Mostër e shkrimit Sabean
Autor: Fahredin Shehu
Fjalët kyçe: Sabianët, prejardhja. religjioni, femra në shoqëri, Merjemja, raportet me Judaizmin dhe Islamin
Abstrakti
Pas hulumtimeve të gjata dhe mungesës absolute të teksteve, madje edhe të një qasjeje të paktë për Sabianët, religjionin e tyre, femrën apo më së largu të posedimi të ndonjë teksti në gjuhën shqipe, kam ardhur në konkludim se një hulumtim i këtillë është mosmirënjohës, sepse kemi të bëjmë më një komunitet etniko-fetar, me një pakicë e cila ka jetuar që nga antikiteti e deri më sot, e koncentruar më shumë në Irak, e që në trashëgiminë islame përmenden tepër shkurt dhe nuk ka shumë burime.
Me që tematikisht do të fokusohem në rolin e Miriai, respektivisht Merjiemës apo Shën Mërisë, është e rëndësishme që së paku të jepet një introdukt për këtë komunitet, religjionin e tyre, për prezencën e Merjemës në tekstet Sabiane si dhe marrëdhëniet e Sabianëve në raport me Hebrenjtë dhe Myslimanët.
Shën Mëria është figurë themelore e krishterimit, po ashtu edhe si Merjem në Kur’an dhe Islam gëzon një pozitë të lartësuar, situata është krejtësisht tjetër tek Sabianët dhe pikërisht kjo do të jetë sqarimi themelor në këtë punim.
Unë nuk kam hasur ndonjë kumtesë, studim apo burim në gjuhë shqipe për Sabianët, për kulturën, rolin e tyre historik dhe kulturor, për marrëdhëniet e tyre me hebrenjtë, krishterët dhe myslimanët etj., andaj konsideroj se kjo qasje pioniere që t’i hidhet pakëz dritë këtij deficiti total për dijen mbi Sabianët, do të kontribuoj në një të kuptuar më të mirë, në veçanti të rolit dhe ndikimit të Miriai në shoqërinë Sabiane, Krishtere dhe Islame.
Qëllimi im primar ka qenë që të kontribuoj në zgjerimin e dijës për Sabianët e në veçanti të Miriai, respektivisht një prezantim tjetër të figurës së saj nga ajo që jemi mësuar të dimë deri sot, nga burimet biblike dhe kur’anore. Dhe doemos të sqarohen disa rrethana të jetës së saj në një ambient antik me përplot probleme, socio-ekonomike dhe fetare siç ishte Judea nën sundimin Romak.
Në tekstin e mëtutjeshëm unë do t’i përmbahem emërtimit të saj ashtu siç qëndron në tekstet Sabiane, respektivisht si MIRIAI.
HYRJE
Të flitet për një komunitet antik, i cili ka mbijetuar edhe në ditët e sotme dhe është ballafaquar me përpjekjen për ekzistencën biologjike të tyre, nuk është assesi lehtë, meqenëse duhet mbështetur në burime nga autorë, më shumë perëndimor, se sa lindor, të cilët në kohët e fundit kanë bërë hulumtime në terren duke u angazhuar në jetën e përditëshme të Sabianëve, në historikun e tyre dhe në përpjekjen për mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut në kuptimin bashkëkohor të fjalës.
Problemi themelor mbetet po ai i vjetër, ku njeriu që nga zanafilla nuk ndalet së luftuari e në veçanti, duke e luftuar më të dobëtin. Ky është rast konkret, pavarësisht se Komunitetit Sabian ka lënë gjurmë në historinë e njerëzimit, edhe në ditët e sotme njerëzimi nuk reciprokon në të mirat, komoditetin dhe sigurinë që mund t’u aforj atyre. Këtë e them për shkak se duke hulumtuar për personin e Miriai, kam zbuluar më shumë detaje për rrethanat jetësore në të cilat janë ballafaquar këta njerëz, për xhelozinë e tyre për ta rruajtur trashëgimn e tyre fetare dhe kulturore, identitetin etj.
Më herët dijetarët dhe shkrimtarët Mysliman kanë shkruar për Sabianët dhe në mesin e tyre renditen: ‘Abd ‘Allah ‘ibn al-‘Abbas (v.650), Hasan al-Basri (v.728), ‘Abu Hanifah (v.767), Malik ‘ibn ‘Anas (v.795), ‘Ahmad ‘ibn Hanbal (v. 855), nga periudha e herëshme, ndërsa më vonë ‘Abu Ja’far Muhammad ‘ibn al-Tabari (v. 922), ‘Abu Bakr Muhammad ‘ibn Zakariyya al-Radi (v. 923), ‘Abu al-Hasan ‘Ali ibn Husayn al-Mas’udi (v. 957), ‘Abu al-Rayhan Muhammad ‘ibn ‘Ahmad al-Biruni (v.1048).
Studime më domethënëse për këtë komunitet kanë bërë Mark Lidzbarski, Kurt Rudolph, Ethel S. Drower dhe në kohën e fundit, Jorunn Jacobsen Buckly, në kontekstin e asaj që ne jemi mësuar ta trajtojmë si hulumtime shkencore.
Unë nuk kam hasur ende një shkrim akademik, qasje, sprovë apo madje ndonjë kolumne, në gjuhën shqipe, e cila do të trajtonte këtë çështje. Sot komuniteti numëron 100.000 deri 150.000 banorë kryesisht të banuar në Irak dhe Iran, por ka edhe një diasporë të theksuar në Australi.
Meqë tema ka të bëj kryesisht me Miriai, konsideroj se është jashtëzakonisht e rëndësishme që t’i hidhet pakëz më shumë dritë prejardhjes, respektivisht më shumë të dhëna rreth këtij komuniteti me, të cilin është ballafaquar Miriai, në kohën e para lindjes së Yeshu, Jezusit apo Isaut A.S.
Origjina
Nuk ekziston e dhënë e saktë shkencore, lidhur me origjinën e saktë të Sabianëve dhe kjo, për arsye, se kanë ndërruar emrin dhe identitetin. Burimet fillestare flasin, se vet ata nga Kaldej, kanë pranuar të emërtohen Sabian, ndërsa arabët lokal i thërrasin Sabi. Dhe këtu është krijuar huti, sepse flitet për Sabianët e Harranit, të cilët besonin në yje dhe planetë dhe Sabianët, të cilët besojnë në një Zot. Etimologjia e fjalës ka këto kuptime: Sabi’un, ose konvertit apo njerëz, të cilët e ndërrojnë fenë, nga besimi politeist në besimin monoteist. Sabi është quajtur edhe Profeti Muhamed, A.S. si dikush, i cili ka braktisur fenë e të pareve. Kur’ani shkurtimisht i përmend Sabianët, por nuk ka detaje, se kush janë këta. Duket se kanë qenë të njohur në kohën e Muhamedit, mbase kjo është edhe arsyeja pse në Kur’an nuk ka më shumë të dhëna për këta njerëz.
Shumë autorë kanë krijuar huti në përshkrimin e tyre, që nga ata, të cilët i konsiderojnë si Ehli Kitab ose njerëz të Librit, e deri te njerëz që adhurojnë yjet. Një gjë është e qartë, se Sabianet e Harranit, të cilët nuk ekzistojnë më, ishin ata, të cilët kanë adhuruar yjet dhe planetët. Ndërsa Sabianët e kontekstit tonë, pra Sabianët trashëgimtar të Jahjaut A.S. janë ata, të cilët i përmend Kur’ani. Vet ata konsiderojnë, se janë pasardhës të Ibrahimit, Seth-it dhe Nuhut, ndërsa kultivojnë ritin e Jahjahut A.S. Në Kur’an thuhet:
“Me siguri ata që kanë besuar ose që janë ebrej, edhe të krishterë, edhe sabej, që i kanë besuar All-llahut edhe botës tjetër dhe kanë bërë punë të mira, shpërblimi i tyre është te Zoti i tyre. Për ata nuk ka as frikë e as pikëllim” (Kur’an, 2:62) .
Dhe ajeti:
“Ata të cilët besuan, edhe ata që ishin ebrej, edhe sabejt, edhe të krishterët – por se kush kanë besuar All-llahun dhe botën tjetër dhe kanë bërë vepra të mira, – për ata nuk ka frikë as pikëllim”. ( Kur’an, 5:69).
Këto janë dëshmi, se Sabejët si komunitet kanë qenë të pranuar, që në kohën e Muhamedit A.S.
Gjuha
Gjuhësisht, gjuha Mandai , i përket dialektit të gjuhës Arameje, e Gnostikëve të fundit, jo krishterë nga antikiteti i vonë, të Sabianëve të Irakut dhe Iranit (Kuzestan), grupit të dialektit Juglindor me Aramaishten e Babilonit talmudik (Hebraishtja Arameike e Babilonisë) dhe Koine Arameishtja e Babilonisë. Një kontribut të madh në rekonstruktimin Fjalorit Babilonik- Arameik, ka dhënë zonja Christa Müller-Kessler , ku më gjerësisht mund të shihet lidhur me detajet e gjuhës dhe prejardhjes së sajë.
Religjioni
Po të kishte më shumë hapësirë dhe kohë për këtë punim, konsideroj, se do të ishte shumë e vlefshme që të përfshiheshin më shumë të dhëna rreth religjionit të Sabianëve, gjithmonë duke pas parasysh, se cili do aspekt që do të trajtohej, do të ndjelltë kërshëri, mirëpo mbetet që në të ardhmen të punohet seriozisht, intensivisht dhe me më shumë këmbëngulje, të trajtohen aspektet në mënyrë më të gjerë dhe atë për secilin individualisht.
Elementet mitike në religjionin Mandean të Sabianëve, janë shumë prezentë pavarësisht, se ata pohojnë, se besojnë në një Zot. Figurat interesante dhe të mrekullueshme si: Dinanukht, ose gjysmë njeri gjysmë libër, i cili e lexon vetveten, pastaj libri më i vogël Disai, që krijon dije dhe këto e mësojnë RUHA, e cila është personifikimi i shpirtit në dijet e njohjes të njohura si Manda-d-Hiia ose (Dija e jetës). Në religjionin Mandaik ekzistojnë bota e errët dhe bota e dritës. Një nga ritet themelore dhe me unike është Pagëzimi me ujë dhe kjo është arsyeja kryesore, se shumica e ithtarëve të Mandaizmit janë me sëmundje të pneoumonisë, sepse lagen me ujë edhe në kushte klimatike shumë të ashpra dhe kur është ftohtë. Për 2000 vjet me radhë, lutja e së martës që i drejtohet Ruha (Shpirtit), shfaq lamentin e shpirtit ambivalent njerëzor. Figura tjera të rëndësishme pos Ruha (Shpirtit), është Hibil Ziwa (Ndriçimi), i cili në këtë botë sjell nga bota e dritës dy çifte vezësh nga, të cilët çelin njerëzit. Nuk kisha dashur të hy në detaje të mëtejme të kësaj mitologjie për shkak, se zgjerimi në këtë temë do të merrte shumë hapësirë.
MIRIAI, MARIA, MERJEM, MARY
Ashtu siç e cekëm më lartë, figura e ndritur e Miriait ka ndikuar që të jetë e dashur dhe e përvetësuar nga shumë kultura dhe gjuhë, prandaj edhe emri i sajë është interpretuar në forma të ndryshme. Me që ishte qëllimi ynë që të shkruajmë më tepër për figurën e sajë, rolin dhe historinë, respektivisht rolin e sajë në historinë njerëzore, do të përqendrohemi në tekstet që janë më pak të njohura, e që ajo ka jetuar me ato komunitete, andaj në kontekst të kësaj unë do të potencoj emrin e saj ashtu si e bëra gjatë gjithë këtij shkrimi të vogël, që ka karakter më shumë udhëzues për një studim më të gjerë dhe më substancial.
• Miriai në Kur’an
Kur’ani i jep goxha hapësirë Miriait, kështu duke qenë ajo e vetmja femër, e cila përmendet në Kur’an sipas emrit personal dhe atë plotë 34 herë, që domethënë është e përmendur me shpesh në Kur’an se sa në gjithë Dhiatën e re. Roli i Miriait (Merjem) në kulturën islame dhe traditën fetare është shumë i rëndësishëm, ndërsa ajetet kur’anore, të cilat i referohen Miriait, janë të shkruara me bukurshkrim në shumë Mihrabe nëpër xhami të ndryshme.
Sipas Kur’anit, Miriai i takon Familjes së Imranit, që i referohet babait të Musaut dhe Harunit, nga kjo e ka prejardhjen si vajza e Amram, i cili nuk përmendet në Kur’an në këtë mënyrë dhe jo si baba i vërtetë dhe aktual i saj, por si paraardhës i sajë, kurse për traditën krishtere ai është Joachim. Ajo çka na vjen nga interpretimet Islame, nga Fakudh lindin Hannah (Ana) dhe Ishba (Elizabeta), kurse Hannah martohet me Imran dhe lind Isa. Elizabeta martohet me Zakaria dhe lind Jahjaun.
Sipas narracionit Islam, Hannah ose Ana dhe Imran ose Amram ishin në moshë të shtyre dhe nuk kishin fëmijë, por kur një ditë Ana e pa një zog i cili ushqente zogun vet të vogël, te Ana u rrit dëshira për të lindur një fëmijë. Kështu që, ajo (Ana) iu lut Zotit që ti fal një fëmijë dhe nëse i lind fëmija ai fëmi do t’i dedikohet adhurimit të Zotit. Ajo iu lut Zotit që, fëmija i sajë të jetë i mbrojtur nga Satana. Kështu që Tradita Islame regjistron Hadith ku thuhet se të vetmit, të cilët nuk janë prekur nga Satana janë Merjemja dhe Isau.
Miriai është rritur në Tempull dhe ka qenë nën mbrojtjen e profetit Zekerija. Shpesh Zekerija e takonte atë duke u lutur dhe çdoherë e gjente ushqimin e bollshëm te ajo.
Problemi themelor, por jashtëzakonisht i rëndësishëm të ceket është lindja e mrekullueshme e Isaut, gjë që ishte e papranueshme për komunitetin hebre në atë kohë. Kumti se ajo është shtatzëne, duke qenë e dëlirë dhe e virgjër, për herë të parë shfaqet në Kur’an, kur ajo i drejtohet engjëllit Xhibril:
“Si do të kem unë fëmijë – tha ajo – kur nuk më ka prekur asnjë mashkull dhe unë kam qenë e shfrenuar”. (Kur’an 19: 20).
Më pastaj:
“Dhe kur engjujt i thanë: “Oj Merjeme, ty të ka zgjedhur All-llahu dhe të ka pastruar, e të ka zgjedhur nga të tëra gratë e botës”. ( Kur’an 3:42).
Dhe më tej:
“Dhe kur engjujt i thanë: “Oj Merjeme, All-llahu të përgëzon me fjalën e vet se emrin do ta ketë Mesih, Isa, i biri Merjemes, faqebardhë në këtë botë dhe në botën tjetër, dhe do të jetë njëri nga të afërmit”. (Kur’an 3: 45).
“Dhe Merjemen, të bijën e Imranit, e cila e ruajti virgjinitetin e saj, ndërsa ne aty krijuam jetë (mbeti shtatëzanë), u besoi fjalëve dhe librave të Zotit të vet dhe ishte nga ato të përulurat”. ( Kur’an 66:12).
• Miriai në tekstet Sabiane
Në tekstet Sabiane, në disa sosh Miriai përmendet si person me prejardhje hebreje, e cila konverton në religjionin Sabian. Njëri nga tekstet Sabiane i njohur si Haran Gawaita , për të thotë:
“Dhe [Mandeasit] e donin Perëndinë, i cili, është , Adonai, derisa në shtëpinë e Izraelit u krijua diçka që nuk është vendosur [respekt., është vendosur në mënyrë jo të natyrshme] në mitrën e Miriait, vajzës së Mojsiut [Miša]. Kjo është fshehur në mitrën e sajë për nëntë muaj dhe magjepsi atë derisa u mbushën nëntë muaj dhe ajo ishte e mbarsur dhe lindi Mesihun [Mšiha]” .
Haran Gawaita përmend dy shtatëzani, njërën si të lig dhe të nxitur nga magjia, që i referohet Miriait dhe tjetra e ngjizur nga fara e pastër, te Elizabeta (‘Nisbai), e cila sjell një jetë nga fara e pastër, heroin Sabian, profetin e tyre; Gjon Pagëzorin (Jahjaun).
Në librin e Gjon Pagëzorit, nga burimi origjinal i Sabianëve, situata ndryshon në tërësi. Aty Miriai rrjedh nga bota e dritës, ku thuhet se është e bija e mbretërve të Babelit, respektivisht Jerusalemit, edhe në kontekstin e Jerusalemit libri shfaq konfuzion. Përshkrimi se Miriai është rritur nga priftërinjtë dhe është e detyruar që të bëj punë të vështira duke adhuruar Adonai. Mirëpo situata ndryshon kur babai i saj përgatitet që të shkoj në Sinagogë apo (Bit Ama), ndërsa nëna e sajë në Tempullin hebre (Mqdiša) dhe që të dy i urdhërojnë asaj, që të mos dal nga shtëpia dhe që, rrezet e diellit mos të bijnë në fytyrën e sajë. Por ajo doli jashtë me qëllim, që ta përcjell babin e sajë për në Sinagogë, por këmbët e çuan në tempullin Sabian të quajtur (Maqšna), duke i gjetur Sabianët në mes të shërbesës fetare, ku u skajua për t’i dëgjuar shërbesat dhe aty e zuri gjumi. Njëra nga motrat Sabiane e zgjoi, duke i thënë se duhet të zgjohet para të vi muzgu. Ajo ik nga tempulli dhe babai i saj kërkon të dijë nga ajo, se ku ishte gjatë asaj kohe, i zemëruar ai e akuzon se, është lavire dhe fton njerëz që të vijnë e shohin se, si vajza e tij e skandalizoi familjen e tij, duke e lënë Judaizmin dhe duke pranuar religjionin Sabian, Mandai.
Miria fillon të vishet me petkat e bardha Sabiane dhe i lë anash petkat e bojdisura Hebreje. Ndërsa ndërron mbulesën e kokës, nga mbulesa Hebreje Tutifta në atë Sabiane Burzniqa. E obsesionuar nga guximi i jashtëzakonshëm i një konvertimi të ri, ajo mallkon hebrenjtë dhe priftërinjtë e tyre, duke i mallkuar me pluhur në gojët e gojë-këqinjëve dhe priftërinjve hebrenj t’u dalin jelat e kalit në kokat e tyre.
Këtë interpretim narrativ e sqaron jashtëzakonisht bukur Jorunn Jacobsen Buckly, në librin: “Mandeasit; Tekstet antike dhe njerëz bashkëkohor”, libri, i cili ishte pjesë e doktoraturës së saj dhe, e cila ka jetuar një kohë mes komunitetit Sabian në SHBA, dhe në Irak e Iran.
Jacobsen Buckly sqaron se konvertimi i Miriait nga Judaizmi në Mandeizëm, shkakton bujë të madhe dhe në atë kohë secili veprim i gruas në këtë drejtim është stigmatizuar menjëherë në kurvëri, prandaj zemërimi i babait ka shfaqur dyshimin në dëlirësin e Miriait te, e cila është vënë në dyshim mrekullia e Zotit për të qenë e mbarsur me mrekullinë e Zotit. Pjesa tjetër tek libri i Gjonit, e vendos Miriai buzë lumit Eufrat, e përzënë nga komuniteti hebre ajo shndërrohet në pjergull në të cilën ndalen zogjtë e ndryshëm. Aty ndalet edhe Hibil Ziwa (Ndriçimi), i cili e udhëzon Miriai dhe e shëron atë. Kështu, Miriai bëhet priftëreshë e parë. Edhe më herët ajo shërbente si mësuese e Torës kur nëna e sajë e lut që t’i kthehet fesë së të parëve, hebraizmit. Ajo mësonte fëmijët shkrim lexim të Torës.
Kapitujt 21 dhe 22 të librit të Gjonit sqarojnë se si Gjoni në Jerusalem e lë Torën dhe ligjëron mësimet e veta. Në këto ligjërata i vijën nënë e tij Elizabet dhe Miriai, të cilat vajtojnë për shkak e Gjoni do ta lë Jerusalemin, ndërsa Benia Amin (bijtë e Aminit) dhe Miriai dhe Jaqif (Jakobi), pyesin Gjonin çka do të ndodh. Ai parashikon se priftërinjtë Mandai do të vriten, Jerusalemi do të shkatërrohet e më pastaj do të paraqitet Muhamedi.
Miriai përmendet tek Sabianët gjatë secilës lutjeje të mëngjesit të premteve dhe të shtunave në mbrëmje. Këto janë lutjet në librin e Gjonit, lutja nr 149 dhe 162. Dua të përmend se përkthimin dhe studimin e këtyre në Perëndim e ka bërë i pari, Mark Lidzbarski. Në lutjen 149, nëna e Miriait e takon tek dera e tempullit, duke e parë atë me faqe të kuqe dhe gjendjen e sajë të përgjumshme dhe kërkon sqarime prej sajë:
“A nuk ke dëgjuar bija ime Miriai, çka thonë hebrenjtë për ty?
Hebrenjtë thonë, “Bija jote e do një mashkull, ajo urren Judaizmin dhe e do Naƒiruta ; Ajo urren derën e Bit ama dhe e do derën e Maškna ; ajo urren Tutifta
Dhe do kurorën e freskët . Gjatë Shabatit (šapta) ajo punon; të dielave (habšaba) ajo heq dorë nga çdo gjë (nuk punon).”
Në lutjen 162, Miriai mallkon hebrenjtë, të cilët dëshirojnë të dijen kush e mëson atë në këtë dije, por ajo i mallkon dhe i thotë se ju kurrë nuk do të shihni çka shoh unë. Ajo pra ishte në përcjellje të përhershme të Manda d-Hiia, ose Dija e jetës.
Nga që u pa më lartë, Miriai ishte e keqtrajtuar në komunitetin hebre dhe në disa rrethana ajo ishte e vrazhdë në mallkimin e saj kundër shpifjeve të tyre.
REZYMEJA:
Është e nevojshme që të bëhen studime të mëtutjeshme në këtë rrafsh duke pasur parasysh se nuk ka asnjë shkrim në gjuhën shqipe për Sabianët.
Meqë ky shkrim është një shkrim pionierë, obligohem që të bëj një studim më të gjerë dhe ta botoj, mbas kjo do t’i ndihmoj dikujt që të hap horizontet e madje të merr edhe pjesë aktive në mbrojtjen e komunitetit Sabian, i cili është i rrezikuar nga shumë faktorë, e në mënyrë primare nga faktori njeri.
Unë shpresoj se deri diku kam arritur që të hedh pakëz dritë në dijet fare pak të njohura për Miriai dhe për rrethanat në të cilat ajo jetonte, në një komunitet antik. Ndryshe nga ato që jemi mësuar të dimë apo mësojmë nga interpretimet e deritanishme.
LITERATURA
1. Drower, S, Ethel, The Mandeans of Iraq and Iran: Their Cults, Customs, Magic, Legends and Folklore, Oxford, 1937.
2. _____.The Haran Gawaita and the Baptism of Hibil-Ziwa. The Mandaic Text with Translation, Notes and Commentary, Vatican City, 1953.
3. Buckely, Jacobsen, Jorun, The Mandeans: Ancient Texts and Modern People”, Oxford University Press, 2002.
4. Lidzbarski, Mark, Das Johannesbuch der Mandäer, pjesa 2 , Giessen, Germany, 1905 (teksti), 1915 (përkth.); reprod. Berlin, 1965.
5. Lupieri, Edmondo, The Mandaeans. The Last Gnostics, Cambridge, 2002.
6. Chapman, W. Glen, The Strange Story of The Mandeans of Iraq and Iran, kompilacion i teksteve të ndryshme, 2004.
7. Rudolph, Kurt, Encyclopaedia, Iranica http://www.iranicaonline.org/articles/mandaeans-2-religion, vizituar për herë të fundit, 09.08. 2013.