët e Trajtave
Është përhapur Mashtomobile në një mijë vjet drite
Robotët zgjatin shpresën njerëzore
Lexuesit e Bioteknologjisë studiojnë veprën e miliontë A – D
Në Polisin Audiovizual asgjë nuk është e qetë
Shpejtësia e Pamjeve Shkatërrimi Krijimi
Sipas zakoneve primitive kjo është orgazëm
Jeta është një ngrehinë e dobët e Arsyes
Thnegla e Siriusit e ka lënduar Elefantin e Tokës
Incidenti shqetësoi këshillin e Galaktikës
Proteston përfaqësuesja e pinguinëve nga Grenlanda
Qyqja ndërron Çipin cerebral
Në lidhjen e dashurisë mes Njeriut dhe Magnolies
Lindi vajza me kokë Portokalli dhe aromë Irisi
Da Vinçi dhe Ajnshtajni bëjnë ski në detin Plazmoid
Mbrojtësit e kapsulave shkojnë në Yjësinë e Mjellmave
Shkruesi i Gjithësisë shënon mëngjesin e verdhë në të gjelbër
Magjia hap dyert e Çudirave
Programuesit e Nanoteknologjisë shërojnë princeshën dhe shtatë Robotët
Kori i shkencëtarëve noton në dimensionin e Katërt.
(Poemuviz*- drejtim letrar poetik-muzikor-vizual)
Për shkrimtarin
Sllobodan Vukanoviq (1944) është shkrimtar profesionist. Jeton në Podgoricë, Mali i Zi.
Ka botuar librat: „Ljubibiće“, „Zvezdano perje“, „Snimci kasete brodskog dnevnika“, „Svemirska seoba Montenegro“, „Kuda ćemo“, „Čamac kašika“, „Krilate ribe nose zlatoustog Jeromonaha“,“ „Kuće mirišu na magle“,“ Nije za nježne“ (tre botime),“ „Nećeš mi vjerovati, Amalija je postala vjetrenjača“, „Djevojčica sa glavom pomorandze”, librin „Pet libreta za balet“ dhe romanin „Ključ Klatno“.
Vukanoviq ka botuar edhe tetë libra për fëmijë. Dramat i janë interpretuar në teatër dhe në radio. Është prezent në më se 30 antologji, panorama dhe përzgjedhje. Poezia e tij është prezente edhe në librat për shkollat fillore.
Është i përkthyer në gjuhët: angleze, ruse, frënge, bjelloruse, italjane, hungareze, arabe, polake, rumune, sllovene, maqedone, turke, bullgare dhe shqipe