Home Poezi Arthur Rimbaud

Arthur Rimbaud

2181
0

Ofelia

I.

Si zambak lëkundet Ofeli e ngratë,
Mbi valën e zezë e të qetë ku flejnë yje,
Lëkundet ngadalë e shtrirë në vellon e gjatë…
– Piskamat e gjahut dëgjohen larg në pyje.

Ka mëse një mijë vjet që Ofeli e trishto,
Si fantazmë e bardhë kalon lumit të zi;
Ka mëse një mijë vjet që marrëzi e brishtë
Pëshpërit romanca netëve në puhi.

Era i puth gjinjtë e thur kurorë pastaj
Dhe velloja përkundet prej ujit butësisht;
Shelgjet fërgëllitës lotojn’ krahëve të saj,
Mbi fytyrën ëndërrtare përkulen kallamishtet.

Psherëtijnë rreth saj lilakët e rrudhosur;
Verrishteve që flejnë, nganjëherë zgjon,
Foletë ku frullimë e flatrës s’ka të sosur:
– Kënga e mistershme yje të artë rrëzon.

II.

O e zbehta Ofeli ! E bukur si borë!
Në një lumë rrëmbyes ti vdiqe miturake!
– Se ernat e ftohta që nga malet fryjnë prorë
Zëultë të kishin folur për lirinë idhnake;

Se ishte një flurim që flokët t’i shpërthente,
Zhurma të çuditshme të shtinte në mendje;
Se zemra jote këngën e Natyrës ndiente
Në vajtimet e pemëve dhe psherëtimat e netëve;

Se zëri i deteve të çmendur si grahmë e pamat,
Copëtonte gjirin tënd aq të butë e të mitur
Një ditë prilli një kalorës i hijshëm e i ngratë,
Një i çmendur i gjorë t’u përgjunj i nemitur!

Qiell! Liri! Dashuri! Çfarë ëndrre, o e marrë!
Si bora në flakë u shkrive krahëve të tij:
Vegimet e gjera ta përmbytën çdo fjalë
Dhe syrin blu ta frikësoi e tmerrshmja Pafundësi!

III.

– Dhe rrezeve yjore, Poeti thotë ndërkaq,
Se natën kërkon lulet që këpute ti,
Dhe se mbi ujë ka parë, shtrirë vellos së gjatë,
Që si zambak lëkundej e bardha Ofeli.

“Poezi të Zgjedhura – Arthur Rimbaud” me përkthim të Alket Çani

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here